DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Ceremoninë e Rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së

Shumë i nderuar Baca Rifat Jashari,

E nderuar familje Jashari,

I nderuar Kryetar i Kuvendit, zoti Konjufca,

I nderuar Kryeministër i Republikës, zoti Kurti,

I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci,

Përfaqësues të Qeverisë e të Kuvendit,

Të nderuar oficerë, nënoficerë e ushtarë të FSK-së,

Familje të heronjve, të dëshmorëve e të martirëve të lirisë, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar diplomatë e ushtarakë nga vendet mike,

Shumë të dashur fëmijë,

Të nderuar të pranishëm,

 Marsi në Kosovë nuk është thjesht një muaj në kalendar, por një kujtesë e përhershme e sakrificës, e heroizmit dhe e vendosmërisë së popullit tonë për liri.

Në këtë muaj kujtojmë epopenë e lavdishme të luftës së UÇK-së, përkulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, kujtojmë martirët e rënë në masakra dhe nderojmë heronjtë që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë.

Në këtë ditë të shenjtë jemi mbledhur në një vend me simbolikë të jashtëzakonshme, në kazermën “Adem Jashari”, aty ku ruhen dhe vazhdojnë të jetojnë vlerat për të cilat ranë dëshmorët tanë.

Ky është vendi ku trashëgimia e komandantit legjendar Adem Jashari nuk është thjesht vetëm një kujtim, por është frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, të ushtrisë sonë dhe për gjithë kombin.

Prandaj, sot kujtojmë me krenari komandantin legjendar, Adem Jashari, familjen e tij heroike dhe të gjithë luftëtarët që i dolën zot atdheut, duke e paguar lirinë me jetën e tyre.

Heroi Shaban Jashari, të cilin e dekorova ditë më parë me Urdhrin Hero i Kosovës dhe e gjithë familja Jashari, e cila në mënyrë të veçantë u dekorua me Urdhrin e Lirisë ishin shembulli më i mirë se si duhet vendi e si duhet liria.

Hamëz Jashari, bashkë me Adem Jasharin dhe gjithë familjen e tyre qëndruan të palëkundur në luftë, duke dëshmuar se nuk ka sakrificë më të madhe sesa flijimi për të ardhmen e flijimi për atdheun.

Në ato tri ditë të marsit nga 5 deri më 7 mars të ‘98-s, në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të historisë së kombit shqiptar.

Dëshmorë, përveç burrave, u bënë edhe fëmijët, gratë e pleqtë, sepse Prekazi nuk ishte vetëm një fshat. Prekazi ishte një kështjellë e lirisë, ishte një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë dhe i tillë mbetet edhe sot.

Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë i sakrificës dhe heroizmit të pashoq.

Në historinë e njerëzimit, rrallëherë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar dhe motiv për mijëra luftëtarë e luftëtare të UÇK-së.

Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit të ’98-s, Jasharët nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë.

Në kohët më të errëta ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha ata gjetën forcën për të ecur përpara.

Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e shpirti i këtij vendi.

Epopeja e UÇK-së prandaj është një testament i përjetshëm i qëndresës, sakrificës dhe i pathyeshmërisë së popullit tonë.

Kjo epope, përveçse një betejë, ishte një thirrje e ndërgjegjes kombëtare që u dëgjua nga zemrat e miliona shqiptarëve kudo.

Ajo ishte një kushtrim i lirisë që u përhap nga Prekazi në çdo cep të Kosovës, nga malet e Pashtrikut te fushat e Dukagjinit, nga Drenica heroike tek Anamorava krenare, nga Mitrovica e Isa Boletinit, te çdo tokë ku jetojnë shqiptarët.

Në ato ditë të marsit 1998, kur flaka mbuloi Prekazin, kur shtëpia e Jasharëve u bë kala e lirisë, u vra një familje, por lindi një epokë e re për Kosovën – Epoka më e lavdishme e historisë sonë.

Epopeja, pra, prodhoi një epokë, e cila derivoi nga betimi i dhënë për Kosovën e lirë e të pavarur.

Por, liria nuk përmbyllet me betejat tona, sepse ajo kërkon përkushtim të përditshëm për ta mirëmbajtur, kërkon sakrificë të vazhdueshme për ta mbrojtur shtetin tonë të fortë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë e për brezin e ri të Jasharëve.

Këtë kujdes sot mbi vete e mban ushtria e Kosovës, trashëgimtarja e UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo ushtri me profesionalizëm e përkushtim është gjithmonë e gatshme t’i dalë zot vendit.

FSK-ja, ashtu sikurse edhe Policia e Kosovës, janë garanci për sovranitetin tonë, një mburojë për paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë dhe një dëshmi se sakrifica e dëshmorëve të kombit nuk ka qenë e kotë.

Me ushtarët tanë të trajnuar në standardet më të larta, të gatshëm për të mbrojtur atdheun në çdo rrethanë, ne dëshmojmë se Kosova jo vetëm që di ta ruajë paqen, por edhe ta mbrojë atë me dinjitet e krenari.

Epopeja e UÇK-së na mësoi se asgjë nuk është e pamundur kur kemi guximin të qëndrojmë të bashkuar për idealin e lirisë.

Prandaj, sot më shumë se kurrë ne duhet sërish të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kosovën tonë, për ta bërë atë më të fortë, më dinjitoze dhe më të respektuar në botë.

Le të ecim përpara me besim, guxim dhe krenari, duke i treguar botës se Kosova është dhe do të mbetet një histori suksesi, një vend që e ka fituar të ardhmen me sakrificë e me përkushtim të madh, me dinjitet dhe me unitet!

Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari!

Lavdi të gjithë dëshmorëve, martirëve!

Zoti e bekoftë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.