Fjalimi i Presidentes Osmani në akademinë përkujtimore të 25 vjetorit të masakrës së Studimes së Vushtrrisë

Shumë të nderuara familje të Studimes dhe të gjithë Vushtrrisë, I nderuar kryeministër Kurti, I nderuar kryetar i Komunës z. Idrizi, Të nderuar kryetarë të partive politike, Të nderuar deputetë, Të nderuar ministra, E nderuar familje e ish-Presidentit Thaçi, Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, ministra, e mbi të gjitha familjarë të martirëve të Studimes, familje të dëshmorëve, të martirëve, si dhe shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, Në 25-vjetorin e Masakrës së Studimes, jemi sërish këtu për t’i përkujtuar 116 civilë, ndër të cilët shumë fëmijë, ndër të cilët edhe gra shtatzëna, të cilët makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë, brenda dy orësh i vrau vetëm pse ishin shqiptarë. Është vështirë që të gjinden fjalë për ta shprehur në mënyrë të duhur thellësinë e pikëllimit që të gjithë ne në Kosovë ndiejmë për jetët e humbura, për familjet që u prekën nga ky akt barbar. Si shtet e si komb, ne ende duhet të përballemi me plagë të hapura e dhimbje të papërballueshme, sepse fatkeqësisht, pothuajse në çdo komunë të Kosovës, në çdo qytet e në çdo fshat, njësoj sikurse këtu në Studime, qytetarët tanë kanë përjetuar masakra të tmerrshme, ku egërsia e okupatorit serb shkoi përtej imagjinatës njerëzore. Mizoritë e tilla janë dëshmi e fuqishme se sa e domosdoshme ishte lufta jonë për liri. Janë dëshmi e fuqishme e të drejtës sonë dhe e konfirmimit të faktit të njohur botërisht, se Kosova ishte viktimë e agresionit, teksa Serbia shoviniste ishte agresore, se Serbia kreu krimet, ndërkaq Kosova mbronte vetveten. Këtë të vërtetë do ta mbrojmë kudo e kurdo, ngase lufta jonë çlirimtare ishte luftë për liri, luftë për mbrojtjen e të drejtës së dinjitetit tonë, për mbrojtjen e shtëpisë sonë, njësoj sikurse bëri secili dëshmor, secili hero dhe secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. Në këtë përvjetor të Masakrës së Studimes, jemi përkrah familjeve të 116 martirëve, sepse ata janë dhimbje e gjithë Kosovës, e njëkohësisht janë obligim i yni i përbashkët, për t’u siguruar se drejtësia do të vendoset. Lufta jonë për drejtësi nuk ka mbaruar ende. Fatkeqësisht, sepse përballë kemi një Serbi me mendësi të kohës së Millosheviqit. Por, jam e bindur se të gjithë bashkërisht do të ngadhënjejmë sërish në këtë përballje, sepse e vërteta është në anën tonë, dhe drejtësia do të vendoset, pavarësisht se sa do të vonohet ajo. 2 maji i vitit 1999 ishte i kobshëm për Studimen, ngase regjimi kriminal serb, me një operacion shtetëror ekzekutoi brutalisht shqiptarë të pafajshëm, shumë prej të cilëve u ekzekutuan nga afërsia dhe me gjakftohtësi. Kudo që shkojmë në Kosovë, e në veçanti këtu në Studime, dëgjojmë rrëfime të nënave, të cilat na tregojnë të njëjtën gjë, mënyrën se si fëmijët ua morën nga prehri, mënyrën se si fëmijët ua ndanë nga duart. Dhimbje e papërshkrueshme, por në të njëjtën kohë, motiv për gjithsecilin prej nesh, që kurrë mos të dorëzohemi në luftën tonë për drejtësi. Prandaj, në këtë betejë kujtesa historike është arma jonë më e fuqishme. Ajo dëshmon për mizoritë e kryera në emër të tiranisë dhe shtypjes dhe na obligon t’i mbajmë përgjegjës autorët për krimet e tyre. Duke e mbrojtur e ndarë të vërtetën, ne nderojmë kujtimin e atyre që kanë rënë, dhe sigurohemi që kjo e vërtetë të bartet ndër breza, në mënyrë që krime të tilla mos të përsëriten më kurrë. Ne sot nderojmë edhe luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët e luftëtaret trima e trimëresha, të cilët qëndruan në vijën e parë të betejës për lirinë e popullit tonë. Ata qëndruan të palëkundur në angazhimin e tyre për kauzën e çlirimit, shumë nga të cilët dhanë jetën për idealin fisnik të lirisë. Guximi, sakrifica dhe vendosmëria e tyre e palëkundur na shërbejnë si frymëzim për të gjithë ne, na kujtojnë se liria nuk dhurohet, por fitohet me luftë, me sakrificë dhe vendosmëri të palëkundur. E megjithëse plagët e luftës dhe të ditës së kobshme në Studime nuk do të shërohen kurrë plotësisht, shpirti i banorëve këtu mbetet i pathyer. Studimja tashmë është ringritur teksa banorët krahas me shpresën për drejtësi, shikojnë kah e ardhmja dhe e qojnë Kosovën përpara. Pavarësisht dhimbjes së paimagjinueshme nëpër të cilën kanë kaluar qytetarët tanë, edhe Studimja edhe e gjithë Kosova, e mbajnë të freskët dhimbjen për më të dashurit, përderisa të gjithë bashkë punojmë për një Kosovë përherë të lirë e të zhvilluar. Përherë do t’i kujtojmë martirët, nuk do t’i harrojmë asnjëherë sikurse do t’i kujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës. Lavdi e qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes dhe të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e masakrës së Studimes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në përvjetorin e masakrës së Studimes së Vushtrrisë. Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Presidentja Osmani ndër tjera ka theksuar: Fjalët nuk mund ta shprehin në mënyrë të duhur pikëllimin që ndjejmë për 116 jetët e humbura të banorëve të Studimes nga ky akt barbar i forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë. Megjithëse plagët e luftës dhe të ditës së kobshme në Studime mund të mos shërohen kurrë plotësisht, shpirti i banorëve mbetet i pathyer. Studimja tashmë është ringritur, teksa banorët krahas me shpresën për drejtësi, shikojnë kah e ardhmja. Do t’i kujtojmë martirët përherë për të mos u harruar, sikurse do t’i kujtojmë të gjitha masakrat nëpër Kosovë!
Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, Të nderuar deputetë, E nderuar familje Kodra, Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve, Të nderuara shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Të nderuar pjesëmarrës, Sot jemi mbledhur për të nderuar dhe kujtuar komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën operative të Drenicës, heroin e Kosovës Ilaz Kodra, sikurse edhe 315 dëshmorë e martirë të rënë më 30 prill 1999, në Drenicë. 25 vjet më parë fshatrat Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks e Gllobar, u ndodhën në egërsinë e regjimit gjenocial të Serbisë, në një ofensivë e cila kishte të vetmin qëllim, shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Banorëve të këtyre fshatrave në mbrojtje iu vu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me heroin Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim. Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra, në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile dhe për mbrojtje të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, ra heroikisht në fushëbetejë së bashku me 42 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroi Ilaz Kodra ndoqi idealin e komandant Ademit, duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij, ndaj edhe u përjetësua. Ilaz Kodra ëndrrën për liri e kishte farkëtuar qysh herët, sepse qysh në rininë e tij iu kishte rrekur aktivitetit patriotik për liri e për shtet. Si një patriot i devotshëm ai u shndërrua në dorën e djathtë të komandantit Adem Jashari, ndaj bashkë me të dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe zhvilluan trajnime ushtarake në Shqipëri për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun. Ilaz Kodra ashtu siç e nisi aktivitetin e tij patriotik edhe e përfundoi. Duke mbrojtur dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtarë. Kauza e tij ishte liria, ndaj ai ra për liri dhe për shtet. Thuhet se luftëtari nuk kthehet në shtëpi, por përjetësohet për liri, edhe Ilazi nuk u kthye në shtëpinë e tij, por Kosova e lirë dhe e pavarur ishte dhe mbeti shtëpia e tij e përhershme, shtëpia për të cilën dha edhe jetën. Heronjtë sikurse Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së që ranë në ato ditë dhe përgjatë tërë luftës sonë çlirimtare, janë më shumë sesa thjesht shtatore në bronz nëpërmjet të cilave i përkujtojmë. Ata janë kujtesa jonë e përhershme, janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë, janë krenaria jonë dhe janë frymëzimi e udhërrëfimi i çdo vepre tonë. Ata na kujtojnë idealet më të larta të nderit, të detyrës dhe sakrificës, ndaj edhe na frymëzojnë çdo ditë për të ecur përpara. Trimëria, sakrifica dhe përkushtimi i tyre i palëkundur për kauzën e çlirimit, janë ngulitur përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona dhe do të sigurohemi që ashtu të jetë edhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit shtetëror. Ata dëshmuan se edhe në kohërat më të errëta, triumfon drita. Ata dëshmuan se kundër tiranisë, triumfon gjithnjë guximi dhe vendosmëria për ta mbrojtur atdheun dhe lirinë. Ata dëshmuan se lufta për liri ishte e drejtë e jona, ne mbrojtëm pragun e shtëpisë, mbrojtëm Kosovën, mbrojtëm dinjitetin e popullit tonë. Ndaj sot falë Ilaz Kodrës dhe mbi 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së, ne jemi të lirë, jemi në shtëpinë tonë, jemi në Republikën tonë, shtet sovran e të pavarur. Ata janë dëshmi e luftës sonë të drejtë dhe e riafirmimit të së vërtetës sonë, se në vitet e 90-ta Kosova ishte viktimë e agresionit serb, kurse Serbia ishte agresore. Do ta themi dhe mbrojmë gjithnjë këtë të vërtetë, dhe do të punojmë fort që drejtësia të vihet në vend. Heroi Ilaz Kodra dhe dëshmorët e tjerë të UÇK-së do të vazhdojnë të jenë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe frymëzues se si duhet dhe si mbrohet atdheu. Trashëgiminë e tyre do ta ruajmë me krenari e vendosmëri, njësoj sikurse lirinë për të cilën ranë ata. Lavdi të gjithë dëshmorëve të UÇK-së! Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilaz Kodra, si dhe për të gjithë dëshmorët, martirët dhe ata që ranë për lirinë e Kosovës!
Presidentja Osmani kujton 32 martirët e Nabërgjanit të Pejës

