Fjalimi i Presidentes Osmani në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 61-të, të Policisë së Kosovës

I nderuar kryeministër Kurti, I nderuar ministër Sveçla, I nderuar drejtor Hoxha, Të nderuar staf drejtues të Policisë së Kosovës dhe staf akademik të Sigurisë Publike, Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës, Të dashur kadetë të gjeneratës së 61-të Të dashura familje të kadetëve, Të nderuar të pranishëm, Krenaria sot është e jashtëzakonshme, sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë, edhe 462 djem e vajza që do t’i dalin zot atdheut tonë. Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme. Ndërkaq, këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe e lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë. Kjo përkufizon më së miri rolin e Policisë së Kosovës, një institucion që nuk është vetëm zbatues i ligjit, por është mbrojtëse dhe garantuese e lirisë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, pa dallim. Prandaj, ky është një moment i jashtëzakonshëm për vajzat dhe djemtë që prej sot bëhen pjesë e njërës nga institucionet më të rëndësishme, më të respektuara dhe më të besueshme të Republikës sonë. Policia është shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë dhe sigurisë së secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë. Me diplomimin e gjeneratës së 61-të, ky institucion fuqizohet edhe më shumë, duke u pasuruar me një brez të ri, që sjell më shumë energji, përkushtim dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë ndaj atdheut. Me 462 policë të rinj, në mesin e të cilëve edhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, e po ashtu edhe 56 vajza e gra po fuqizohet përfaqësimi në Polici si një vlerë kyçe për një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. E përmenda që në këtë grup janë edhe 56 vajza e gra, por më lejoni ta them na duhen edhe më shumë vajza e gra në Policinë tonë. Mbetet një nevojë e vazhdueshme që t’i fuqizojmë ato në funksion të sigurisë publike të të gjithë qytetarëve tanë. Policia e Kosovës është simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe besimit të qytetarëve. Policia jonë është për ne në çdo ditë dhe në çdo orë të ditës e të natës, në festa dhe në ditët më të vështira. Ata janë në detyrë edhe kur ne festojmë, edhe kur ne pushojmë. Ata kujdesen për sigurinë tonë kur ne gëzojmë jetën tonë të përditshme, por edhe në situatat tona më të rënda. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre janë të pashoq dhe për këtë respekti dhe mirënjohja jonë për ta duhet të jenë maksimale. Policia janë themeli i rendit kushtetues dhe një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë. Ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke përmbushur një detyrë që buron nga Kushtetuta dhe është jetike për ekzistencën e shtetit tonë. Disa policë tanë, tashmë janë heronj, sepse kanë rënë në krye të detyrës me guxim dhe dinjitet për ta mbrojtur sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. Ata janë shembulli i trimërisë dhe përkushtimit ndaj një misioni që shkon përtej detyrës, duke mishëruar më së miri idealin e shërbimit publik. Sot, prandaj i përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut. I përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit. I përkulemi heroizmit të të gjithë policëve, të cilët ranë në detyrë për ta mbrojtur atdheun tonë të shtrenjtë. Prandaj, mirënjohja dhe respekti për Policinë e Kosovës nuk janë vetëm detyrë morale, por edhe nderim për rolin e tyre vendimtar në mbrojtjen e vendit tonë dhe të ardhmes së tij. Rendi, paqja dhe siguria nuk janë të mirëqena. Ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’i ruajtur. Në një botë të trazuar dhe të mbushur me sfida të paparashikueshme është detyra e jonë e përbashkët që të jemi vigjilentë dhe të gatshëm në çdo kohë për t’iu bërë roje atdheut tonë Të nderuar policë, Ju keni kaluar muaj të tërë të trajnimeve intensive, duke sfiduar veten jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Në rrugëtimin që po nisni sot, do të përballeni me sfida të mëdha. Por besoj fuqishëm se ju jeni të përgatitur për të qenë shembull i integritetit dhe i profesionalizmit. Kosova sot është një shtet që aspiron integrimin euro-atlantik, ndaj Policia e Kosovës është një nga shembujt më të ndritur të angazhimit tonë për të ndërtuar institucione që reflektojnë standardet më të larta ndërkombëtare. Ju jeni ata që do ta mbani lart këtë standard dhe do ta përfaqësoni shtetin tonë me krenari. Në këtë ditë, një falënderim nga zemra shkon edhe për familjet tuaja. Për ata që ju kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim, mbi të gjitha, për prindërit tuaj, por edhe të gjithë anëtarët e familjeve! Respekt për familjet që ju kanë mbështetur dhe që edhe sot janë këtu duke ndarë këtë moment krenarie bashkë me ju dhe bashkë me të gjithë ne! Falënderimet tona shkojnë edhe për të gjithë ata që punuan për përgatitjen tuaj, për instruktorët dhe udhëheqësit që ju përgatitën për misionin tuaj të ri. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohje të thellë për vendimin tuaj të guximshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe shtetit tonë. Besoj në gatishmërinë dhe përkushtimin tuaj për ta ruajtur dhe forcuar sigurinë në Kosovë. Ju uroj suksese në këtë rrugëtim fisnik dhe ju siguroj se puna juaj do të vlerësohet dhe respektohet gjithmonë! Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Policinë e Kosovës! Ju faleminderit! 

