Fjalimi i Presidentes Osmani në 26 vjetorin e Masakrës në Krushë të Madhe

Të nderuar banorë të Krushës së Madhe, Krushës së dhimbjes së madhe, I nderuar kryetar Latifi, I nderuar ish-kryeministër Haradinaj, I nderuar zoti Hoti, Të nderuara familje të të rënëve për liri, familje të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranë e invalidë të luftës, Të nderuar të pranishëm, Kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është më vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme dhe një betim i përjetshëm. Ky vend është Krusha e Madhe! Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe, aty ku dhimbja është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie e në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh, ky fshat u godit nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra dhe djem u masakruan, mes tyre shtatë fëmijë e pesë gra, përfshirë edhe një grua shtatzënë. Ata u vranë jo në betejë, por në fshatin e tyre, në shtëpitë e tyre, në përqafimin e familjeve të tyre. Por tragjedia nuk ndalet këtu! Sot e kësaj dite edhe 64 të rënë të Krushës së Madhe figurojnë në mesin e të zhdukurve me dhunë, një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale. Familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë. E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje e ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash, edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur. Një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb. Ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia. Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit dhe familjes së tij, por është një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja ku është Ukshin Hoti ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë, si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, është e përditshmja jonë, është e sotshmja jonë, sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si kurse para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi. Prandaj, nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre që ishin të pafajshëm të mbetet pa zë e që sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim. Ne nuk duhet të ndalemi. Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën, për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Krusha e Madhe nuk është vetëm simbol i dhimbjes, por edhe i qëndresës. Nga rrënojat e saj, nga lotët që s’u thanë kurrë, janë rritur brezat të rinj që sot e mbajnë Kosovën gjallë, të lirë dhe krenare. Sot, para kujtimit të martirëve tanë para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë në të cilën prehen kaq shumë jetë të pafajshme, ne bëjmë një betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë deri sa krimet të cilat u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe. Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve e dëshmorëve të Krushës së Madhe e gjithë Kosovës! Zoti e bekoftë Krushën! Zoti e bekoftë Republikën tonë! Ju faleminderit!
Presidentja Osmani: Në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot ambasadorët e vendeve të BE-së. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, theksova urgjencën e largimit të masave të padrejta ndaj Kosovës, që dëmtojnë qytetarët tanë dhe cenojnë vet parimet e BE-së. Poashtu diskutuam për hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit si dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Kosova mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj evropian dhe e përkushtuar për bashkëpunim me qëllim të avancimit në këtë rrugëtim.
Presidentja Osmani përkujton 26 vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha

Në Suharekë, më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga regjimi gjenocidal serb. Burra, gra e fëmijë u shënjestruan vetëm sepse ishin shqiptarë. Në atë natë të tmerrit, u vranë mizorisht edhe 19 fëmijë. Çanta e Altinit, këpucët e Redonit dhe biçikleta e Kushtrimit, janë kujtimet e fundit të fëmijëve të pafajshëm që u shuan dhunshëm. Nga kjo tragjedi, vetëm tre vetë mbijetuan – Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja. Për të shpëtuar jetën e tyre, ata u hodhën nga kamioni në lëvizje, i cili po transportonte trupat drejt Prizrenit. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në atë kamion kishte edhe të tjerë që ishin ende gjallë, por të plagosur rëndë. Të mbijetuarit janë dëshmi e krimit dhe e pritjes për drejtësi, prandaj dhimbja nuk do të shuhet kurrë, e as zëri ynë nuk do të heshtë. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi!
Presidentja: Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran

Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë. Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik. Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë. Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë.
Presidentja Osmani: Banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 26 vjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në tubimet përkujtimore në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim 241 banorë të vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 të vrarë në Krushë të Vogël nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Sot e kësaj dite, 64 persona nga Krusha e Madhe, si dhe 60 nga Krusha e Vogël, mbeten të zhdukur me dhunë nga regjimi serb, si dëshmi e krimit të përsëritur dhe i dhimbjes së pashuar të familjarëve që akoma nuk kanë ku të vendosin një lule kujtimi. Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë e pleq, e edhe gra shtatzëna, si dëshmi se mizoria e regjimit të Millosheviqit nuk kishte kufi. Pasi i vranë banorët e këtyre fshatrave, ata i dogjën kufomat, me qëllim të pastër për të shfarosur popullin tonë nga tokat tona. Por banorët e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël qëndruan dhe u shndërruan në simbol të pathyeshmërisë. Sot para tyre rikonfirmojmë përkushtimin tonë të çdoditshëm për drejtësi dhe që kujtimi për të rënët mos të harrohet kurrë. Lavdi e përjetshme gjithë atyre që u flijuan për liri!
Presidentja Osmani: Tërrnja – plagë e pashuar, kujtim i përjetshëm

