...

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë,

E nderuar familje Kodra,

Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve,

Të nderuara shoqata të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot jemi mbledhur për të nderuar dhe kujtuar komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën operative të Drenicës, heroin e Kosovës Ilaz Kodra, sikurse edhe 315 dëshmorë e martirë të rënë më 30 prill 1999, në Drenicë.

25 vjet më parë fshatrat Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks e Gllobar, u ndodhën në egërsinë e regjimit gjenocial të Serbisë, në një ofensivë e cila kishte të vetmin qëllim, shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Banorëve të këtyre fshatrave në mbrojtje iu vu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me heroin Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim.

Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra, në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile dhe për mbrojtje të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, ra heroikisht në fushëbetejë së bashku me 42 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Heroi Ilaz Kodra ndoqi idealin e komandant Ademit, duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij, ndaj edhe u përjetësua.

Ilaz Kodra ëndrrën për liri e kishte farkëtuar qysh herët, sepse qysh në rininë e tij iu kishte rrekur aktivitetit patriotik për liri e për shtet.

Si një patriot i devotshëm ai u shndërrua në dorën e djathtë të komandantit Adem Jashari, ndaj bashkë me të dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe zhvilluan trajnime ushtarake në Shqipëri për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun.

Ilaz Kodra ashtu siç e nisi aktivitetin e tij patriotik edhe e përfundoi. Duke mbrojtur dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtarë. Kauza e tij ishte liria, ndaj ai ra për liri dhe për shtet.

Thuhet se luftëtari nuk kthehet në shtëpi, por përjetësohet për liri, edhe Ilazi nuk u kthye në shtëpinë e tij, por Kosova e lirë dhe e pavarur ishte dhe mbeti shtëpia e tij e përhershme, shtëpia për të cilën dha edhe jetën.

Heronjtë sikurse Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së që ranë në ato ditë dhe përgjatë tërë luftës sonë çlirimtare, janë më shumë sesa thjesht shtatore në bronz nëpërmjet të cilave i përkujtojmë. Ata janë kujtesa jonë e përhershme, janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë, janë krenaria jonë dhe janë frymëzimi e udhërrëfimi i çdo vepre tonë.

Ata na kujtojnë idealet më të larta të nderit, të detyrës dhe sakrificës, ndaj edhe na frymëzojnë çdo ditë për të ecur përpara.

Trimëria, sakrifica dhe përkushtimi i tyre i palëkundur për kauzën e çlirimit, janë ngulitur përgjithmonë në zemrat dhe mendjet tona dhe do të sigurohemi që ashtu të jetë edhe për brezat që do të vijnë pas nesh.

Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit shtetëror. Ata dëshmuan se edhe në kohërat më të errëta, triumfon drita. Ata dëshmuan se kundër tiranisë, triumfon gjithnjë guximi dhe vendosmëria për ta mbrojtur atdheun dhe lirinë.

Ata dëshmuan se lufta për liri ishte e drejtë e jona, ne mbrojtëm pragun e shtëpisë, mbrojtëm Kosovën, mbrojtëm dinjitetin e popullit tonë.

Ndaj sot falë Ilaz Kodrës dhe mbi 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së, ne jemi të lirë, jemi në shtëpinë tonë, jemi në Republikën tonë, shtet sovran e të pavarur.

Ata janë dëshmi e luftës sonë të drejtë dhe e riafirmimit të së vërtetës sonë, se në vitet e 90-ta Kosova ishte viktimë e agresionit serb, kurse Serbia ishte agresore.

Do ta themi dhe mbrojmë gjithnjë këtë të vërtetë, dhe do të punojmë fort që drejtësia të vihet në vend.

Heroi Ilaz Kodra dhe dëshmorët e tjerë të UÇK-së do të vazhdojnë të jenë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe frymëzues se si duhet dhe si mbrohet atdheu.

Trashëgiminë e tyre do ta ruajmë me krenari e vendosmëri, njësoj sikurse lirinë për të cilën ranë ata.

 

Lavdi të gjithë dëshmorëve të UÇK-së!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilaz Kodra, si dhe për të gjithë dëshmorët, martirët dhe ata që ranë për lirinë e Kosovës!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.