Presidentja Osmani ka takuar Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur gjatë javës në takim, Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari Agim Aliu. Temë kryesore e takimit ishte nevoja për trajtim me urgjencë nga të gjitha institucionet i rasteve të dhunës mbi bazë gjinore, sidomos duke pasur parasysh rastet e fundit të vrasjeve të grave që ndodhën në disa komuna. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të komunave drejt ngritjes së masave të sigurisë nëpër Qendra për Punë Sociale, si dhe përkrahjes së qëndrueshme nëpërmjet mbështetjes financiare nga komunat për viktimat e dhunës mbi bazë gjinore. U diskutuan edhe një sërë masash të domosdoshme për të cilat kryetarët treguan gatishmërinë e plotë për bashkëpunim. Më tej, Presidentja ka theksuar se çështja e dhunës mbi bazë gjinore është trajtuar dhe trajtohet në vazhdimësi edhe në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, prej të cilit kanë dalë rekomandimet konkrete që u janë dërguar institucioneve përkatëse për veprim urgjent. Në takim është diskutuar për nevojat e komunave, projektet që kanë për qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal për projekte me interes qytetar. Presidentja Osmani dhe kryetarët e komunave, ndër të tjera kanë biseduar dhe për rëndësinë e heqjes së masave të BE-së, duke vënë në pah se qytetarët janë ata që më së shumti preken nga këto masa. Në këtë linjë, Presidentja Osmani bëri të ditur angazhimin e saj të vazhdueshëm që këto masa të hiqen sa më parë në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Në takim me Bordin e AKK-së, u diskutua edhe për investimet e nevojshme në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dy fusha prioritare si dhe për projekte të përbashkëta për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. Poashtu u diskutua edhe për promovimin e turizmit në komunat e Kosovës si dhe bashkëpunimin ndërmjet Zyres së Presidentes dhe komunave në realizimin e projekteve në këtë fushë, edhe me mbështetjen e Shqipërisë.

Presidentja Osmani priti një delegacion parlamentar nga Arabia Saudite

Presidentja e Republikës së Kosovës sot takoi një delegacion parlamentar nga Arabia Saudite, të cilët shërbejnë edhe në grupin e miqësisë Arabi Saudite-Kosovë. Gjatë takimit, Presidentja i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, sidomos në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por edhe mbështetjen në fusha të ndryshme për popullin e Kosovës. Delegacioni parlamentar ofruan mbështetjen e plotë të Arabisë Saudite përderisa u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e përpjekjeve për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe mbështetjen humanitare për projekte të ndryshme për kategoritë më në nevojë.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar lidhur me bashkërendimin e agjendës ndërkombëtare, çështje të sigurisë, duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe destabilitetin e krijuar nga Serbia, çështje që kanë të bëjnë me të drejta të komuniteteve jo shumicë, përpjekjet e përbashkëta për luftimin e dhunës mbi baza gjinore, si dhe një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët.

Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës në qytetin e Vushtrrisë

Më 22 maj 1999, regjimi gjenocidal i Serbisë tentoi t`i shfarosë banorët shqiptarë në rrugën “Abdullah Shabani”, në Vushtrri. Pasi që dëboi banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, 68 prej tyre, në mesin e të cilëve fëmijë e të moshuar, i mbajti peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave mizore i vranë. Banorë të tjerë, regjimi kriminal serb i tuboi në sallën e sportit dhe në burgun e Smrekonicës, ku pas torturave dhe plaçkitjes i dëboi dhunshëm për në Shqipëri. Gjurmët e krimit u përpoqën t`i fshehin, teksa trupat e shumicës së të vrarëve u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë. Drejtësia për viktimat e masakrës së Vushtrrisë, sikurse edhe për të gjitha viktimat e masakrave të tjera në gjithë Kosovën, është e domosdoshme dhe përkushtim i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Vushtrrisë dhe të gjithë të rënët për liri!

Presidentja Osmani kujtoi Masakrën e burgut të Dubravës

25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë. Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg. Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!

Presidentja Osmani takoi ambasadorë të shteteve evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorë të disa shteteve evropiane si dhe atë të EULEX-it, në krye me Ambasadorin e BE-së Thomas Szunyog, për të diskutuar koordinimin e agjendës ndërkombëtare, si dhe bashkërendimin me politikat e BE-së dhe me shtetet e tjera aleate për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurine dhe paqen globale. Tutje, Presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet. Në takim Ambasadorët prezent e njoftuan Presidenten edhe për përgatitjet që po bëhen për Samitin e Paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër.

Presidentja Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës së Stagovës

25-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit. Në këtë ofensivë barbare, forcat kriminale shkatërruan 90 shtëpi nga 180 sa kishte fshati atëkohë. Ende askush nuk është dënuar për këtë krim makabër, ndaj nuk do të ndalemi në angazhimin për vendosjen e drejtësisë dhe për të pasur kuptim liria jonë. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!

Presidentja Osmani priti në takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, si dhe të arriturat e vazhdueshme të Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Në temën e të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka kornizën ligjore më të avancuar në Evropë, e cila buron nga Kushtetuta e Republikës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e multietnicitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Me këtë rast, ajo ka potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si garancë shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend. Presidentja Osmani ka përsëritur se çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-ve dhe ka konfirmuar përkushtimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në këtë frymë.      

Presidentja Osmani priti në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al-Misnad. Katari ka qenë një mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës, ndaj Presidentja Osmani e ka falënderuar ministren Al- Misnad, si dhe lidershipin e Katarit në krye me Emirin Tamim bin Hamad bin Khalifa Al Thani. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vlerëson thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Katarit, veçanërisht në ndihmën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por edhe për ofrimin e ndihmave humanitare gjatë dhe pas luftës. Më tej, Presidentja Osmani  ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të raporteve me Katarin dhe në këtë kontekst ka përmendur fushën e mirëqenies sociale, mbështetjen për invalidët e luftës, sektorin e shëndetësisë, turizmin si dhe projekte të tjera investuese. Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse të familjes, duke përfshirë programet e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve dhe grave. Të dy bashkëbisedueset shtruan nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe eksplorimit të nismave të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë të dy shtetet.

This site is registered on wpml.org as a development site.