...

Fjalimi i Presidentes Osmani në 26 vjetorin e Masakrës në Krushë të Vogël

Shumë të nderuar banorë të Krushës së Vogël,

Të dashura nëna, vëllezër e motra,

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Totaj,

I nderuar z. Andin Hoti,

I nderuar ish-kryeministër Haradinaj,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,

Të nderuara familje të martirëve të Krushës së Vogël,

Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta,

Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

I nderuar kryetar i fshatit,

Ka krime të cilat e trondisin të gjithë botën, ka plagë të cilat koha asnjëherë nuk i shëron, por ka edhe qëndresë, qëndresë dhe kujtesë që nuk mund të shuhet kurrë, sikurse kjo e nënave, grave, fëmijëve, vëllezërve, motrave, baballarëve e të afërmve, të martirëve të Krushës së Vogël.

Ky përvjetor është jo vetëm një ditë e dhimbjes, por edhe e kujtesës dhe krenarisë për më të dashurit tanë. Një ditë kur edhe heshtja kumbon më shumë se fjalët.

Më 26 mars ‘99, në këtë fshat të vogël, por me zemër të madhe ndodhi një nga mizoritë më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë.

Në vetëm dy ditë u vranë dhe u masakruan 113 banorë të Krushës së Vogël djem, burra e fëmijë, ndër ta edhe të mitur të moshës 12-vjeçare deri te pleqtë e moshës 90-vjeçare.

Një fshat i tërë u kthye në një varrezë, në një kujtim të përjetshëm të barbarisë që njohu njerëzimin në prag të shekullit të ri.

Forcat serbe nuk u ndalën vetëm me vrasjen. Ata dogjën trupat për t’i mbuluar gjurmët e krimit, por asnjëherë nuk mundën ta fshehin të vërtetën, e pikërisht kjo sjellje e tyre e dëshmoi njëherë e përgjithmonë qëllimin e tyre për ta fshirë popullin shqiptar nga faqja e dheut.

Mirëpo, siç qëndroi historikisht, qëndroi edhe në ato vite i palëkundur kombi ynë në Krushë të Vogël, në Krushë të Madhe dhe çdokund anekënd Kosovës.

Krusha e Vogël nuk është vetëm dhimbje, por është edhe simbol i ringjalljes siç e shohim nga këta fëmijë që janë sot me ne.

Por, mos të harrojmë se shumica dërmuese prej tyre janë rritur pa prind.

Nga rrënojat e Krushës së Vogël, nga plagët e saj, nga toka e djegur, kanë dalë njerëzit më të fortë, më qëndrestarë që mund t’i njohë njerëzimi, gra të pathyeshme, simbol të qëndresës, fëmijë që sot janë burra e gra, të cilët ndërtojnë Kosovën e lirë, sovrane të pavarur.

Krusha e Vogël nuk është vend i kujtesës, por edhe vend ku ne e shohim të ardhmen tonë. Ajo që ndodhi këtu nuk do të harrohet kurrë. Jo për hakmarrje, por për t’u mos përsëritur asnjëherë; jo për të mbetur të lidhur vetëm me dhembjen, por edhe për të siguruar që të fortë ecim përpara me dinjitet, kurrë duke mos harruar ata që sakrifikuan edhe jetën për lirinë që e gëzojmë sot.

E më e madhe se dhimbja është krenaria për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë, duke u shndërruar në shtyllat më të forta të shtetit të cilin e gëzojmë sot.

Sot Krusha ecën përpara, sot Kosova ecën përpara, por asnjëherë duke mos u dorëzuar nga kërkesa jonë dhe puna jonë për drejtësi, drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë.

Krusha e vogël është e fortë, Krusha e Vogël është dëshmi e përjetshme e qëndresës sonë dhe drejtësia, sado që të vonohet, ajo do të vijë. E ne nuk do të ndalemi kurrë së punuari për atë ditë.

Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të Krushës së Vogël e martirëve e dëshmorëve, anekënd Kosovës!

Zoti e bekoftë Krushën e Vogël!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.