Presidentja Osmani takoi Anders Fogh Rasmussen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Mbretërinë e Danimarkës ku po merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci, është takuar me Anders Fogh Rasmussen. “E lumtur ta takoj Anders Fogh Rasmussen dhe ta falënderoj për ftesën ti bashkohem CDS2024 në Kopenhagë. Një diskutim i mirë mbi rëndësinë kritike të demokracive që qëndrojnë së bashku gjatë këtyre kohërave kyçe. Ne poashtu diskutuam edhe përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur demokracinë, duke mbështetur sundimin e ligjit dhe përkushtimin e saj të palëkundur ndaj institucioneve euroatlantike”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi dhe diskutimi i Presidentes Osmani në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serbe vranë e masakruan barbarisht 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan. Sikurse në çdo masakër kudo në Kosovë, synimi i forcave kriminale ishte shfarosja dhe spastrimit etnik i shqiptarëve. Në këtë përvjetor i kujtojmë me dhimbje martirët e këtyre fshatrave dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci. Në Samit, Presidentja Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të vendit tonë dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike. Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror. Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet.
Presidentja Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Korishës

25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb vranë 77 gra, burra, pleq, në mesin e cilëve 14 fëmijë nga fshatrat: Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan, Mushtisht dhe Grejkoc. Barbaria e regjimit kriminal u manifestua ndaj të gjithë shqiptarëve pa dallim moshe, ngase i vetmi qëllim ishte shfarosja. Plagët e mizorive sikurse kjo në Korishë, na sjellin në vëmendje çmimin e lartë të lirisë, ndaj angazhimi për drejtësi nuk do të ndalojë asnjëherë. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!
Presidentja Osmani u ndau mirënjohje nxënësve të shkollës “Imagine International Academy” që ndihmuan Kosovën me donacion për eliminimin e minave

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas ka takuar një grup nxënësish dhe mësimdhënësish nga “Imagine International Academy”, të cilët ndër vite kanë grumbulluar donacione për eliminimin e minave në Kosovë. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me organizatën HALO Trust, duke u fokusuar në heqjen e minave të vjetra tokësore në Kosovë. Në takim me ta, Presidentja Osmani i ka falënderuar për kontributin dhe në shenjë mirënjohjeje ua ka ndarë një mirënjohje.
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i qytetit Wylie, Mathew Porter

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas, ka takuar kryetarin e qytetit Wylie, Mathew Porter. Ndërkaq në një ceremoni të mbajtur Collin County, Presidentja Osmani para anëtarëve të Këshillit të Qytetit, nxënësve dhe mërgatës shqiptare ka mbajtur një fjalim për rëndësinë e raporteve të Kosovës më SHBA-të. Kryetari Porter në shenjë miqësie ia ka dhuruar Presidentes Osmani flamurin e Teksasit, ndërkaq Presidentja ia ka dhuruar atij flamurin e Kosovës. Në këtë ceremoni është përuruar pllaka me emrin e Nënë Terezës, propozim të cilin e ka bërë këshilltari i qytetit me preardhje nga Peja, Gino Mulliqi. Emrin e humanistes dhe shenjtores shqiptare do ta mbajë një nga rrugët në rajonin Collin County.
Presidentja Osmani takoi kryetarin e qytetit Lewisville, TJ Gilmore

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas, në takimin me mërgatën, ka takuar kryetarin e qytetit Lewisville, TJ Gilmore. Në fokus të diskutimeve me të ishin mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me qytetet e Kosovës, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në këtë qytet, të cilët aktivitetin e tyre e zhvillojnë në kuadër të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane.
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i qytetit të Dallasit, Eric Johnson

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Teksas ka takuar kryetarin e qytetit të Dallasit, Eric Johnson, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, tregtinë, investimet, inovacionin, binjakëzimin e qyteteve dhe fusha të tjera me interes të dyanshëm.
Presidentja Osmani takoi Kongresmenin republikan Keith Self

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Teksas takoi kongresmenin republikan Keith Self. “Gjatë vizitës në Teksas, pata kënaqësinë ta takoj edhe Kongresmenin republikan Keith Self, një zë i fuqishëm i mbrojtjes së aleancës mes Kosovës e SHBA-ve, si dhe mbështetës i vazhdueshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan”, ka shkruar Presidentja Osmani.