Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në Takimin e Procesit Aqaba, me ftesë të Mbretit të Jordanisë dhe presidentit të Bullgarisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje. Në kuadër të vizitës në Sofje, Presidentja Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal. Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë. Presidentja Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë. Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.
Presidentja Osmani priti kampionen e parë olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot kampionen e parë olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot në Presidencë me kampionen e parë olimpike të Kosovës dhe kampionen e përhershme të zemrave tona, Majlinda Kelmendi! Një emër që na bën krenarë në arenën botërore dhe që vazhdon të na frymëzojë çdo ditë, jo vetëm secilin qytetar të Kosovës, por edhe miliona sportistë botërorë. Një shembull që duhet ndjekur me punën dhe përkushtimin e pashoq dhe e cila ngriti flamurin tonë në piedestalin më të lartë!
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga Ambasadorja e re e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e El Salvadorit në Kosovë, Rhina Bardi, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani e uroi Ambasadoren Bardi për emërimin e saj dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të El Salvadorit ndaj Kosovës. Presidentja Osmani solli në vëmendje vizitën e saj në El Salvador vitin e kaluar me rastin e inaugurimit presidencial, duke shprehur admirimin për progresin e këtij shteti. Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve në fusha të ndryshme. Duke vlerësuar udhëheqjen e Presidentit Nayib Bukele, Presidentja Osmani nënvizoi përparimin e jashtëzakonshëm të El Salvadorit në siguri, rritje ekonomike dhe zhvillim të sektorit të turizmit. Ajo theksoi se si Kosova dhe El Salvadori janë renditur ndër vendet më të sigurta në botë, duke rritur kështu atraktivitetin për investime dhe turizëm. Në këtë drejtim, u identifikuan mundësi për bashkëpunim në sektorët e teknologjisë së informacionit, inovacionit, ekonomisë, mbrojtjes, arsimit dhe turizmit. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e promovimit të investimeve të sektorit privat, nxitjes së ndërmarrësisë dhe organizimit të forumeve ekonomike për t`i afruar bizneset dhe institucionet e të dy shteteve.
Fjalimi i Presidentes Osmani në aktivitetin e BIRN Kosova, në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, në kuadër të së cilës u publikua edhe një raport mbi ndikimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimin gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Faleminderit Jeta, I nderuar ambasador Orav, Të nderuar ambasadorë të shteteve mike, Të nderuar përfaqësues të mediave, institucioneve dhe të shoqërisë civile, E vërteta është arma më e fortë e demokracisë, ka qenë gjithnjë, mbetet edhe sot. Prandaj, kur sulmohet e vërteta, sulmohet vetë liria, sulmohen vet vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë me shumë mund e sakrificë. Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme, kontrollimi i fakteve nuk është më vetëm një detyrë e gazetarëve, por shndërrohet në një obligim të të gjithë shoqërisë, respektivisht një nevojë jetike për shtetin tonë. Kjo, ngase pa të vërtetën, asnjëherë nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë. Pa të vërtetën, vendimmarrja jonë mbetet e pasigurt, besimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve dobësohet, dhe mbi të gjitha, zgjerohet hapësira për dezinformim e manipulim, e cila mund të shpie tek rreziqe jashtëzakonisht të mëdha. Në epokën në të cilën po jetojmë, lajmi i rremë mund të përhapet më shpejtë sesa e vërteta. Prandaj, kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik real edhe për stabilitetin e shtetit tonë, për integritetin tonë si shtet, për demokracinë por mbi të gjitha për sigurinë kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, kontrollimi i fakteve duhet të bëhet një standard i përditshëm, të cilin e zbaton secili prej nesh. Sot, secili njeri mund të pandehë të jetë gazetar. Koncepti i gazetarisë qytetare na ekspozon ndaj rrezikut që të jemi vazhdimisht cak të të pavërtetave. Gazetaria qytetare, e ndihmuar nga zhvillimi marramendës teknologjik, përfshirë edhe zhvillimet në AI, e kanë bërë verifikimin e fakteve më të vështirë dhe më sfidues se çdo herë tjetër. Çdokush me një telefon mund të publikojë diçka në një çast, pa asnjë filtër editorial, pa asnjë standard profesional e mbi të gjitha pa as minimumin e etikës profesionale. Inteligjenca artificiale, algoritmet e rrjeteve sociale dhe platformat e komunikimit të shpejtë shpesh i japin përparësi senzacionalizmit mbi të vërtetën. Kjo ka krijuar një terren të përshtatshëm për dezinformimin, sidomos nga forca dashakeqe që vijnë prej jashtë shtetit tonë, duke e bërë edhe më të lehtë manipulimin e opinionit publik. Ne nuk duhet të lejojmë të jemi të manipuluar, ngase pa të vërtetën, asnjëherë nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë e shoqëri të suksesshme. Në kontekstin e ndryshimit të arkitekturës globale të sigurisë në botë, sot dezinformata nuk është thjesht një mjet propagandistik, por është një armë e luftës hibride që synon t`i minojë institucionet legjitime, të dobësojë besimin publik dhe të krijojë pasiguri në vendimmarrje, të cilat po kthehem prapë e rrezikojnë sigurinë nacionale të vendit tonë. Prandaj, kur dezinformatat lidhen drejtpërdrejt me shtetin dhe me shtyllat kryesore të shtetit, ato nuk janë më vetëm sulme ndaj individëve të caktuar, por ndaj vetë shtetit dhe shtyllave mbi të cilat qëndron ai shtet dhe ndaj vet sigurisë së tij. Luftës së tillë hibride i ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe gjuha e urrejtjes, e cila lidhet ngushtë me mosverifikimin e fakteve, duke qenë se shpesh buron nga dezinformata dhe manipulimi i qëllimshëm i realitetit dhe shpeshherë më të sulmuarat në këtë drejtim janë pikërisht gratë. Shpërndarja e dezinformatave krijon perceptim të gabuar. Një situatë e tillë shfrytëzohet nga ata që synojnë destabilizimin, duke e përdorur një diskurs përçarës që nxit urrejtje edhe dhunë. Në këtë mënyrë, mosverifikimi i fakteve nuk është vetëm një sfidë për gazetarinë, por është një katalizator që pastaj krijon polarizim shoqëror edhe konflikte të brendshme. Shteti ynë bashkë me kontributin e secilit prej jush është ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, të vërtetës, që siç e përmendi Jeta pikërisht pse është mbrojtur e është thënë në kohërat më të rënda të historisë sonë na e solli lirinë, por është edhe rezultat i vlerave të transparencës. Por, këto vlera nuk mund të mbrohen vetëm nga institucionet, por kërkojnë përgjegjësi kolektive dhe punë të gjithsecilit. Ndaj, sot, më shumë se kurrë, duhet t’i bashkojmë forcat. Të punojmë me media profesionale që i shërbejnë të vërtetës. Në kontekstin e sigurisë shtetërore, mosverifikimi i fakteve nuk është thjesht një problem etik apo profesional i medias, por shndërrohet në kërcënim serioz ndaj shtetit. Është detyrë e të gjithëve ta mbrojnë të vërtetën si një mburojë kundër këtyre kërcënimeve dhe strategjive destabilizuese, të cilat kanë për qëllim që shtetin tonë ta shndërrojnë në një shtet të pasuksesshëm. Akterë të huaj, veçanërisht Rusia dhe Serbia, siç e dini kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në procese demokratike në Kosovë. Media të mbështetura nga Rusia, si Sputnik, RT etj, kanë luajtur një rol në përhapjen e dezinformatave mbi integritetin zgjedhor të Kosovës dhe në nxitjen e tensioneve në rajonin tonë. Prandaj, na duhet vigjilencë jo vetëm shtetërore, por edhe vigjilencë gjithëshoqërore. Ne të gjithë duhet të jemi gardianë të verifikimit të fakteve. Nuk duhet të reshtim së verifikuari. Verifikim, verifikim dhe konfirmim i verifikimit, në mënyrë që të mos biem pre e këtyre tendencave dashakeqe në asnjë situatë. Na duhen edhe qytetarë të vetëdijshëm dhe këtu mund të kontribuojnë të gjithë nëpërmjet platformave siç edhe ju bashkëpunoni, në mënyrë që ata mos të bien pre e dezinformatave, por të kërkojnë burime të besueshme dhe të verifikojnë informacionin para se ta shpërndajnë. Liria e shprehjes është një ndër shtyllat e të drejtave dhe lirive themelore, e mbrojtur me Kushtetutë. Por, ajo nuk është e pakufizuar dhe nuk është absolute, siç e thotë edhe vet Kushtetuta jonë, e cila tregon se në cilat raste mund të kufizohet liria e shprehjes. Nuk është liri e shprehjes të thirrësh për vrasje, nuk është liri e shprehjes të bësh thirrje për dhunë, nuk është liri e shprehjes të kërkosh që dikush të vritet me plumb në ballë, nuk është liri e shprehjes të nxitësh urrejtje, nuk është liri e shprehjes ta rrezikosh sigurinë nacionale duke u bazuar në dezinformata, sigurinë nacionale të këtij shteti për të cilin keni kontribuuar secili prej jush, shtetit tonë të përbashkët, nuk është liri e shprehjes. Të bësh thirrje për vrasje, është krim, është vepër penale, jo liri e shprehjes. Të bësh thirrje që një
Presidentja Osmani kujton 26-vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa

26 vjet më parë, në bodrumin e familjes Vejsa, ndodhi një nga krimet më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 20 gra, fëmijë dhe një burrë –janë viktimat, të cilat u vranë mizorisht dhe më pas u dogjën, në një akt të pashpirt që synonte të shuante jo vetëm njerëzit, por edhe kujtesën e tyre. Por kujtesa nuk shuhet. Emrat e tyre mbeten të gdhendur në historinë e Kosovës si dëshmi e dhimbjes sonë kolektive dhe forcës për të kërkuar drejtësi. Familjet Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi nuk ishin thjesht viktima të një regjimi kriminal, po dëshmitare të guximit dhe sakrificës që sot frymëzon angazhimin tonë për të vërtetën dhe drejtësinë. Në këtë përvjetor, ne përkulemi me respekt përpara kujtimit të tyre dhe ripërsërisim thirrjen tonë: Secili që urdhëroi dhe kreu këto krime duhet të ndëshkohet. Dhembja mbetet, por bashkë me të edhe përkushtimi ynë që këto krime të mos harrohen kurrë. Lavdi kujtimit të tyre!
