Kosova Republikë! Kjo ishte thirrja që ushtoi në rrugët e Prishtinës dhe qyteteve tjera më 1981, kur studentët u ngritën si zëri i një populli të shtypur. Pranvera Studentore nuk ishte thjesht një valë protestash, por një kthesë historike që i dha hov lëvizjes për liri dhe pavarësi. Demonstratat e marsit dhe prillit nuk ishin vetëm kërkesa për kushte më të mira, por një thirrje e fuqishme për dinjitet dhe të drejta kombëtare. Demonstratat ishin një akt guximi që sfidoi regjimin e ashpër jugosllav dhe paralajmëroi rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe shtetësisë. Ata që dolën në rrugë, që u përballën me dhunën dhe represionin, e ndezën flakadanin e qëndresës, i dhanë formë ëndrrës së një Kosove të lirë. Sot, 44 vjet më vonë, kujtojmë dhe nderojmë ata studentë dhe demonstrues, të cilët me idealizmin dhe sakrificën e tyre, i hapën rrugën lirisë që e gëzojmë sot.