Presidentja Osmani kujton Latif Berishën dhe Agim Hajrizin

Më 24 mars 1999, Kosova humbi dy humanistë të shquar: Latif Berishën dhe Agim Hajrizin. Njëri shkrimtar e intelektual, tjetri veprimtar sindikal, të dy atdhetarë të përkushtuar ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën ditë, Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, së bashku me nënën dhe djalin e Agimit, u vranë nga regjimi gjenocidal serb. Por, vepra dhe sakrifica e tyre mbeten të pavdekshme dhe referencë për brezat. Kosova kujton dhe nderon veprën dhe sakrificën e tyre, sot e gjithnjë! Qoftë i përhershëm kujtimi për Latif Berishën, Agim Hajrizin dhe të gjithë të rënët për liri!

Presidentja Osmani: Epopeja e Dukagjinit, flakadan i lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan dhe më pas ka vizituar Kullën e Haradinajve, ku u prit nga z. Ramush Haradinaj. Presidentja Osmani ka shkruar: Epopeja e Dukagjinit, flakadan i lirisë Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë. Me nderimin më të madh përkulemi para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë. Ata u bënë simbol i rezistencës, guximit dhe besimit në lirinë e Kosovës. Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë! Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim i përhershëm UÇK-së!

Presidentja Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 24 Marsi, është dita kur liria mori krahë! Presidentja Osmani ka shkruar: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë! Ishte dita kur bota demokratike nuk heshti! Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur. Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!

Presidentja: Në Ditën Botërore të Sindromës Down, takova persona të jashtëzakonshëm—plot energji, dashuri dhe forcë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën Botërore të Sindromës Down, takova persona të jashtëzakonshëm—plot energji, dashuri dhe forcë. Presidentja Osmani ka shkruar: Ata janë burim frymëzimi dhe dashurie për të gjithë ne. Është detyra jonë të angazhohemi për mbështetjen e tyre, duke krijuar mundësi të barabarta dhe një mjedis ku ata mund ta shprehin plotësisht potencialin e tyre. Në Ditën Botërore të Sindromës Down, takova persona të jashtëzakonshëm—plot energji, dashuri dhe forcë. Një moment frymëzues që na kujton rëndësinë e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse. Le ta vazhdojmë së bashku këtë rrugëtim!

Reagim ndaj shpifjeve të Lirim Mehmetajt

Presidentja Vjosa Osmani nuk do të lejojë që shpifjet e orkestruara të kalojnë pa përgjigje. Kjo nuk është hera e parë që ky person tenton ta manipulojë opinionin me shpifje, ndaj për këtë arsye, Presidentja do t`i ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të kërkuar përgjegjësi për keqpërdorim të fjalës publike përmes përhapjes së shpifjeve e me qëllim të manipulimit të opinionit nëpërmjet dezinformatave. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do të ushtrojë padi për shpifje ndaj Mehmetajt në funksion të mbrojtjes së integritetit personal dhe institucional. Mehmetaj nuk ka asnjë provë të vetme për shpifjet e tij dhe nuk mund të ketë, sepse ato që ai deklaron janë shpifje me tendencë të denigrimit të Presidentes dhe familjes së saj. Njëkohësisht, e njoftojmë Lirim Mehmetajn se për çdo shpifje që bëhet ndaj Presidentes edhe në të ardhmen, do të marrë përgjigjen e duhur, nëpërmjet rrugëve ligjore.

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe hapat përpara drejt formimit të qeverisë. Gjithashtu, biseda u fokusua në angazhimet konkrete pas vizitave të fundit në Kosovë, përfshirë ato të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, vizitat e përfaqësuesve ushtarak të SHBA-ve, si dhe vizitën e Presidentit të Letonisë, që u zhvilllua gjatë ditës së sotme. Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përputhje me objektivat e përcaktuara nga Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij. Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati u ndalën veçanërisht te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe forcimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes. Takimi riafirmoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së dhe angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Osmani priti Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot mirëprita në vizitë pune Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, një mik i çmuar i Kosovës dhe mbështetës i palëkundur i rrugëtimit tonë euroatlantik. Diskutuam për forcimin e bashkëpunimit bilateral, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë rajonale. E falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për angazhimin e Letonisë në KFOR. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe sigurisë globale, me aleatë të fortë përkrah!

This site is registered on wpml.org as a development site.