Presidentja Osmani kujton masakrën e Izbicës

Në Masakrën e Izbicës, më mesin e 147 të vrarëve, ishte edhe Dafina Qelaj, vetëm 6 muajshe! Ajo nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Nuk e pati mundësinë të mësonte apo të ecte. U vra mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në masakrën e Izbicës, më 28 mars 1999, së bashku burra, gra, të moshuar e fëmijë, vetëm pse ishin shqiptarë. 26 vjet më pas, kujtesa për këtë krim mbetet e gjallë. Masakra e Izbicës është dëshmi e dhimbshme e çmimit të lirisë sonë dhe e gjenocidit të kryer nga Serbia. Në tentim për t`i fshehur gjurmët e krimit, regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi viktimat në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë. Por, e vërteta nuk mund të varroset. Ajo jeton në kujtesën tonë, në betejën për drejtësi dhe në të drejtën e patjetërsueshme për të mos heshtur kurrë. Lavdi viktimave të Izbicës! Drejtësi për ta!

Presidentja Osmani priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim dhe drejtorin e ri të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange. Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj. Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës. Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit. Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e Presidentes. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Presidentja Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake. Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.

Fjalimi i Presidentes Osmani me rastin e certifikimit të 344 rekrutëve të rinj të FSK-së

I nderuar kryeministër Kurti, I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, I nderuar ministër Maqedonci, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Të dashur ushtare e ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së, Të dashur ushtarakë e zyrtarë të forcave aleate, Të dashur familjarë, familje krenare për bijtë e bijat tuaja, Të nderuar përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë, Të dashur qytetarë, Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur, ushtria jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen. Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për gjithë Republikën e Kosovës! Sot, 344 djem dhe vajza i bashkohen radhëve të FSK-së, duke u bërë kështu pjesë e një misioni të shenjtë – mbrojtjes së atdheut të tyre, garantimit të sigurisë dhe mbështetjes së paqes në vendin tonë e përtej tij. Të dashur ushtarë, ju keni kaluar një rrugëtim plot sfida, disiplinë dhe përkushtim. Me këtë certifikim, ju nuk mbani vetëm një titull, por mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe për të ruajtur vlerat dhe dinjitetin e shtetit tonë. FSK-ja është më shumë se një forcë, ajo është simbol i përkushtimit dhe i sakrificës, është dëshmi e forcës së shtetit tonë. Ju jeni pjesë e një force që çdo ditë po rritet e po zhvillohet, duke ndërtuar një ushtri moderne, profesionale dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë. Me punën dhe përkushtimin tuaj, ju do të vazhdoni ta mbani FSK-në krenarinë më të madhe të shtetit tonë si dhe aleat të besueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Të dashur ushtarë,   Rruga jonë euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme. Me profesionalizmin dhe përgatitjen e bijave e bijve tanë ushtarakë profesionist, po dëshmojmë se Kosova ka një ushtri të fortë e të denjë për të qenë pjesë e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare, në shërbim të paqes e sigurisë dhe stabilitetit global. Forca e Sigurisë së Kosovës po marshon fuqishëm përpara në procesin e zhvillimit dhe avancimit, si forcë moderne, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar. Ushtria jonë çdo ditë e më shumë po dëshmon gatishmërinë e saj të plotë për të përmbushur standardet më të larta të NATO-s, aty ku Kosova e ka vendin dhe e meriton vendin. Ju, të gjithë sot që u betuar, por secili ushtarë tjetër i FSK-së, jeni pasardhës të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet më të rënda të historisë sonë. Prandaj, mbajeni këtë uniformë me krenarinë më të madhe. Në këtë ditë, është momenti që t’i kujtojmë të gjithë ata që dhanë gjithçka për atdheun, përfshirë edhe më të shtrenjtën jetën e tyre. Të kujtojmë dëshmorët tanë, të kujtojmë heronjtë tanë e të kujtojmë edhe martirët, të cilët po i përkujtojmë në ditët përkujtimore të masakrave këto ditë. Në këtë ditë, është po ashtu momenti i natyrshëm i falënderimit dhe mirënjohjes më të lartë për të gjithë vendimmarrësit dhe zbatuesit politik e ushtarak të operacionit të NATO-s, 26 vite më parë, në mbrojtje të popullit tonë nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Edhe sot, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për aleatët tanë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjithë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme jo vetëm në kohët e rënda, por edhe sot kur ne po zhvillojmë dhe avancojmë ushtrinë tonë në nivelin që na bënë krenar të gjithëve. Të nderuar ushtarë të rinj,   Nga sot, ju jeni më shumë se sa individë që vishni një uniformë ushtarake. Ju jeni trashëgimtarë dhe mbrojtës të lirisë së Kosovës, lirisë së fituar me sakrifica të panumërta nga breza të tërë të paraardhësve tanë. Ju jeni energjia dhe forca e re e Ushtrisë së ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe paqes – të Ushtrisë e cila gjithnjë e nderon të kaluarën e lavdishme por edhe ndërton të ardhmen e sigurt. Të jeni pjesë e Forcës së Sigurisë nuk është thjesht një profesion. Është një thirrje, një mision, një nder dhe përgjegjësi e lartë. Sot, ju do të bëni betimin tuaj si ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe ky nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i shenjtë, një zotim solemn që do t’ju udhëheqë gjatë gjithë jetës suaj ushtarake. Ky betim kërkon nga ju përkushtim të palëkundur, gatishmëri për t’u përballur me çdo sfidë dhe besnikëri të plotë ndaj popullit dhe vendit tonë, të cilën ju tashmë e keni. Në këtë ditë të veçantë, shpreh mirënjohjen më të thellë për familjet tuaja, të cilat ju kanë qëndruar pranë gjithë ushtarëve tanë të rinj. Sot, të dashura familje, nëna e baballarë, motra, vëllezër e fëmijë, bashkëshortë, sot vajzat dhe  djemtë tuaj nuk janë më thjesht vetëm fëmijët tuaj – ata janë fëmijët e gjithë Kosovës, ata janë ushtarët e Kosovës, ata janë mbrojtësit më të denjë të atdheut tonë. Sakrifica juaj, mbështetja dhe dashuria juaj e pafund për vendin ka qenë themeli i forcës së vajzave dhe djemve tuaj për të arritur me sukses të plotë deri në këtë moment. Të nderuar rekrutë e ushtarë, Me këtë uniformë që vishni sot, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të patriotëve të shumtë të tjerë ndër breza. Ju uroj sukses në këtë rrugëtim të ri. Shteti ynë ka nevojë për ju. Kosova beson në ju! Përpara me nder, guxim dhe përkushtim! Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Zoti e bekoftë Ushtrinë e Kosovës! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, qytetarët tanë dhe aleatët tanë!   Ju faleminderit!

