Presidentja Osmani: Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opsionet- është opsioni i vetëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në “World Forum”, në Berlin. Presidentja Osmani ka shkruar: “World Forum” mblodhi në Berlin kampionë global të demokracisë, pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment përcaktues për demokracinë në mbarë botën. Demokracia është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme—ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite. Në Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opsionet- është opsioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj—shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave demokratike.
Presidentja: Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmë në Berlin, ka lexuar një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”. Presidentja Osmani ka shkruar: Mbrëmë në Berlin, pata nderin ta lexoj një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”. Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur. Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë. Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe. Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:
Fjalimi i Presidentes Osmani në Berlin, në “The World Forum”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtë fjalim në “The World Forum”, në Berlin. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot në Berlin, në “The World Forum”, fola për Kosovën si shembull i një shteti dhe një populli që ka luftuar e sakrifikuar për shekuj me radhë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot. Për Kosovën, demokracia nuk është vetëm sistemi më i mirë i vlerave që njeh njerëzimi, por është edhe vetë sinonimi i lirisë, paqes dhe sigurisë. Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht, sepse besimi në vlerat demokratike është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë. Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:
Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave, z. Michael Roth

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar sonte në Berlin z. Michael Roth, me Medaljen Presidenciale të Meritave. Presidentja Osmani ka shkruar: Si një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat tona në skenën ndërkombëtare, sonte në Berlin dekorova Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave—një simbol mirënjohjeje nga populli i Kosovës. Suksesi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i fortë falë miqve që qëndrojnë pranë nesh—atyre që besojnë në demokraci, liri dhe në vendin tonë të merituar në familjen evropiane. Për mbrojtje të këtyre vlerave, Michael Roth, kryetar aktual i komisionit për punë të jashtme në Bundestagun gjerman e ish ministër, punoi përgjate 27 viteve të angazhimit të tij politik. Faleminderit, z. Roth, për përkushtimin tuaj të palodhur në afrimin e dy vendeve tona dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të agjencive qeveritare japoneze në fushën e tregtisë dhe ekonomisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësues të agjencive qeveritare japoneze në fushën e tregtisë dhe ekonomisë në një takim të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen japoneze, duke potencuar përpjekjet e Kosovës për të krijuar një klimë të favorshme për investime dhe për të zhvilluar sektorë strategjikë si energjia, mineralet, infrastruktura, prodhimtaria dhe teknologjia. Në takim u diskutua potenciali i Kosovës për partneritet me bizneset japoneze, mundësitë për projekte të përbashkëta në kërkim dhe zhvillim, transferim të teknologjive dhe arsim, me theks të veçantë në inovacionin digjital dhe energji. Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për ta forcuar partneritetin me Japoninë dhe shtroi nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha me interes të ndërsjellë.
Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në vend, dialogun me Serbinë dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit. Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura. Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marreveshjes së shkurtit 2023. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë. Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar. “Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, theksoi ajo. Gjatë takimit u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Presidentja Osmani ngushëllon ish-Presidentin Thaçi dhe familjen e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit

Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit. Kontributi dhe dashuria e tij për atdheun, shpresoj të shndërrohen në udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e njohën. Në emrin tim dhe në emër të popullit të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta ish-Presidentit Thaçi, gjithë familjes Thaçi, si dhe miqve e të gjithë të afërmve të z. Haxhi Thaçi. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Presidentja Osmani lajm tronditës nga Koçani: Humbja e aq shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të përshkruhet me fjalë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka shkruar: Lajm tronditës nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e aq shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të përshkruhet me fjalë. U shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këto momente të vështira. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona.
Presidentja Osmani priti në takim drejtorin Rajonal të IOM-it për Evropë dhe Azinë Qendrore, Arthur Erken

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Drejtorin Rajonal të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) për Evropë dhe Azinë Qendrore, z. Arthur Erken. Në këtë takim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e vazhdueshëm dhe të çmuar të IOM-it në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit, veçanërisht në periudhën e pasluftës, kur ndihma në rindërtimin e vendit, migracionin dhe asistencën humanitare ishte jetike për qytetarët e Kosovës. Presidentja Osmani dhe z. Erken kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin në iniciativa që synojnë fuqizimin ekonomik të grave, krijimin e tregut atraktiv të punës për to dhe mbështetjen për krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesor për të rinjtë. Ndër të tjera u diskutua edhe për rolin dhe kontributin e mërgatës, rritjen e kualitetit të jetës në mënyrë që të parandalohen valë të migracionit. Presidentja Osmani rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të mbështetur IOM-in dhe për të forcuar më tej partneritetin, me qëllim krijimin e politikave të qëndrueshme dhe të efektshme në fushën e migracionit dhe integrimit social.
Presidentja Osmani priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic. Gjatë takimit, Presidentja Osmani diskutoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal si hap kyç për avancimin e gjithë rajonit dhe një kontribuues për stabilitet dhe progres. Ajo vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike. Duke folur për Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor. Tutje, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit. Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal.