Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Nicole Chulick, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Departamentit të Shtetit nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit, thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, si dhe të arriturat e vazhdueshme të Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Në temën e të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka kornizën ligjore më të avancuar në Evropë, e cila buron nga Kushtetuta e Republikës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e multietnicitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Me këtë rast, ajo ka potencuar rëndësinë që të përfundohet suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si garancë shtesë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit në vend.
Presidentja Osmani ka përsëritur se çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA-ve dhe ka konfirmuar përkushtimin për vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në këtë frymë.