25 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë masakruan 32 civilë të Nabërgjanit të Pejës, me synimin e tyre për shfarosjen e shqiptarëve. Nuk ia arritën këtij synimi shovinist, ndaj Nabërgjani i ripërtrirë është në pritje të drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë obligim i yni kundrejt viktimave dhe familjeve të tyre. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e fillimit zyrtar të programit Kompakt

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e organizuar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për nder të ish-Sekretares së Shtetit të ShBA-ve Madeleine Albright, si dhe dy pilotëve të ushtrisë amerikane, David Gibbs dhe Kevin Reichert

Presidentja Osmani bëri homazhe në Vërboc dhe Shtuticë në nderim të 280 martirëve të kësaj ane dhe 43 dëshmorëve të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Vërboc dhe Shtuticë, në 25- vjetorin e masakrave në këto dy fshatra dhe në fshatrat përreth: Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar, ku forcat e regjimit gjoenocidal të Serbisë më 30 prill 1999, vranë mizorisht 280 civilë shqiptarë. “Sa më afër lirisë, brutaliteti i forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë rritej e manifestohej në mënyrën më çnjerëzore, ndaj në ofensivën e tyre vranë 280 banorë të kësaj ane vetëm pse ishin shqiptarë. Në mbrojtje të popullsisë civile u vunë vajza e djem të UÇK-së, në krye me komandant Ilaz Kodrën. Përballë egërsisë së regjimit kriminal, Ilazi me 42 bashkëluftëtarë qëndruan me guxim dhe vendosmëri deri në flijim. Ata ranë në fushë të betejës, duke u bërë të pavdekshëm”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani tha se sakrifica e heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së, nuk do të harrohet kurrë, ndërkaq guximi i tyre do të mbahet mend gjithmonë.
Presidentja Osmani kujton heroin Ilaz Kodra në 25- vjetorin e rënies

Sot në 25- vjetorin e rënies heroike, kujtojmë me respekt heroin Ilaz Kodra, një ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, krahas kryekomandantit Adem Jashari. Ilazi mbetet shembull i luftëtarit me kauzë, i cili fatin e popullit të tij e vendosi mbi fatin personal, ndaj është heroi ynë. Ai do të mbetet udhërrëfyes për brezat dhe sikurse atëherë që ishte gardian i popullsisë civile nga regjimi gjenocidal i Serbisë, sot është gardian i lirisë dhe shtetit tonë bashkë me heronjtë e tjerë të UÇK-së. Qoftë i përjetshëm kujtimi për gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani me kryetarin Konjufca dhe nënkryetaren Bogujevci bënë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe nënkryetaren, Saranda Bogujevci, kanë bërë homazhe për aktivistin politik, ish-kryetarin e Pejës dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, z. Ali Lajçi. Presidentja Osmani ua ka përcjellur ngushëllimet familjes, miqve dhe bashkëveprimtarëve të z. Lajçi, teksa ka thënë se ai do të mbahet mend për aktivitetin e tij të pareshtur patriotik përgjatë gjithë jetës.
Presidentja Osmani priti në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC): Investimi më i madh në fushën e energjisë, Programi Kompakt është dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim z. Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë. Tutje, Presidentja Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t’i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA. Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do ta garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.