Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Presidentja Osmani ka thënë se sot, sikurse çdo vit, përkujtojmë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dedikohet përkujtimit tonë të përbashkët në këtë kohë lirie për secilin dëshmor, për secilin hero, për secilin martir që ka dhënë jetën për Kosovë, por mbi të gjitha, i kushtohet sakrificës, guximit dhe trimërisë së pashoq, të treguar nga familja Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht duke i shndërruar Kullat e Jasharëve, në simbol të një kalaje të lirisë, e cila edhe sot e mbron Kosovën, e mbron lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj”, ka thënë Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, nga këtu, jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe brezat e rinj, edhe fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara.
“Nga këtu, jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe brezat e rinj, edhe fëmijët tanë inspirohen për rrugën përpara, për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e me gjak, por mbi të gjitha, na përkujtohet secilit se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë, sepse përveç komandantit legjendar, i cili luftoi së bashku me babanë e tij, Shabanin, vëllain, Hamzën dhe me shumë anëtarë të familjes, siç e dini, shumica dërmuese të rënëve nga familja Jashari ishin gra dhe fëmijë që e bën edhe shumë më të madhe dhe më të shenjtë këtë sakrificë të familjes Jashari”, ka theksuar Presidentja.
Presidentja ka thënë se asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar, nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve e martirëve.
“Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar, nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve e martirëve dhe gjithnjë kjo rrugë dhe kjo sakrificë do të shërbejë për secilin prej nesh si dritë udhërrëfyese në forcimin e Kosovës, e cila çdo ditë po bëhet më e fortë dhe më prosperuese për qytetarët e saj. Lavdi të gjithë heronjve të kombit!Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika e Kosovës, për të cilën ata e dhanë jetën!”, ka thënë Presidentja Osmani.