Presidentja: Meja është vendi i të vërtetës sonë, është rrëfimi i trishtë për 376 fate njerëzore të këputura brutalisht, është Srebrenica e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Mejë dhe ka marrë pjesë në Tubimin Përkujtimor. Statusi i plotë i Presidentes: Mejë, Lëndina e Pikëllimit e dhimbjes që nuk shuhet kurrë. Meja është vendi i të vërtetës sonë, është rrëfimi i trishtë për 376 fate njerëzore të këputura brutalisht, është Srebrenica e Kosovës. Sot së bashku me familjarët, ndamë dhimbjen e madhe, e cila është dhimbje e gjithë Kosovës. Kosova nuk do të heqë dorë kurrë nga e vërteta dhe drejtësia! Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Mejës

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve me dhunë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr.Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të aktiviteteve për shënimin Ditës Kombëtare të të zhdukurve me dhunë, priti në takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të personave të pagjetur në krye me z. Bajram Qerkini, drejtor i Qendrës Burimore të Personave të Pagjetur, njëherësh koordinator i Këshillit Koordinues të Asociacioneve familjare të të pagjeturve të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se ndriçimi i fatit të të zhdukurve me dhunë është njëra ndër plagët më të rënda që ka Kosova edhe 25 vite pas luftës. Për fat të keq, Serbia akoma vazhdon të mbajë të mbyllura arkivat, përkundër marrëveshjes së Brukselit që e detyron atë t’i hapë ato. Presidentja Osmani riafirmoi angazhimin dhe përpjekjen e saj jo vetëm për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, por edhe për të vënë në vend drejtësinë.
Presidentja: Rreth 1600 të zhdukur me dhunë akoma na mungojnë, shumë prej tyre fëmijë që ua morën nënave nga djepi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë nderime tek Memoriali për të Pagjeturit. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Rreth 1600 te zhdukur me dhunë akoma na mungojnë. Shumë prej tyre fëmijë që ua morën nënave nga djepi. Serbia akoma fle mbi varreza masive e refuzon t’i hapë arkivat ku gjinden informatat për më të dashurit tanë. Por e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë sërish!
Presidentja: SPECT/CT/PET, pajisja mjekësore më e fundit tashmë është pjesë e QKUK-së, falë mbështetjes së Alwaleed Philanthropies Global nga Arabia Saudite

Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u mbajt ceremonia zyrtare e dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET në Klinikën e Mjekësisë Bërthamore, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Postimi i plotë i Presidentes: SPECT/CT/PET, pajisja mjekësore më e fundit tashmë është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, falë mbështetjes së Alwaleed Philanthropies Global nga Arabia Saudite. Qytetarët tanë tanimë do të mund të marrin kujdesin që u nevojitet pikërisht këtu në shtëpi, të rrethuar nga familja dhe të afërmit e tyre. Thellësisht mirënjohës Lartësisë së Tij Mbretërore Princit Alwaleed bin Talal Al Saud dhe Lartësisë së Saj Mbretërore Princeshës Lamia bint Majed Al Saud, udhëheqja vizionare e së cilëve ka transformuar jetë të panumërta në mbarë botën, përfshirë tani edhe në Kosovë.
Nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani, u mbajt ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të pajisjes moderne SPECT/CT/PET në Klinikën e Mjekësisë Bërthamore

Presidentja priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

Sot në mëngjes, Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed Philanthropies, cila udhëheq delegacionin e kësaj organizate që po viziton Kosovën. Alwaleed Philantropies janë në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës ku do të dorëzohet një donacion i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë në QKUK nga ana e Alwaleed Philanthropies. Presidentja Osmani ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës Alwaleed Philanthropies të udhëhequr nga Princi Alwaleed Bin Talal Al Saud, për këtë donacion që do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ka ofruar bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve të tjera që janë në interes të qytetarëve të Republikës.
Presidentja Osmani priti në takim anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Finlandës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim deputetë të Parlamentit të Finlandës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme, kryesuar nga Kryetari i Komitetit, Kimmo Kiljunen. Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Finlandë, rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe për zhvillimet e fundit. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Finlandës në çdo etapë të shtetit tonë. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka falënderuar deputetët finlandez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbështetjen e pakursyer për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, duke theksuar rëndësinë e këtij anëtarësimi për fuqizimin e të drejtave të njeriut për çdo qytetarë pa dallim, forcimin e demokracisë, si dhe sundimit të ligjit. Ndër të tjera, në takim u fol edhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit Kosovë-Finlandë, një synim i përbashkët i të dyja shteteve.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin gjerman, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde. Në takim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend. Presidentja Osmani, ndër të tjera theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili krijon mundësi të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Në këtë kontekst ka falënderuar ambasadorin Rohde për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e votimit në Asamblenë Parlamentare. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit, ndërmjet të dy shteteve. Presidentja Osmani, e cilësoi Gjermaninë si aleate strategjike dhe mbështetëse të fuqishme e Kosovës në rrugën euroatlantike.
Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në takim me delegacionin, Presidentja Osmani diskutoi për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani me diplomatët e Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani tha se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t`i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim. “Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova e ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe instrumente të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e komuniteteve, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç dëshmohet nga organizata të besueshme ndërkombëtare. Më tej, Presidentja Osmani, para diplomatëve foli edhe për angazhimin dhe përkushtimin për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe mbajtjen e edicionit të dytë të Forumit WPS, i cili e ka shndërruar Kosovën në një lider rajonal në përmbushjen e kësaj agjende. Në përputhje me aspiratat e Kosovës për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, Presidentja Osmani foli edhe për rritjen ekonomike, investimet direkte, si dhe potencialin dhe sukseset e rinisë kosovare në shumë fusha në paraqitjet ndërkombëtare. Duke folur për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut. Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.