Deklarimi i sotëm i Presidentes Osmani para mediave

Pak më parë, ka ardhë edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Presidencën e Republikës së Kosovës, ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Siç e dini tani ka një afat prej 30 ditësh. Është një afat kushtetues, një afat ligjor, i cili parashihet për thirrjen e Seancës Konstituive. Për momentin ekipa ime ligjore është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë, për përgatitje të kësaj seance, në mënyrë që kur thirret seanca edhe të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Pra, gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund t’ju jap një datë, sepse dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi edhe datën, shumë shpejt. 

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski. Presidentja Osmani e uroi Ambasadorin Kraevski për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë. Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, Presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera.

Presidentja: Në prag të festës së Bajramit, u kthyem përsëri në Krushë të Vogël për të bashkëbiseduar me nëna, motra e gra, si dhe për ta ndarë dhimbjen, forcën dhe dashurinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në prag të festës së Bajramit, u kthyem përsëri në Krushë të Vogël për të bashkëbiseduar me nëna, motra e gra, si dhe për ta ndarë dhimbjen, forcën dhe dashurinë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në prag të festës së Bajramit, u kthyem përsëri në Krushë të Vogël për të bashkëbiseduar me nëna, motra e gra, si dhe për ta ndarë dhimbjen, forcën dhe dashurinë. Bashkë me ne ishin edhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar nga Philadelphia-SHBA, të cilët sollën dhuratat e mbledhura me përkushtim nga vëllezërit Osmanollaj dhe Emina Cunmulaj, të cilët më 8 Mars, për Ditën e Gruas, organizuan një ngjarje mbështetëse për këtë kauzë fisnike. Duke i falënderuar bashkatdhetarët tanë për kujdesin dhe zemërgjerësinë e vazhdueshme, isha e lumtur që, edhe pse pak më herët, arritëm t’ju gjindemi pranë nënave të Krushës për të ndarë solidaritet, dashuri dhe kujdes në prag të festës së Bajramit.

Presidentja Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Kenias, William Ruto: Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin e Kenias, William Ruto. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot bisedova sërish me Presidentin William Ruto pas njohjes së Kosovës nga Kenia – një akt i miqësisë së vërtetë që forcon pozitën tonë globale dhe përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe siguri. Shpreha mirënjohje të thellë në emër të popullit të Kosovës dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike. Vazhduam bisedën nga takimet tona të mëparshme për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm. Pres me padurim të mirëpres Presidentin Ruto në Kosovë dhe të vizitoj Keninë së shpejti, siç kemi diskutuar prej kohësh. Kenia mund të llogarisë në Kosovën si aleate dhe partnere të vërtetë. Fillon një kapitull i ri i partneritetit!

