Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka shoqëruar Shkëlqesinë e Saj, Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu në Clinton Global Initiative (CGI) në Sofje të Bullgarisë, ku mori pjesë si e ftuar speciale nga Sekretarja Hillary Clinton. Kjo ngjarje e rëndësishme ofroi një platformë për shkëmbime dhe diskutime të frytshme mbi çështjet kyçe globale, duke përfshirë përparimin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.
Gjatë pjesëmarrjes në disa aktivitete të CGI-së, Zotëria i Parë Sadriu pati nderin të takojë dhe bashkëbisedojë me zyrtarë të lartë pjesëmarrës në CGI, përfshi avokaten dhe publicisten e njohur Cherie Blair, njëherit bashkëshorte e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, me homologen nga Islanda, Zonjën e Parë, znj. Eliza Jean Reid, me drejtues të CGI-së, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë.
Diskutimet u fokusuan në disa tema, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kosovë dhe iniciativat që synojnë avancimin e fuqizimit të grave. Zotëria i Parë Sadriu theksoi hapat pozitiv të Kosovës në fusha të ndryshme dhe nënvizoi rëndësinë e nxitjes së një mjedisi të favorshëm për fuqizimin e grave, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global.
Pjesëmarrja e Zotërisë së Parë krahas Presidentes Osmani në Clinton Global Initiative ripohon përkushtimin e Kosovës për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në skenën ndërkombëtare dhe për të kontribuar në diskutime kuptimplote për çështjet urgjente globale. Prania e Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë në CGI ilustron përkushtimin e Kosovës për zhvillim, përfshirje dhe bashkëpunim në adresimin e sfidave të kohës sonë.