Presidentja vizitoi Gardën Kombëtare të Teksasit: Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, pikërisht në kohën e sulmit të agresionit nga Serbia vitin e kaluar. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: “Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”, është mesazhi që dëgjuam nga ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, pikërisht në kohën e sulmit të agresionit nga Serbia vitin e kaluar. Gra e burra nga ushtria amerikane për 25-vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës. Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje.

Presidentja në takime të ndara me kryetarë dhe udhëheqës të disa prej qyteteve të Teksasit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një sërë takimesh me kryetarë dhe udhëheqës të disa prej qyteteve të Teksasit. Postimi i plotë i Presidentes: Gjatë vizitës në Teksas jam pritur në takime të ndara nga kryetarë dhe udhëheqës të disa prej qyteteve të Teksasit, të cilat po kontribuojnë në imazhin jashtëzakonisht pozitiv që e gëzon ky shtet sot.  Në takime e diskutime të ndara me udhëheqës të: Dallasit, Lewisville, Fort Worth dhe Collin County në fokus ishte roli i jashtëzakonshëm i komunitetit shqiptar në këto qytete, si dhe fuqizimi i lidhjeve ekonomike në mes Kosovës dhe bizneseve që operojnë në këto vende.

Presidentja Osmani takoi Kongresmenin republikan Pete Sessions

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Kongresmenin republikan Pete Sessions. “Një takim produktiv me Kongresmenin republikan Pete Sessions, me të cilin pata mundësi të diskutoj për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në Teksas: Bizneset lidhin njerëzit dhe shtetet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në tryezën ekonomike të mbajtur në Dallas, me pjesëmarrjen e bizneseve nga Kosova dhe Teksasi. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Bizneset lidhin njerëzit dhe shtetet. Në tryezën ekonomike të mbajtur në Dallas, me pjesëmarrjen e bizneseve nga Kosova dhe Teksasi, i inkurajova që të bëjnë hapa konkret në dobi të shteteve, ekonomive dhe qytetarëve tanë. Potenciali ekziston, ndaj mezi pres ta shoh përparimin në këtë fushë.

Presidentja: Shqiptarët e Amerikës janë ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Teksas, ka takuar mërgatën tonë atje. Presidentja Osmani ka thënë se shqiptarët e Amerikës janë ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me SHBA-të. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Shqiptarët e Amerikës janë ura më e fuqishme e aleancës së Kosovës me SHBA-të. Kënaqësi t’i takoja në Teksas dhe t’i përgëzoj për të arriturat e tyre të jashtëzakonshme. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të Kosovës, avokatë të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare.

Presidentja Osmani kujton heroin Ilir Konushevci në 26- vjetorin e rënies

Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës. Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për  UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj. Besnikëria, ndershmëria, guximi dhe vendosmëria ishin virtytet e Ilirit, i cili ra për lirinë e popullit të tij. Falë atij dhe bashkëluftëtarëve, ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Mala!

Presidentja në World Affairs Council në Dallas: Kosova është sot storie suksesi e mbështetjes së SHBA-ve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pasur një diskutim përmbajtësor në World Affairs Council në Dallas. Postimi i plotë i Presidentes: Një diskutim përmbajtësor në World Affairs Council në Dallas mbi rrugëtimin e Kosovës dhe zhvillimet në vend në dritë të dinamikave sfiduese globale. Kosova është sot storie suksesi e mbështetjes së SHBA-ve, teksa Serbia me miqtë e saj po duan të godasin vlerat e etabluara nga mbështetja amerikane duke punuar kundrejt gjithçkaje që kanë bërë SHBA-të në rajonin tonë. Prandaj, angazhimi dhe mbështetja e vazhdueshme për garantimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, është garancë për siguri në tërë kontinentin evropian, por edhe në  SHBA, po ashtu.

Presidentja Osmani takoi presidentin e 43-të të SHBA-ve, George W.Bush

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, ka zhvilluar një takim me presidentin e 43-të, të SHBA-ve, George W. Bush, të cilin e ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për vendin tonë. Presidentja Osmani theksoi se Presidenti Bush ishte një mbështetës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, një mik dhe aleat i popullit të Kosovës, duke theksuar se në çdo kapitull të Republikës së Kosovës jeton trashëgimia e tij, e cila zanafillën e ka te paralajmërimi i Krishtlindjes i Presidentit George H.W. Bush, babai të tij. Gjatë takimit në Institutin Bush në Dallas, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për Presidentin Bush, për mbështetjen dhe solidaritetin e tij për Kosovën, duke potencuar rolin e rëndësishëm të lidershipit të tij në shpalljen e pavarësisë. “Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur”, është fraza paralajmëruese e pavarësisë së Kosovës e presidentit Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur. “Presidenti Bush ishte lajmëtari i pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është testament për vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë. Ndërkaq Presidenti Bush foli me respekt për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe rrugëtimit për shtetetndërtim, konsolidim dhe forcim të pozitës ndërkombëtare. Ai ripohoi miqësinë e tij të qëndrueshme me Kosovën, duke e shprehur besimin për një të ardhme edhe më prosperuese ku Kosova është e integruar në strukturat euroatlantike.          

Presidentja Osmani takoi guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është takuar me guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Kënaqësi që takova guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fushën e tregtisë, investimeve të jashtme, bujqësisë, teknologjisë informative, arsimit dhe fushave të tjera me interes të përbashkët. Teksasi është bërë shtëpi e dytë për bashkëatdhetarët tanë nga Kosova, duke ju ofruar perspektivë, kushte për jetë cilësore dhe biznes produktiv. E falënderoj guvernatorin për Vendimin që ma dorëzoi sot nëpërmjet të cilit nderohet dhe shënohet 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë sonë, në Teksas.

Presidentja Osmani kujton komandant Drinin (Ekrem Rexhën)

Komandant Drini ishte luftëtari i UÇK-së, i cili i mbeti besnik idealit të lirisë dhe shtetit deri në frymën e fundit. Liria ishte ëndrra e tij, e ai u vra para shtëpisë pak kohë pasi që Kosova u bë e lirë. Nuk e përjetoi gjatë lirinë, por e bëri atë të mundshme me shumë vajza e djem të UÇK-së, ndaj kujtimi dhe respekti për të dhe bashkëluftëtarët dëshmorë do të jetë i përhershëm. Pas vete la një trashëgimi të patriotit të dëshmuar dhe luftëtarit të paepur dhe i tillë do të mbetet në mendjet e secilit qytetar të Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për komandant Drinin!

This site is registered on wpml.org as a development site.