Presidentja Osmani vizitoi Nënën Ferdonije: Dhimbja e saj është edhe e jona, kauza e saj është edhe e jona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Nënën Ferdonije, në 26-vjetorin e rrëmbimit të dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb të bashkëshortit dhe 4 djemve të saj. Presidentja Osmani ka shkruar: Në 26-vjetorin e rrëmbimit të dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb të bashkëshortit dhe 4 djemve të saj, sot isha për vizitë te Nëna Ferdonije në shtëpinë-muze të familjes Çerkezi në Gjakovë. Bashkë me Nënën Ferdonije takuam edhe nënat e tjera të Gjakovës të cilat kanë humbur të dashurit e tyre nga krimet makabre të Serbisë. Eshtrat e dy djemve të Nënës Ferdonije janë gjetur, teksa fati i bashkëshortit dhe dy djemve të tjerë vazhdon të mbetet peng. Megjithatë, ajo nuk është dorëzuar. Dhimbjen e ka shndërruar në forcë, stoicizëm dhe në kauzë për drejtësi. Dhimbja e saj është edhe e jona. Kauza e saj është edhe e jona. Dhimbje e kauzë e gjithë Kosovës.

Fjalimi i Presidentes Osmani në 26 vjetorin e Masakrës në Krushë të Vogël

Shumë të nderuar banorë të Krushës së Vogël, Të dashura nëna, vëllezër e motra, I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Totaj, I nderuar z. Andin Hoti, I nderuar ish-kryeministër Haradinaj, Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, Të nderuara familje të martirëve të Krushës së Vogël, Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Të nderuar të pranishëm, I nderuar kryetar i fshatit, Ka krime të cilat e trondisin të gjithë botën, ka plagë të cilat koha asnjëherë nuk i shëron, por ka edhe qëndresë, qëndresë dhe kujtesë që nuk mund të shuhet kurrë, sikurse kjo e nënave, grave, fëmijëve, vëllezërve, motrave, baballarëve e të afërmve, të martirëve të Krushës së Vogël. Ky përvjetor është jo vetëm një ditë e dhimbjes, por edhe e kujtesës dhe krenarisë për më të dashurit tanë. Një ditë kur edhe heshtja kumbon më shumë se fjalët. Më 26 mars ‘99, në këtë fshat të vogël, por me zemër të madhe ndodhi një nga mizoritë më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. Në vetëm dy ditë u vranë dhe u masakruan 113 banorë të Krushës së Vogël djem, burra e fëmijë, ndër ta edhe të mitur të moshës 12-vjeçare deri te pleqtë e moshës 90-vjeçare. Një fshat i tërë u kthye në një varrezë, në një kujtim të përjetshëm të barbarisë që njohu njerëzimin në prag të shekullit të ri. Forcat serbe nuk u ndalën vetëm me vrasjen. Ata dogjën trupat për t’i mbuluar gjurmët e krimit, por asnjëherë nuk mundën ta fshehin të vërtetën, e pikërisht kjo sjellje e tyre e dëshmoi njëherë e përgjithmonë qëllimin e tyre për ta fshirë popullin shqiptar nga faqja e dheut. Mirëpo, siç qëndroi historikisht, qëndroi edhe në ato vite i palëkundur kombi ynë në Krushë të Vogël, në Krushë të Madhe dhe çdokund anekënd Kosovës. Krusha e Vogël nuk është vetëm dhimbje, por është edhe simbol i ringjalljes siç e shohim nga këta fëmijë që janë sot me ne. Por, mos të harrojmë se shumica dërmuese prej tyre janë rritur pa prind. Nga rrënojat e Krushës së Vogël, nga plagët e saj, nga toka e djegur, kanë dalë njerëzit më të fortë, më qëndrestarë që mund t’i njohë njerëzimi, gra të pathyeshme, simbol të qëndresës, fëmijë që sot janë burra e gra, të cilët ndërtojnë Kosovën e lirë, sovrane të pavarur. Krusha e Vogël nuk është vend i kujtesës, por edhe vend ku ne e shohim të ardhmen tonë. Ajo që ndodhi këtu nuk do të harrohet kurrë. Jo për hakmarrje, por për t’u mos përsëritur asnjëherë; jo për të mbetur të lidhur vetëm me dhembjen, por edhe për të siguruar që të fortë ecim përpara me dinjitet, kurrë duke mos harruar ata që sakrifikuan edhe jetën për lirinë që e gëzojmë sot. E më e madhe se dhimbja është krenaria për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë, duke u shndërruar në shtyllat më të forta të shtetit të cilin e gëzojmë sot. Sot Krusha ecën përpara, sot Kosova ecën përpara, por asnjëherë duke mos u dorëzuar nga kërkesa jonë dhe puna jonë për drejtësi, drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë. Krusha e vogël është e fortë, Krusha e Vogël është dëshmi e përjetshme e qëndresës sonë dhe drejtësia, sado që të vonohet, ajo do të vijë. E ne nuk do të ndalemi kurrë së punuari për atë ditë. Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të Krushës së Vogël e martirëve e dëshmorëve, anekënd Kosovës! Zoti e bekoftë Krushën e Vogël! Zoti e bekoftë Republikën tonë! Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.