Presidentja Osmani vizitoi komunën e Shtimes dhe atë të Ferizajt

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitave në komunat e vendit, ka vizituar sot komunën e Shtimes dhe atë të Ferizajt. “Një ditë e mrekullueshme gjatë vizitës në Shtime dhe në Ferizaj, komuna këto me plot potencial dhe energji rinore! Kur ka kaq shumë punë, pasion dhe vizion, e ardhmja është e ndritur!”, ka shkruar Presidentja.

Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, Presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe. Presidentja Osmani diskutoi me znj. Prattipati për arrestimin e djeshëm të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe në Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh. Porse, hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Presidentja theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës. Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie. Ajo falenderoi të gjitha institucionet e sigurisë për punën në mbrojtje të vendit dhe diskutoi me znj. Prattipati rreth bashkëpunimit të vazhdueshëm me SHBA në këtë drejtim. Presidentja poashtu e njoftoi znj.Prattipati edhe për hapa të tjerë konkret që do të ndërmarrë, brenda kompetencave të saj kushtetuese, për ta thelluar aleancën strategjike me SHBA-të, dhe për ta mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Polacit dhe asaj të Qabiqit

Në prillin e vitit 1999, Polaci dhe fshatrat përreth përjetuan njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb. Brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë. Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë. Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Rezallës

Më 5 prill 1999, në fshatin Rezallë të Drenicës, forcat e regjimit gjenocidal serb kryen një nga mizoritë më të rënda të luftës në Kosovë. Të rrethuar në shtëpitë e tyre, 98 djem e burra – banorë të Rezallës dhe të fshatrave përreth, u ekzekutuan në mënyrë çnjerëzore. Vrasja sikur nuk ju mjaftoi, ndaj zhdukën trupat e 44 prej viktimave, një akt tjetër i errët që synonte fshirjen e gjurmëve të gjenocidit. Disa prej këtyre trupave u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Rudnicë të Rashkës, në territorin e Serbisë. Masakra e Rezallës ishte pjesë e një plani sistematik të shtetit serb për shfarosje, duke dëbuar me dhunë shqiptarët nga toka e tyre, nëpërmjet përndjekjes, vrasjeve masive, dhunimeve, djegieve dhe shkatërrimit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, sikurse as duke i kujtuar dhe nderuar përheherë. Lavdi përjetë martirëve të Rezallës!

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev: Diskutuan për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve në veçanti në fushën e mbrojtjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Sofje, ka zhvilluar një takim bilateral me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. “Bullgaria është partnere dhe aleate e vazhdueshme e Kosovës. Në takim bilateral me Presidentin Rumen Radev, diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve në veçanti në fushën e mbrojtjes. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi Mbretin Abdullah II të Jordanisë: Diskutuan për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Jordanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Takimit Aqaba në Sofje, zhvilloi një takim bilateral me Mbretin Abdullah II të Jordanisë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në kuadër të Takimit Aqaba në Sofje, pata kënaqësinë që në një takim bilateral me Mbretin Abdullah II të Jordanisë të diskutojmë për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Jordanisë, sfidat e sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike. Do të forcojmë bashkëpunimin tonë në mbrojtje, ekonomi dhe diplomaci, me marrëveshje që do të konkretizohen së shpejti.

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Kralanit dhe asaj të Qupevës së Epërme

Sot, nderojmë viktimat e Masakrës së Kralanit në Gjakovë, në të cilën regjimi gjenocidal i Serbisë, pasi që i rrëmbeu nga kolona e të zhvendosurve, vrau dhe dogji 87 civilë, ndërsa 45 të tjerë i ekzekutoi brutalisht në Çupevë e Epërme dhe e Poshtme, Gllarevë, Përçevë, Sverkë dhe Gremnik të Klinës. Këto ngjarje janë dëshmi e përpjekjeve për shfarosje dhe spastrim etnik. 11 viktima të identifikuara nga Malisheva, Skënderaj dhe Klina nga Masakra e Kralanit u rivarrosën dje dhe sot, në përvjetorin e masakrës, në vendlindjet e tyre. Pas 26 vitesh pritjeje, Gjakova dhe e gjithë Kosova nderoi 11 viktima të Masakrës së Kralanit, e cila është njëra ndër krimet më monstruoze të forcave gjenocidale të Serbisë. Ne e kemi obligim që, në emër të së ardhmes, të kërkojmë llogari për të kaluarën. Drejtësia për ta ishte, është dhe do të jetë detyrë shtetërore, kombëtare dhe njerëzore. Kosova nuk harron! Lavdi për të gjithë martirët dhe të rënët për lirinë e vendit!

Presidentja Osmani në Takimin e Aqaba në Sofje: Me Mbretin Abdullah dhe presidentin Radev për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, po përfaqëson Republikën e Kosovës në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili po mbahet në Sofje. “Me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Takimin e Aqaba në Sofje, për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović: Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Bullgari, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, është takuar Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović. Presidentja Osmani ka shkruar: Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale. Prandaj, sot në Sofje takova mikun dhe mbështetësin e fuqishëm të Kosovës, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, të cilit i përcolla urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post. Me Kroacinë bashkëpunojmë në mbrojtje, në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër, sepse raporti ynë është i bazuar në besim reciprok. Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë.

This site is registered on wpml.org as a development site.