Në orët e hershme të mëngjesit të 25 marsit të vitit 1999, forcat gjenocidale paramilitare serbe hynë në fshatin Tërrnje të Suharekës dhe masakruan 46 martirë, ndër të cilët gra, pleq e fëmijë. Disa prej viktimave ishin banorë të fshatit, e të tjerët ishin mysafirë nga fshatrat Studençan dhe Randobravë, të cilët kishin kërkuar strehë tek familjet e Tërrnjes. Tetë banorë ende janë në mesin e të zhdukurve me dhunë. Tërrnja është plagë e hapur, është kujtesë e përjetshme e sakrificës sonë për liri dhe një betim për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për atdheun. Lavdi e përjetshme martirëve të Tërrnjes!
Presidentja Osmani kujton Masakrat e Celinës, Fortesës dhe Brestocit

Më 25 mars 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, kryen masakra të përgjakshme në fshatrat e Rahovecit, në të cilat vranë 75 civilë në Celinë, 69 në Fortesë, 49 në Brestoc. Në mbrojtje të popullsisë, ranë heroikisht edhe pesë luftëtarë të UÇK-së. Ata u vranë vetëm sepse ishin shqiptarë, vetëm sepse donin liri. Dhimbja mbetet, drejtësia mungon, por e vërteta nuk zhbëhet. Kujtojmë martirët, nderojmë heronjtë e UÇK-së dhe nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të drejtësisë!
Presidentja Osmani kujton Bajram Kelmendin, Kastriotin dhe Kushtrimin

Njëzet e gjashtë vjet më parë, Kosova humbi një luftëtar të palëkundur të drejtësisë, avokatin Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Në orët më të errëta të historisë sonë, ata u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit dhe u ekzekutuan mizorisht. Ky akt barbarie synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri. Por, dhuna nuk arriti ta shuajë të vërtetën dhe krimet nuk e ndalën përpjekjen për drejtësi. Sot, ne nuk i kujtojmë vetëm si viktima të një regjimi kriminal, por si simbole të qëndresës, të idealeve për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Jeta dhe sakrifica e Bajram Kelmendit është testament i guximit, ndërsa vrasja e tij dhe e djemve është kujtesë e përhershme për borxhin tonë ndaj drejtësisë. Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur: drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim. Brezat që vijnë do të mësojnë për ta jo vetëm si viktima të një mizorie, por si flamurtarë të pathyeshëm të një populli që nuk u dorëzua kurrë. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta!
Deklarimi i sotëm i Presidentes Osmani para mediave në Gllogjan

Ishim sot në nderim të heronjve të Epopesë së Dukagjinit. 24 marsi shënon një prej datave më të lavdishme të historisë sonë, sepse këtu u bë një luftë heroike në mbrojtje të popullit shqiptar nga masakrat dhe nga sulmet më të ashpra të hegjemonisë serbe nën udhëheqjen e regjimit gjenocidal e fashist të Millosheviqit. Familja Haradinaj dhe i gjithë Gllogjani u ngritën në këmbë për t’i shndërruar këto kulla në fortifikatë të lirisë dhe shumë prej atyre që luftuan ranë dëshmorë, e shumë të tjerë vazhduan që të kontribuojnë për lirinë e Kosovës. Prandaj, është borxh i yni si institucione të Kosovës, por mbi të gjitha si qytetarë të kësaj Republike, të lirë, sovrane e të pavarur që gjithnjë të nderojmë sakrificën e familjes Haradinaj dhe të gjithë atyre që ranë për liri si pjesë e Epopesë së Dukagjinit dhe betejave që u bënë në këtë anë të Kosovës, por t’i nderojmë edhe të gjithë heronjtë që ranë, jo vetëm në këtë datë, por çdoherë për lirinë tonë. Siç e dini, sot nderojmë edhe përvjetorin e intervenimit të NATO-s, që pak a shumë tregon që bashkëdyzimi i luftës sonë çlirimtare në njërën anë dhe ndihmës së aleatëve tanë, më në fund e solli lirinë për të cilën u sakrifikua për breza dhe në të njëjtën kohë është mesazh që vetëm të bashkuar për Kosovën sovrane, por edhe me ndihmën e aleatëve tanë, Kosova mund të arrijë suksese historike, siç edhe ka arritur nëpërmjet çlirimit, pastaj pavarësisë dhe shtetndërtimit. Lavdi heronjve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! Ju faleminderit të gjithëve!
Presidentja Osmani ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, në përvjetorin e ndërhyrjes së Aleancës më 24 mars 1999

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, në përvjetorin e ndërhyrjes së Aleancës më 24 mars 1999. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka thënë: Sot, me nderim dhe mirënjohje, bëmë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të NATO-s, në përvjetorin e ndërhyrjes së Aleancës më 24 mars 1999. Ky akt historik i guximit dhe drejtësisë i dha fund regjimit gjenocidal të Serbisë dhe hapi rrugën drejt lirisë së Kosovës. Ushtarët e NATO-s janë heronj të lirisë sonë – ata qëndruan përkrah popullit tonë në ditët më të errëta, siç vazhdojnë edhe sot, ndaj mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. Lavdi sakrificës së tyre! Mirënjohje e përjetshme Aleancës për paqen dhe lirinë tonë!