Presidentja Osmani pas takimit me Nënsekretaren amerikane, Liz Allen: Partneriteti ynë me SHBA-të, është dhe do të mbetet ekzistencial për çdo sukses dhe çdo arritje të Republikës sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Nënsekretaren amerikane të Shtetit për diplomaci dhe çështje publike, Liz Allen. Pas takimit, Presidentja Osmani dhe Nënsekretarja Allen kanë nënshkruar Marrëveshjen kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Partneriteti ynë me SHBA-të, është dhe do të mbetet ekzistencial për çdo sukses dhe çdo arritje të Republikës sonë. Bashkë me Nënsekretaren amerikane të Shtetit për diplomaci dhe çështje publike, Liz Allen, nënshkruam sot Marrëveshjen kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja – një dëshmi se jemi bashkë në luftimin e sfidave të reja globale.
Presidentja Osmani takoi Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në Sofje, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Falënderova Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, për mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në takimin e sotëm në Sofje, më shumë se 1 vit nga vizita ime zyrtare në Bullgari dhe disa muaj pas vizitës së tij zyrtare në Kosovë, diskutuam rezultatet e punës sonë të përbashkët, si dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Bullgari.
Diskutimi i plotë i Presidentes Osmani me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton, mbi rëndësinë e fuqizimit të grave për shoqëri e ekonomi më të zhvilluara
Zotëria i parë i Kosovës krahas Presidentes Osmani merr pjesë në aktivitetin e Clinton Global Initiative në Sofje

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka shoqëruar Shkëlqesinë e Saj, Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu në Clinton Global Initiative (CGI) në Sofje të Bullgarisë, ku mori pjesë si e ftuar speciale nga Sekretarja Hillary Clinton. Kjo ngjarje e rëndësishme ofroi një platformë për shkëmbime dhe diskutime të frytshme mbi çështjet kyçe globale, duke përfshirë përparimin e Kosovës dhe fuqizimin e grave. Gjatë pjesëmarrjes në disa aktivitete të CGI-së, Zotëria i Parë Sadriu pati nderin të takojë dhe bashkëbisedojë me zyrtarë të lartë pjesëmarrës në CGI, përfshi avokaten dhe publicisten e njohur Cherie Blair, njëherit bashkëshorte e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, me homologen nga Islanda, Zonjën e Parë, znj. Eliza Jean Reid, me drejtues të CGI-së, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë. Diskutimet u fokusuan në disa tema, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe iniciativat që synojnë avancimin e fuqizimit të grave. Zotëria i Parë Sadriu theksoi hapat pozitiv të Kosovës në fusha të ndryshme dhe nënvizoi rëndësinë e nxitjes së një mjedisi të favorshëm për fuqizimin e grave, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global. Pjesëmarrja e Zotërisë së Parë krahas Presidentes Osmani në Clinton Global Initiative ripohon përkushtimin e Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në skenën ndërkombëtare dhe për të kontribuar në diskutime kuptimplote për çështjet urgjente globale. Prania e Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë në CGI ilustron përkushtimin e Kosovës për zhvillim, përfshirje dhe bashkëpunim në adresimin e sfidave të kohës sonë.
Presidentja në një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton: Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pasur sot një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia. Në një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton sot, e falënderova atë personalisht, Presidentin Clinton dhe të gjithë popullin amerikan që na ndihmuan që sot t’i gëzojmë këto të drejta dhe po vazhdojnë të na ndihmojnë që shembulli e zëri i Kosovës të jehojnë anekënd botës.
Me ftesë të ish-Sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, Presidentja Osmani, e ftuar speciale në ngjarjen e Clinton Global Initiative në Bullgari

Me ftesë të ish-Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative. Në një bashkëbisedë në kuadër të ngjarjes kryesore, Presidentja Osmani dhe ish-Sekretarja e Shtetit Clinton do të flasin për rolin e grave në fuqizimin e ekonomive. Presidentja Osmani do të marrë pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarëve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile. Ndërkohë, në kuadër të vizitës njëditore, Presidentja Osmani pritet të takohet edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve nga anë e mbanë botës me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve konkrete për sfida globale.
Presidentja Osmani ka takuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves. Në këto takime është diskutuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe koordinimi për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Lidhur me këtë proces, Presidentja sot gjatë ditës ka biseduar edhe me ambasadorë të shteteve tjera aleate.
Presidentja Osmani në 25-vjetorin e zhdukjes së atdhetarit Ukshin Hoti: Intelektuali dhe veprimtari, i cili angazhimin për Republikë e pati kauzë jetësore

Prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e atdhetarit Ukshin Hoti mbetet në listat e personave të zhdukur me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Më 16 maj 1999, ai u lirua nga burgu i Dubravës, porse nga ajo ditë, fati i tij, njësoj sikurse edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë mbetet peng i politikave të vazhdueshme të Serbisë, e cila fle mbi varreza masive. “Ku është Ukshin Hoti?!”, ende tingëllon si thirrje për zbardhjen e fatit të intelektualit e veprimtarit, i cili angazhimin për Republikë e pati kauzë jetësore. Kosova tashmë është Republikë ndaj e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe për drejtësi. Jemi të përkushtuar që krahas me zbardhjen e fatit të tij, ta vendosim drejtësinë në mënyrë që historia të mos na përsëritet.
Presidentja Osmani u prit në takim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim në Pallatin Christiansborg nga Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen. Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është rikonfirmuar përkushtimi i ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve. Në takim me Kryeministren Frederiksen, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka diskutuar edhe për rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen unanime të deputetëve danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe për gatishmërinë e qeverisë së Danimarkës që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën deri në anëtarësim. Presidentja Osmani dhe Kryeministrja Frederiksen diskutuan edhe për presidencën daneze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, ku Presidentja shtroi nevojën që të ndërmerren hapa konkret sa i përket integrimit të Kosovës në BE, duke u bazuar në performancën dhe reformat e realizuara në vendin tonë. Presidentja Osmani po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e mbi 13 mijë ushtarëve danez për paqen dhe sigurinë në Kosovë që nga viti 1999, ndaj bëri nderime tek Monumenti Kombëtar i Kujtesës së Danimarkës, ku Presidentja u prit me nderime ushtarake.
Presidentja Osmani bisedoi me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Dje bisedova me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Theksova rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm.