Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës në Pastaselë të Rahovecit dhe atë në Burim të Malishevës

Një çerek shekulli më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen krime të tmerrshme kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 burra, gra dhe fëmijë u vranë e u masakruan brutalisht. E njëjta valë dhune vazhdoi në Burim të Malishevës, ku 42 civilë të pafajshëm u ekzekutuan pa mëshirë. Por kujtesa jonë nuk zbehet. Historia nuk mund të harrohet. Me përkushtim dhe vendosmëri, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë të vërtetën dhe të kërkojmë drejtësi për viktimat e këtij gjenocidi.
Presidentja Osmani kujton masakrën e dytë në Abri të Epërme

Sot kujtojmë masakrën e dytë të kryer nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Abri të Epërme, ku familja Muliqi humbi 8 martirë dhe një dëshmor të UÇK-së. Në mesin e martirëve ishin edhe katër fëmijë – Ganiu, Musa, Behrami dhe Sefa – të cilët nuk patën mundësinë të jetojnë fëmijërinë e tyre. Me respekt dhe mirënjohje të thellë, qëndrojmë pranë familjes Muliqi dhe të gjitha familjeve të dëshmorëve dhe martirëve që dhanë gjithçka për Kosovën.
Presidentja Osmani vizitoi Bashkësinë Islame me rastin e Festës së Fitër Bajramit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Fitër Bajramit, ku u prit nga kryemyftiu Naim Tërnava. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka deklaruar: Është nder i veçantë që nga Bashkësia Islame e Kosovës së bashku me kryemyftiun, me bashkëpunëtorët e tij dhe bashkëpunëtorët e mi, t’i urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me fat Bajramin, me shpresën që lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet, për begati dhe bekim të Zotit në secilën familje, në secilën shtëpi. Shpresoj që kjo festë por edhe i gjithë muaji i shenjtë i Ramazanit, dhe fryma që përshkon secilën familje dhe secilën shtëpi gjatë këtij muaj të shenjtë të jenë inspirim për secilin qytetar tonin që kjo frymë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj të tjerëve të vazhdojë përgjatë tërë vitit. Natyrisht, në këtë drejtim dua ta falënderoj kryemyftiun Tërnava dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij për punën e jashtëzakonshme që bëjnë duke u dalë në ndihmë atyre që kanë më së shumti nevojë, kryesisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit por jo vetëm, sepse këtë punë të jashtëzakonshme e bëjnë gjatë tërë vitit. Edhe një herë ju faleminderit kryemyfti dhe me fat bajrami të gjithë qytetarëve përfshirë juve mediave që sot jeni në krye të detyrës.
Urimi i Presidentes Osmani për Fitër Bajram

Me rastin e Fitër Bajramit, ju shpreh urimet më të përzemërta, duke ju dëshiruar paqe, begati dhe harmoni në familjet dhe zemrat tuaja. Kjo ditë feste shënon përmbylljen e një muaji sakrifice, devotshmërie dhe reflektimi. Bajrami është festë e mirësisë dhe e solidaritetit, një moment për ta ndarë gëzimin me familjen, miqtë dhe ata që kanë më shumë nevojë për dashuri dhe mbështetje. Le të shërbejë kjo ditë si një rikujtim se durimi, përkushtimi dhe zemërgjerësia janë vlera që duhet të na udhëheqin gjithnjë. Urime Fitër Bajramin me zemër të bardhë dhe me vepra të mbara!
Presidentja: Mbrëmë patëm nderin të jem pjesë e një iftari të veçantë në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ishte pjesë e një iftari të veçantë në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë, me ftesë të humanistit Halil Kastrati. Presidentja Osmani ka shkruar: Mbrëmë patëm nderin të jem pjesë e një iftari të veçantë në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë, me ftesë të humanistit Halil Kastrati. Ky iftar ishte një mundësi për të shprehur respekt dhe mirënjohje për ata që kanë dhënë kaq shumë për shoqërinë tonë. Falënderim i veçantë për organizatën “Jetimat e Ballkanit”, për punën e tyre të jashtëzakonshme për t’ju dhënë shpresë dhe për t’i bërë me strehë shumë nevojtarë. Solidariteti është vlerë, e sidomos kur tregohet ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Presidentja Osmani kujton 26 vjetorin e masakrës në Beleg

Një çerek shekulli më parë, në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë ndanë burrat dhe të miturit nga gratë dhe më pas ekzekutuan e masakruan 46 shqiptarë. Kjo ishte një nga masakrat më të mëdha të kryera nga forcat paramilitare serbe, të cilat në vitin 1999 nisën një ofansivë të egër ndaj popullatës civile. Edhe sot, pas kaq vitesh, fati i disa banorëve të zhdukur me dhunë nuk është zbardhur, ndaj plagët mbeten të hapura për familjet dhe për gjithë Kosovën. Drejtësia mbetet borxh ndaj tyre dhe ndaj historisë sonë.
Presidentja Osmani kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu

16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu , në mesin e të cilëve fëmijë e gra u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 28 mars 1999, në Podujevë. Ata ishin fëmijë që mbanin lodrat në duar dhe nëna që i përqafonin fort, duke u përpjekur t’i mbronin nga e keqja. Por, krimi kishte fytyrë, kishte uniformë dhe u bë me urdhra shtetërorë për t’i shfarosur pa dallim moshe e gjinie. Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e strategjisë së organizuar të një regjimi që kreu krime të paimagjinueshme mbi popullin shqiptar. Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura dhe dhimbja përsëritet brez pas brezi. Ne nuk harrojmë, ndaj nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për ta dhe për mijëra viktima të tjera të gjenocidit serb në Kosovë. Lavdi të rënëve, drejtësi për viktimat!
Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të rrymës

Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, pasi ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend. Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE. Komentet e plota të Presidencës së Republikës së Kosovës janë publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit dhe i gjeni në vegzën në vijim:
Presidentja Osmani kujton masakrën e Izbicës

Në Masakrën e Izbicës, më mesin e 147 të vrarëve, ishte edhe Dafina Qelaj, vetëm 6 muajshe! Ajo nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Nuk e pati mundësinë të mësonte apo të ecte. U vra mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në masakrën e Izbicës, më 28 mars 1999, së bashku burra, gra, të moshuar e fëmijë, vetëm pse ishin shqiptarë. 26 vjet më pas, kujtesa për këtë krim mbetet e gjallë. Masakra e Izbicës është dëshmi e dhimbshme e çmimit të lirisë sonë dhe e gjenocidit të kryer nga Serbia. Në tentim për t`i fshehur gjurmët e krimit, regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi viktimat në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë. Por, e vërteta nuk mund të varroset. Ajo jeton në kujtesën tonë, në betejën për drejtësi dhe në të drejtën e patjetërsueshme për të mos heshtur kurrë. Lavdi viktimave të Izbicës! Drejtësi për ta!
Presidentja Osmani priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim dhe drejtorin e ri të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange. Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj. Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës. Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit. Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e Presidentes. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Presidentja Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake. Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.