Presidentja Osmani priti në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Presidentja Osmani ka shkruar: Në takim me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, një mik i çmuar i Kosovës, propozova marrëveshje të avancuar strategjike në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila u mirëprit nga Sekretari Lammy. Diskutuam edhe për mbështetjen e palëkundur britanike për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, sigurinë rajonale, dialogun me Serbinë, bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Jemi të përkushtuar ta konkretizojmë këtë partneritet dhe të fuqizojmë më tej aleancën tonë me Mbretërinë e Bashkuar. Kosova mbetet e vendosur për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e paqes, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë.
Prononcimi i Presidentes Osmani lidhur me seancën konstituive

Kjo varet tërësisht nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si Presidente përgjegjësitë e mia kushtetuese janë që ta thërrasë këtë seancë konstituive. Besoj që nga dita e certifikimit të rezultateve deri në momentin kur mbahet seanca konstituive, veçse ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme, po ashtu, për organizuesit e seancës konstituive. Siç e dini Kuvendi duhet të bëj një sërë regjistrimesh e përgatitjesh teknike, ka kohë të mjaftueshme. Unë iu uroj sukses partive politike, i uroj sukses Kuvendit të Republikës së Kosovës që ai proces të shkoj sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë. Mirëpo, siç e dini si Presidente s’kam të drejtë vote, dhe pavarësisht se në të kaluarën mund të ketë pasur President që janë përzier në çështje të koalicioneve, unë i konsideroj ato çështje partiake, që sipas Kushtetutës nuk janë detyrë e imja. Por, jam besimplotë që institucionet përkatëse, në këtë rast deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë çmos që kjo të jetë seancë e suksesshme. Keni thirrje që mos të zvarritet krijimi i institucioneve, për shkak se edhe z. Lammy e tha që duhet një qeveri urgjentisht për shkak të bashkëpunimit? Është me rëndësi për qytetarët e Kosovës, por ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike, nuk është që globi na pret neve. Kështu që, është me rëndësi që sa më parë që të jetë e mundur, por gjithsesi brenda afateve kushtetuese të kemi së pari konstituimin e Kuvendit që është hap i parë dhe pastaj qeverinë e Republikës së Kosovës. Një Kuvend funksional, që e kryen edhe punën e mbikëqyrjes në raport me qeverinë, sepse Kosova ka shumë punë për të bërë. Prandaj, edhe një herë unë dua t’ju uroj suksese deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë të vetmit kanë të drejtë vote atë ditë pas betimit, me shpresën që konstituimi do të jetë i suksesshëm.
Deklarimi për media i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Sekretarit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy
Presidentja Osmani kujton 26 vjetorin e masakrës në Lybeniq

26- vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë kryen një nga masakrat më mizore ndaj popullit tonë, duke vrarë barbarisht 80 civilë në Lybeniq. Në mesin e tyre ishin fëmijë nga 18-muajsh deri në 17-vjeçar, gra të moshuara, si dhe një grua shtatzënë. Kjo masakër mbetet një dëshmi e dhimbshme e egërsisë së një regjimi kriminal dhe një plagë e pashëruar në historinë tonë. Sot dhe përherë, kujtojmë me nderim e pikëllim viktimat, ndërsa kërkojmë drejtësi për ta!
Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025.