Presidentja Vjosa Osmani kujtoi Betejën e Çabratit

Beteja e Çabratit paraqet stoicizmin  e vajzave dhe djemve të Brigadës 137 “Gjakova”, të Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u vunë në mbrojtje të popullatës civile të Gjakovës nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Në këtë betejë ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK, ndërkaq forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht rreth 100 banorë dhe rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë. Vendosja e drejtësisë është angazhim i yni i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së dhe për të rënët për liri!

Presidentja Osmani në Samitin SHBA-Afrikë, pjesë e shënimit të 20 vjetorit të MCC-së përkrah zyrtarëve të lartë amerikanë dhe liderëve afrikanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë, gjatë vizitës zyrtare në Teksas të SHBA-ve, në eventin qëndror me rastin e 20- vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset e në të cilat SHBA-të kanë luajtur një rol vendimtar. Me pjesëmarrjen e Presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20 vjeçare të punës transformuese të MCC-së. Në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani ndër të tjera foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me SHBA-të, me ç’rast e potencoi në veçanti edhe bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në. Presidentja Osmani bëri një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së. Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar se: “SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”. Sipas Presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit. Në adresimin e saj, Presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas Presidentes Osmani, ka rezultate të jashtëzakonshme nga partneriteti me MCC-në, i cili ka ndihmuar që zhvillimi jo vetëm i këtij sektori, të shkojë në drejtimin e duhur. “Projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti ynë me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar se me pjesëmarrjen në këtë Samit, si dhe me ndihmën e MCC-së në vazhdimësi, janë krijuar mundësi  për t`i prezantuar të arriturat e Kosovës ndër vite, por edhe për të filluar partneritetin me shtetet afrikane.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Liberisë, Joseph Boakai

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Teksas të SHBA-ve, është takuar me Presidentin e Liberisë, Joseph Boakai. Në takim, Presidentja Osmani dhe Presidentin Boakai kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve. “Liberia ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën më 2008. Me Presidentin Joseph Boakai, diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona në fusha të interesit të përbashkët dhe në interes të popujve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani: Investimet e MCC-së në Kosovë janë investim për të ardhmen e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të kryeshefes ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albgriht mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të MCC-së, i organizuar në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në Dallas të Teksasit. Në tryezën ekzekutive në të cilën kanë marrë pjesë edhe Presidentët e Liberisë, Malawit e Cabo Verdes, si dhe me kryeministrat e Mauritanisë e Sierra Leones dhe të përfaqësuesve të shumtë të qeverisë amerikane u diskutua për bashkëpunimin në drejtim të adresimit të sfidave zhvillimore. Presidentja Osmani ka falënderuar znj.Albirght për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së për zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë në Kosovë. Sipas Presidentes Osmani, Kosova, nga një vend i shkatërruar nga lufta është shndërruar në demokraci të përparuar në rajon, me ekonomi në zhvillim dhe partnerë të besueshme. “Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, ka theksuar Presidentja Osmani. Projektet sikurse ky, për Presidenten Osmani janë konfirmim i raportit të veçantë të Kosovës me SHBA-të. “Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani ka potencuar se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve. “Programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani uron Ditën e Goranëve

Komuniteti goran është pjesë e çmueshme e diversitetit kulturor të Kosovës. Traditat dhe trashëgimia kulturore e komunitetit goran janë pasuri e Kosovës. Shumëetniciteti është gjithashtu vlerë e shoqërisë kosovare, ndaj do ta ruajmë këtë vlerë të çmueshme, sikurse do ta vazhdojmë mbështetjen institucionale për komunitetin goran. Urime Dita e Goranëve!

Presidentja Osmani kujton heroin Luan Haradinaj

27-vjet më parë, në një përballje stoike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, Luan Haradinaj bie heroikisht, pak para se të vijë liria, të cilën luftëtari i UÇK-së me bashkëluftatarë, e patën ideal dhe amanet nga brezat, ndaj dëshmuan përkushtim, sakrificë dhe guxim. Luani, sikurse edhe familja Haradinaj dhanë shumë për lirinë e Kosovës, duke u shndërruar në emblemë të lirisë sonë, ndaj do të jenë të nderuar përherë. Hero Luani, luftoi për lirinë e Kosovës dhe ra hero në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë përvjetor, përkulemi para veprës heroike të Luanit me bashkëluftëtarë të UÇK-së dhe nderojmë të gjithë dëshmorët tanë, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë. Qoftë i përhershëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë!

Presidentja Osmani kujton akademik Fehmi Aganin, në përvjetorin e vrasjes

Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi akademik Fehmi Aganin, mendjendriturin, vizionarin, filozofin dhe njeriun e devotshëm, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë. Forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 6 maj 1999 vranë mizorisht akademik Aganin, dorën e djathtë të Presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova. Ata nuk arritën ta vrasin idealin e tij jetësor, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit. Vizioni i përbashkuesit Agani do të na udhëheq përherë në rrugëtimin për forcimin e shtetit dhe synimin euroatlantik. Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm, ndërkaq kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm!

Presidentja Osmani ka udhëtuar zyrtarisht për në Teksas të SHBA-ve, merr pjesë në Samitin SHBA-Afrikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve. Gjatë vizitës në këtë shtet, Presidentja Osmani me ftesë të Qeverisë amerikane, respektivisht agjencisë qeveritare Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC, do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Afrikë, në kuadër të të cilit do të mbajë fjalim si dhe pritet të zhvillojë takime me homologë nga disa vende afrikane. Presidentja Osmani në Teksas do të zhvillojë takim edhe me krerët e shtetit të Teksasit, zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti, zyrtarë të lartë shtetëror të institucioneve amerikane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan. Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe pjesëmarrja dhe adresimi në ceremoninë për nder të 20-vjetorit të aktivitetit të MCC-së, me ç’rast Presidentja do të shpreh mirënjohje për kontributin të cilin e ka dhënë kjo organizatë për mbështetjen e Kosovës në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe sektorit të energjisë sikurse është rasti i Programit Kompakt në vlerë prej 236 milion dollarësh, lansimi i të cilit u bë ditë më parë. Tutje, Presidentja Osmani do të mirëpritet edhe nga Garda Kombëtare e Teksasit, ku do të takohet edhe me ushtarakë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë. Presidentja Osmani në agjendë do të ketë edhe një ligjëratë në World Affairs Council, në të cilin do të realizojë një bashkëbisedë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj ndër vite në drejtim të integrimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare. Në programin e vizitës së Presidentes Osmani në Teksas janë paraparë edhe vizita në disa qytete të Teksasit. Gjatë qëndrimit në Teksas, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga një delegacion i bizneseve i udhëhequr nga Oda Ekonomike Amerikane. Këto biznese do ta kenë një tryezë të përbashkët me bizneset amerikane për t`i shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit, por edhe takimet të tjera me zyrtarë amerikane në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Teksas do të takohet edhe me mërgatën shqiptare në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane.

Urimi i Presidentes Osmani për Pashkët Ortodokse

Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën. Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Shpresa, besimi dhe optimizmi për paqe, harmoni dhe shëndet e përcjellshin këtë festë në secilën familje të besimtarëve ortodoksë. Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodokse!

Deklaratë e Presidentes Osmani për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi. Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente. Lajmet e rreme minojnë demokracinë e paqen e në raste të caktuara edhe sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë nacionale, ndaj nevoja për t`iu kundërvënë atyre është më e madhe se kurrë dhe në funksion të mbrojtjes së të vërtetës. Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar.

This site is registered on wpml.org as a development site.