Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën dy ditore shtetërore në Shqipëri ku ka qëndruar me ftesë të presidentit Bajram Begaj është shoqëruar nga Zotëria i Parë, Prindon Sadriu.
Pëveç në takime të përbashkëta me Presidenten Osmani, Zotëria i Parë zhvilloi një sërë aktivitetesh të veçanta me Zonjën e Parë.
Në takim me Zonjën Begaj, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu e ka falënderuar për pritjen madhështore për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj. Raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u vlerësuan si të shkëlqyeshme, teksa Zotëria i Parë dhe Zonja e Parë u zotuan për angazhim të vazhdueshëm të tyre për thellimin e mëtejmë të marrdhënieve në fushën e afirmimit të vlerave kombëtare dhe fuqizimit të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.
Zotëria i Parë, i cili njëherësh është edhe ushtarak në rezervë, gjatë vizitës shtetërore në Shqipëri është pritur në takim ushtruesi i detyrës të komandantit të Kolegjit të Mbrojtjes, Arben Toska si dhe kolonel Emëror Hajdarasi nga Akademia e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast, z. Sadriu, u njoftua me organizimin, funksionimin si dhe synimet për të ardhmen e Akademisë, krahas vlerësimit të mundësive për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes të dy akademive. Zotëria i Parë i shprehu falënderime Akademisë për aftësimin profesional të shumë kuadrove të FSK-së përgjatë dekadave të kaluara.
Më pas, nënkolonel Sadriu, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Oficerëve Rezervë të Kosovës, ka realizuar takim me krerët e Shoqatës së Oficerëve Rezervë të Shqipërisë, ku është pritur nga Kolonel Hamit Gojani, president i shoqatës si dhe bashkëpunëtorët e tij. Nënkolonel Sadriu shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi mes dy shoqatave i realizuar para disa viteve ka rezultuar me suksese të përbashkëta dhe është në rrugë të mbarë të fuqizohet edhe më tej. Përveç afirmimit dhe avokimit për të drejtat e rezervistëve, ai theksoi se synimi kryesor i Shoqatës është anëtarësimi me status të plotë në Shoqatën e ushtarakëve rezervë të NATO-s (CIOR). Zotëriut të Parë iu nda Certifikatë Nderi nga presidenti Gojani në shenjë mirënjohje të kontributit të z. Sadriu.
Përveç takimeve zyrtare, Zotëria i Parë, ka realizuar edhe vizita në Muzeun Publik Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, si dhe Muzeun “Bunkart 1” dhe “Bunkart2”, ku u njoh me elementet shkrimore e materiale me karakter historik, kombëtar, shkencor, kulturor e artistik të tyre. Në kuadër të këtyre aktiviteteve kulturore, Zotëria i Parë, mori pjesë në ekspozitën dedikuar Nënë Terezës, në ceremoninë e dorëzimit të dekretit të nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare si dhe vizitën në Torrën Veneciane në Durrës.
Në vazhdën e kësaj vizite, Zotëria i Parë, ka marrë pjesë në darkën shtetërorë të shtruar nga Presidenti Begaj.
Më pas, Zotëria i Parë, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Patroni i Kalasë”, të akorduar nga qyteti i Beratit për Presidenten Osmani, në vizitën në Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit si dhe takimin me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.