Presidentja Osmani kujton 26-vjetorin e masakrës në Tregun e Mitrovicës

Sot, 26 vite më pas, kujtojmë me dhimbje shtatë jetët e pafajshme që u shuan tragjikisht në masakrën e tregut të Mitrovicës, ku dora kriminale e regjimit gjenocidal serb synoi që me granata ta thyejë shpirtin e një populli që luftonte për liri. Në mesin e viktimave kishte fëmijë e gra, njerëz të pafajshëm që, në vend të paqes, u përballën me brutalitetin. 128 qytetarë atë ditë mbeten të plagosur, ndaj dhimbja u gdhend përjetësisht në trupat e tyre dhe në zemrat tona. Ishte një sulm i pamëshirshëm, një akt barbar që kishte për synim të mbillte frikë, por në vend të saj, mbolli forcë dhe vendosmëri. Mitrovica nuk u thye. Kosova nuk u gjunjëzua. Sot përkulemi me nderim përpara atyre që humbën jetën, përpara plagëve të një qyteti që u bë simbol i rezistencës. Në këtë përvjetor, e përsërisim zotimin tonë: ne do të kujtojmë, ne kërkojmë drejtësi dhe ne ecim përpara. Lavdi viktimave të masakrës së tregut të Mitrovicës! Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues nga institucione dhe organizata që merren me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës për të diskutuar themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësues nga institucione dhe disa organizata të angazhuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në takim u diskutua për përgatitjet e Zyrës së Presidentes lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale, që buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës. Të pranishmit përsëritën kërkesën për miratimin e Projektligjit për Persona të Zhdukur, në mënyrë që nevojat e familjarëve të të zhdukurve të adresohen. Njëherit, konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Presidentes për themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit Presidencial. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e të pranishmëve në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, dhe riafirmoi përkrahjen e saj në këtë proces të rëndësishëm.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Irlandës, Ragnar Almqvist

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Irlandës në Kosovë, z. Ragnar Almqvist, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare. Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Irlandën, si një vend me vlera të përbashkëta demokratike dhe një aleat i çmuar i Kosovës. Ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se heqja e tyre do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar tutje në vlerat dhe vizionin e përbashkët të BE-së. Gjithashtu, Presidentja dhe Ambasadori Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces.

Presidentja: Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment vendimtar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC). Presidentja Osmani ka shkruar: Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment vendimtar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC). Patëm një diskutim përmbajtësor rreth zhvillimeve në Kosovë e rajon dhe riafirmova përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimit me NATO-n. Forcat e NATO-s kanë rol të rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë, prandaj si partnere serioze e kredibile, Kosova do të vazhdojë të kontribuojë për paqen e stabilitetin afatgjatë.

Presidentja Osmani: Pranvera studentore e vitit 1981 nuk ishte një valë protestash, por kthesë historike që i dha hov lëvizjes për liri dhe pavarësi

Kosova Republikë! Kjo ishte thirrja që ushtoi në rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera më 1981, kur studentët u ngritën si zëri i një populli të shtypur. Pranvera Studentore nuk ishte thjesht një valë protestash, por një kthesë historike që i dha hov lëvizjes për liri dhe pavarësi. Demonstratat e marsit dhe prillit nuk ishin vetëm kërkesa për kushte më të mira, por një thirrje e fuqishme për dinjitet dhe të drejta kombëtare. Demonstratat ishin një akt guximi që sfidoi regjimin e ashpër jugosllav dhe paralajmëroi rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe shtetësisë. Ata që dolën në rrugë, që u përballën me dhunën dhe represionin, e ndezën flakadanin e qëndresës, i dhanë formë ëndrrës së një Kosove të lirë. Sot, 44 vjet më vonë, kujtojmë dhe nderojmë ata studentë dhe demonstrues, të cilët me idealizmin dhe sakrificën e tyre, i hapën rrugën lirisë që e gëzojmë sot.

Presidentja Osmani: Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Presidentja Osmani ka shkruar: Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen. Në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, riafirmuam partneritetin tonë me Aleancën më të fuqishme të sigurisë në botë. Si vend që ka tejkaluar objektivin e NATO-s për investime në mbrojtje prej 2% të GDP-së dhe po ndërton një forcë moderne të sigurisë, në përputhje me standardet e Aleancës, synimi ynë është i qartë: anëtarësimi në NATO si një kontribuues i palëkundur për sigurinë rajonale dhe globale.

Presidentja: Nga AKI, urime 8 Marsin të gjitha grave të Republikës së Kosovës!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të ditës ndërkombëtare të gruas, u takua me gratë e fushës së inteligjencës. Postimi i plotë i Presidentes: Vendimet strategjike të Republikës së Kosovës varen shpesh nga puna e padukshme, por fundamentale e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Për nder të ditës ndërkombëtare të gruas, isha në mesin e heroinave tona të fshehta, grave të fushës së inteligjencës, të cilat në çdo kohë janë aty ku duhet dhe me krenari mbrojnë interesin e Kosovës. Nga AKI, urime 8 Marsin te gjitha grave të Republikës së Kosovës!

Presidentja: Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë që me punën dhe përkushtimin e tyre e bëjnë shoqërinë më të drejtë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me gratë e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Postimi i plotë i Presidentes: Me gratë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilat janë të forta, të përkushtuara dhe të palëkundura në misionin e tyre për drejtësi. Në një profesion sfidues, ato dëshmojnë çdo ditë se forca, profesionalizmi dhe dinjiteti nuk kanë gjini. Këto gra janë dëshmi se ndryshimi vjen kur guxojmë, veprojmë dhe mbështesim njëra-tjetrën. Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë që me punën dhe përkushtimin e tyre e bëjnë shoqërinë më të drejtë!

This site is registered on wpml.org as a development site.