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ruajtur stabilitetin dhe për të çuar përpara reformat demokratike. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e delegacionit presidencial të Kosovës në aktivitetet inauguruese të Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. Me këtë rast, Presidentja Osmani edhe njëherë konfirmoi angazhimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar thellimin e partneritetit me administratën e re amerikane, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe interesat strategjike.

Presidentja Osmani me mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako

Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetares ukrainase Olha Pridako, e cila jetonte në Prishtinë prej dy vitesh. Olha ishte një zë i guximshëm i gazetarisë dhe një dëshmi e forcës dhe qëndresës në rrethana të vështira. Prania e saj në Kosovë së bashku me djalin e saj Yaroslavin, ishte një shembull i shpirtit human dhe vlerës së lirisë, e cila i lidhë popujt tanë. Në këto çaste të rënda për familjen, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, veçanërisht për djalin Yaroslavin, koleget e saj që ndodhen në Prishtinë, dhe për të gjithë ata që e njohën! Kujtimi për Olhën do të mbetet gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona!

Delegacioni Presidencial takohet me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof

Dje, gjatë vizitës në Washington D.C., Shefja e Stafit të Presidentes, Learta Hollaj, dhe Këshilltarja për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof. Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-SHBA i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces, e poashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët. Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Nga ana e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Kasanof, u theksua rëndësia e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa nga Presidenca u ritheksua nevoja që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke.

Presidentja Osmani: Dje në Presidencë organizuam edhe Ekspozitën retrospektive të fotografit të njohur Hazir Reka, me fotografi të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dje në Presidencë organizuam edhe Ekspozitën retrospektive të fotografit të njohur Hazir Reka, me fotografi të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Dje në Presidencë organizuam edhe Ekspozitën retrospektive të fotografit të njohur Hazir Reka, me fotografi të Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Kjo ekspozitë sjellë një rrugëtim të paharrueshëm nga vitet ’80 deri në shkuarjen në amshim të Presidentit historik. Përmes imazheve familjare dhe momenteve kyçe të angazhimit të tij politik, kjo ekspozitë ndriçon jetën dhe vizionin e liderit që udhëhoqi Kosovën drejt lirisë e pavarësisë me urtësi, durim dhe përkushtim. Një homazh i denjë në përvjetorin e tij, që rikujton rolin e tij të pazëvendësueshëm në historinë e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani priti në takim deputetin e Bundestagut, z. Volkmar Klein

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim deputetin e Bundestagut, z. Volkmar Klein. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus në fuqizimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për z. Klein, duke e falënderuar për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën. Në takim u riafirmua rëndësia e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe vullneti i përbashkët për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Delegacioni presidencial merr pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e inaugurimit të Presidentit të 47-të, të SHBA-ve, Donald Trump

