Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të takimeve bilaterale përgjatë takimit të liderëve të rajonit të Procesit Bërdo-Brijuni që po mbahet në Shkup, ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Željko Komšić dhe Denis Bećirović.
Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua ratifikimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit nga Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës, një obligim që rrjedh nga nënshkrimi i marrëveshjeve në nëntorin e vitit të kaluar.
Presidentja Osmani ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH është, përveç një obligim edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve.
Sipas Presidentes Osmani, Kuvendi i Kosovës dhe katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra nga të cilat parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndaj është radha që të njëjtin veprim ta bëj edhe BeH-ja.
Po ashtu, Presidentja Osmani vlerësoi se lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve do t`i shtonte mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit te dyanshëm.
Presidentja Osmani ka theksuar se arritja e vizionit të përbashkët e të dy shteteve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike do t`i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë të rajonit.