presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani ka takuar Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur gjatë javës në takim, Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari Agim Aliu.

Temë kryesore e takimit ishte nevoja për trajtim me urgjencë nga të gjitha institucionet i rasteve të dhunës mbi bazë gjinore, sidomos duke pasur parasysh rastet e fundit të vrasjeve të grave që ndodhën në disa komuna.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të komunave drejt ngritjes së masave të sigurisë nëpër Qendra për Punë Sociale, si dhe përkrahjes së qëndrueshme nëpërmjet mbështetjes financiare nga komunat për viktimat e dhunës mbi bazë gjinore. U diskutuan edhe një sërë masash të domosdoshme për të cilat kryetarët treguan gatishmërinë e plotë për bashkëpunim.

Më tej, Presidentja ka theksuar se çështja e dhunës mbi bazë gjinore është trajtuar dhe trajtohet në vazhdimësi edhe në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, prej të cilit kanë dalë rekomandimet konkrete që u janë dërguar institucioneve përkatëse për veprim urgjent.

Në takim është diskutuar për nevojat e komunave, projektet që kanë për qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal për projekte me interes qytetar.

Presidentja Osmani dhe kryetarët e komunave, ndër të tjera kanë biseduar dhe për rëndësinë e heqjes së masave të BE-së, duke vënë në pah se qytetarët janë ata që më së shumti preken nga këto masa. Në këtë linjë, Presidentja Osmani bëri të ditur angazhimin e saj të vazhdueshëm që këto masa të hiqen sa më parë në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e Kosovës.

Në takim me Bordin e AKK-së, u diskutua edhe për investimet e nevojshme në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dy fusha prioritare si dhe për projekte të përbashkëta për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Poashtu u diskutua edhe për promovimin e turizmit në komunat e Kosovës si dhe bashkëpunimin ndërmjet Zyres së Presidentes dhe komunave në realizimin e projekteve në këtë fushë, edhe me mbështetjen e Shqipërisë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.