Një delegacion presidencial, i përbërë nga Learta Hollaj, Shefe e Stafit të Presidentes, dhe Rejhan Vuniqi, Këshilltare për Politikë të Jashtme, të shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara për nder të inaugurimit të Presidentit të 47-të, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Gjatë këtyre ditëve, ata kanë marrë pjesë në: Ceremoninë e betimit të Presidentit Trump në Capitol Hill, Tubimin e mbajtur para ceremonisë së betimit në Capital One Arena, Ballon e Komandantit Suprem; Ballon Presidenciale “The Liberty Ball”, Ballon “Black Tie and Boots”, të organizuar nga Texas State Society, Midwest Galla, pritjen e organizuar nga Dr. Miriam Adelson, Tilman Fertitta, Sylvie Legere & Todd Ricketts e Mark Zuckerberg, si dhe në Shërbesën e Lutjeve Kombëtare në Washington National Cathedral. Me këtë rast, ata kanë pasur mundësinë të takohen me një sërë zyrtarësh të lartë, senatorë dhe kongresistë, si dhe këshilltarë dhe persona me ndikim nga bota e biznesit dhe sfera të tjera të interesit. Gjatë këtyre aktiviteteve, ata kanë pasur mundësinë të bisedojnë me: Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Mike Johnson; të nominuarin e Presidentit Trump për Drejtor të CIA-s, John Ratcliffe; Kongresistin dhe Kryesuesin e nënkomitetit për Evropë në Komitetin për Politika të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Keith Self; Kongresistin Chip Roy; Kongresistin Ronny Jackson; Senatorin John Cornyn, Kongresistin Ted Cruz; Guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott; Guvernatoren e Iowa, Kim Reynolds; Ambasodorin e nominuar të Presidentit Trump në NATO, Matt Whitaker; Zëvendës Guvernatorin e Teksasit, Dan Patrick; Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton; ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg; Senatoren e Teksasit, Angela Paxton; Këshilltarin lokal, Gino Mulliqi; dhe ish-Kongresistin Jack Fields, si dhe përfaqësues të shumtë të mërgatës. Në të gjitha këto takime, janë përcjellë urimet më të mira për Presidentin Trump dhe administratën e re në emër të Presidentes Osmani dhe qytetarëve të Kosovës, duke konfirmuar angazhimin e Republikës së Kosovës për avancimin e mëtejshëm dhe të vazhdueshëm të raporteve bilaterale. Në bisedat me zyrtarët amerikanë është theksuar gjithashtu rëndësia e vizitave të ndërsjella, si dhe rëndësia e bashkëpunimit me qëllim të avancimit dhe ruajtjes së sigurisë në rajon dhe përtej.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore në nderim të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova

