DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në akademinë përkujtimore të 25 vjetorit të masakrës së Studimes së Vushtrrisë

Shumë të nderuara familje të Studimes dhe të gjithë Vushtrrisë,

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar kryetar i Komunës z. Idrizi,

Të nderuar kryetarë të partive politike,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar ministra,

E nderuar familje e ish-Presidentit Thaçi,

Të nderuar përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, ministra, e mbi të gjitha familjarë të martirëve të Studimes, familje të dëshmorëve, të martirëve, si dhe shoqata të dala nga lufta e UÇK-së,

 

Në 25-vjetorin e Masakrës së Studimes, jemi sërish këtu për t’i përkujtuar 116 civilë, ndër të cilët shumë fëmijë, ndër të cilët edhe gra shtatzëna, të cilët makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë, brenda dy orësh i vrau vetëm pse ishin shqiptarë.

Është vështirë që të gjinden fjalë për ta shprehur në mënyrë të duhur thellësinë e pikëllimit që të gjithë ne në Kosovë ndiejmë për jetët e humbura, për familjet që u prekën nga ky akt barbar.

Si shtet e si komb, ne ende duhet të përballemi me plagë të hapura e dhimbje të papërballueshme, sepse fatkeqësisht, pothuajse në çdo komunë të Kosovës, në çdo qytet e në çdo fshat, njësoj sikurse këtu në Studime, qytetarët tanë kanë përjetuar masakra të tmerrshme, ku egërsia e okupatorit serb shkoi përtej imagjinatës njerëzore.

Mizoritë e tilla janë dëshmi e fuqishme se sa e domosdoshme ishte lufta jonë për liri. Janë dëshmi e fuqishme e të drejtës sonë dhe e konfirmimit të faktit të njohur botërisht, se Kosova ishte viktimë e agresionit, teksa Serbia shoviniste ishte agresore, se Serbia kreu krimet, ndërkaq Kosova mbronte vetveten.

Këtë të vërtetë do ta mbrojmë kudo e kurdo, ngase lufta jonë çlirimtare ishte luftë për liri, luftë për mbrojtjen e të drejtës së dinjitetit tonë, për mbrojtjen e shtëpisë sonë, njësoj sikurse bëri secili dëshmor, secili hero dhe secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.

Në këtë përvjetor të Masakrës së Studimes, jemi përkrah familjeve të 116 martirëve, sepse ata janë dhimbje e gjithë Kosovës, e njëkohësisht janë obligim i yni i përbashkët, për t’u siguruar se drejtësia do të vendoset.

Lufta jonë për drejtësi nuk ka mbaruar ende. Fatkeqësisht, sepse përballë kemi një Serbi me mendësi të kohës së Millosheviqit. Por, jam e bindur se të gjithë bashkërisht do të ngadhënjejmë sërish në këtë përballje, sepse e vërteta është në anën tonë, dhe drejtësia do të vendoset, pavarësisht se sa do të vonohet ajo.

2 maji i vitit 1999 ishte i kobshëm për Studimen, ngase regjimi kriminal serb, me një operacion shtetëror ekzekutoi brutalisht shqiptarë të pafajshëm, shumë prej të cilëve u ekzekutuan nga afërsia dhe me gjakftohtësi.

Kudo që shkojmë në Kosovë, e në veçanti këtu në Studime, dëgjojmë rrëfime të nënave, të cilat na tregojnë të njëjtën gjë, mënyrën se si fëmijët ua morën nga prehri, mënyrën se si fëmijët ua ndanë nga duart.

Dhimbje e papërshkrueshme, por në të njëjtën kohë, motiv për gjithsecilin prej nesh, që kurrë mos të dorëzohemi në luftën tonë për drejtësi.

Prandaj, në këtë betejë kujtesa historike është arma jonë më e fuqishme. Ajo dëshmon për mizoritë e kryera në emër të tiranisë dhe shtypjes dhe na obligon t’i mbajmë përgjegjës autorët për krimet e tyre.

Duke e mbrojtur e ndarë të vërtetën, ne nderojmë kujtimin e atyre që kanë rënë, dhe sigurohemi që kjo e vërtetë të bartet ndër breza, në mënyrë që krime të tilla mos të përsëriten më kurrë.

Ne sot nderojmë edhe luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët e luftëtaret trima e trimëresha, të cilët qëndruan në vijën e parë të betejës për lirinë e popullit tonë. Ata qëndruan të palëkundur në angazhimin e tyre për kauzën e çlirimit, shumë nga të cilët dhanë jetën për idealin fisnik të lirisë.

Guximi, sakrifica dhe vendosmëria e tyre e palëkundur na shërbejnë si frymëzim për të gjithë ne, na kujtojnë se liria nuk dhurohet, por fitohet me luftë, me sakrificë dhe vendosmëri të palëkundur.

E megjithëse plagët e luftës dhe të ditës së kobshme në Studime nuk do të shërohen kurrë plotësisht, shpirti i banorëve këtu mbetet i pathyer.

Studimja tashmë është ringritur teksa banorët krahas me shpresën për drejtësi, shikojnë kah e ardhmja dhe e qojnë Kosovën përpara.

Pavarësisht dhimbjes së paimagjinueshme nëpër të cilën kanë kaluar qytetarët tanë, edhe Studimja edhe e gjithë Kosova, e mbajnë të freskët dhimbjen për më të dashurit, përderisa të gjithë bashkë punojmë për një Kosovë përherë të lirë e të zhvilluar.

Përherë do t’i kujtojmë martirët, nuk do t’i harrojmë asnjëherë sikurse do t’i kujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës.

Lavdi e qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes dhe të gjithë të rënët për liri!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.