Shumë e dashur Familje Rugova, E nderuara zonja Fanë,  fëmijë, mbesa e nipa të Presidentit, Shumë i nderuar President Sejdiu, Të nderuar ambasadorë të shteteve mike, Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, Bashkëpunëtorë të Presidentit Historik, Të dashur fëmijë nga vendlindja e Presidentit Rugova që sapo e interpretuat himnin e Republikës sonë, Të dashur qytetarë, Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, jemi mbledhur për ta kujtuar jetën dhe veprën e tij, për të reflektuar mbi rrugën që ai na trasoi dhe për ta nderuar kujtimin e njërës prej figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare. Presidenti Rugova ishte një politikan vizionar, një filozof e mendimtar i thellë dhe një lider që i dha politikës kosovare dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human, por edhe dimensionin kulturor, të pashembullt në historinë tonë moderne. Studenti i Parisit dhe dishepulli i Roland Barthes, e ndërtoi angazhimin e tij mbi themelet e dijes, mbi kulturën politike dhe mbi vlerat e demokracisë. Si studiues i pasionuar i Pjetër Bogdanit, ai e kuptoi thellësisht nevojën për një vizion të qartë kombëtar dhe një identitet të qartë politik. Arkitekti i pavarësisë e pa Kosovën jo vetëm si një projekt politik, por si një amanet historik, si një aspiratë të natyrshme të një populli që vuante e luftonte për liri. Në vitet më të vështira të historisë sonë, Rugova mbeti i palëkundur në rrugën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi një lëvizje paqësore të rezistencës, të bazuar në dialog, në urtësi dhe në besim se demokracia dhe vlerat perëndimore do të triumfonin mbi dhunën e regjimit gjenocidal të Millosheviqit dhe do të triumfonin mbi padrejtësitë shekullore ndaj popullit tonë. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi edhe organizimin e celulave të para të rezistencës së armatosur, duke qenë i qartë se populli i Kosovës me çdo kusht do ta mbronte pragun e shtëpisë. Ishte ai që e vendosi Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, që krijoi miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet evropiane dhe vendet demokratike anekënd botës, duke i dhënë çështjes sonë një legjitimitet të padiskutueshëm ndërkombëtar. Politikbërja e Rugovës ishte një strategji e guximshme dhe e rrallë në historinë e kësaj pjese të botës. Ai besonte se forca më e madhe e një kombi ishte vullneti i tij për liri dhe drejtësi dhe se nuk ka forcë që mund të triumfojë kundër vullnetit të një populli për të jetuar i lirë. Me këtë qasje, ai e vendosi Kosovën në hartën e ndërgjegjes demokratike botërore dhe e bëri çështjen tonë kombëtare një shembull të rezistencës, të krahasuar me lëvizjet më të mëdha për të drejtat e njeriut në shekullin XX. Filozofia e tij e qëndresës frymëzoi jo vetëm shqiptarët, por edhe diplomacinë perëndimore, e cila e pa në Rugovën një njeri të urtë, të matur e mbi të gjitha, një burrështetas të denjë e këmbëngulës për të drejtën e popullit të tij. Edhe në momentet më të vështira, ai ruajti dinjitetin e tij dhe respektoi edhe ata që nuk ndanin të njëjtin vizion me të. Në një mjedis politik shpesh të ashpër, Rugova ishte një kundërshtar i papërshtatshëm për ata që besonin në rrugë të tjera, e sidomos për ata që besonin në rrugën e urrejtjes. Ai u përball me sfida të mëdha, me pengesa dhe madje edhe me kërcënime të vazhdueshme për jetën, por kurrë nuk hoqi dorë nga rruga e tij. Rugovizmi, si filozofi dhe vizion, nuk është thjesht një strategji politike. Ai mishëron qasjen paqësore, por këmbëngulëse dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, mbi bazën e kulturës, historisë dhe vlerave tona kombëtare. Rugovizmi është një ideal që tejkalon ndasitë, një frymë që bashkon për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Personalitetin e tij më së miri e përmbledh me pak fjalë frati françeskan At Zef Pllumi kur thotë se ai, edhe pse “U sha e u luftue …. ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”. Rugova nuk e pa kurrë politikën si një mjet për përfitime personale, por si një mision, një mision  për t’i shërbyer popullit të tij dhe për ta përçuar e mbrojtur me çdo kusht të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Këtë e bëri duke ndërtuar edhe miqësi të bazuara në vlera e në besim të cilat edhe sot i shërbejnë interesave të Republikës sonë e popullit tonë. Në kohën kur lëvizjet politike shpesh lëkundeshin nga rrethanat, Rugova mbeti një udhëheqës konsistent, një njeri i parimeve të palëkundura. Ai asnjëherë nuk bëri kompromis me ëndrrën për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. E la këtë botë me një Kosovë që ende po punonte e luftonte për pavarësi, por me rrugën e saj tashmë të qartë  e të trasuar nga presidenti historik, një rrugë e pakthyeshme drejt shtetësisë së plotë e të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, sot ne nuk përkujtojmë vetëm një njeri politikan. Ne sot kujtojmë një epokë. Një epokë të një udhëheqjeje të mençur, një epokë të një vizioni që sot është bërë realitet. Një epokë që trasoi edhe rrugën tonë përpara edhe rrugën e brezave që do të vijnë pas nesh. Në këtë ditë përkujtimore, le ta nderojmë jo vetëm atë që bëri Presidenti Rugova, por edhe për trashëgiminë që na la pas. Ai nuk ishte vetëm Presidenti i parë i Kosovës; ai ishte dhe mbetet frymëzimi ynë i përditshëm për një shtet modern, demokratik dhe të orientuar në vlerat euro-atlantike. Le të ndjekim pra, rrugën e tij të mençurisë, të ndjekim rrugën e tij të urtësisë dhe të përkushtimit ndaj atdheut, sepse më i madhi nderim që mund t’i bëjmë Rugovës është të vazhdojmë ta bëjmë Kosovën ashtu siç ai e ëndërroi dhe punoi pareshtur: një vend sovran e të zhvilluar, demokratik dhe të integruar në familjen euro-atlantike dhe në miqësi të

Presidentja Osmani: Kujtimi për presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori, por busulla jonë nacionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij. Presidentja Osmani ka shkruar: Kujtimi për presidentin historik, dr.Ibrahim Rugova, nuk është vetëm histori, por busulla jonë nacionale. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, vizitova familjen e tij, në të cilën edhe më shumë e kuptojmë madhështinë dhe urtësinë me të cilën ai ndërtoi vizionin që na frymëzoi ne dhe do t’i frymëzojë brezat që vijnë për dashurinë e pakusht ndaj Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.