Presidentja Osmani me ftesë të Presidentit Erdoğan merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë. Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes. Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar. Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Presidentja Osmani: Që nga nata më e errët e luftës, e deri te mëngjesi i lirisë – Amerika ishte aty për ne!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë me Mario Nawfal, ka folur për rrugëtimin e Kosovës – nga e kaluara e dhimbshme e deri te ndërtimi i një djepi të lirisë me demokraci të fortë e me vizion për të ardhmen. Presidentja Osmani ka shkruar: Që nga nata më e errët e luftës, e deri te mëngjesi i lirisë – Amerika ishte aty për ne! Këtë aleancë synojmë ta forcojmë edhe më shumë bashkë me Presidentin Trump dhe Administratën e tij. Në një intervistë me Mario Nawfal, fola për rrugëtimin e Kosovës – nga e kaluara e dhimbshme e deri te ndërtimi i një djepi të lirisë me demokraci të fortë e me vizion për të ardhmen. Kosova do të qëndrojë: e pathyeshme, e palëkundur, e përjetshme. Ashtu si edhe aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Intervistën e plotë mund ta gjeni më poshtë!
Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut

Sot përkujtojmë me nderim të thellë përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ku ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë mizorisht 32 civilë. Ata u flijuan për lirinë tonë, në mbrojtje të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Kujtimi për ta dhe për martirët do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për ne dhe brezat që vijnë.
Presidentja: Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë

Sot, shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të Kosovës, miratimin e Kushtetutës sonë, që më 9 prill 2008 i vuri themelet juridike dhe institucionale shtetit tonë të pavarur. Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve. Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Sepse vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi. Një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij.
Presidentja Osmani: Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 26 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Beteja e Koshares, flakadani që nuk shuhet kurrë! Aty ku regjimi gjenocidal i Serbisë kishte ngritur murin ndarës me Shqipërinë, vajza e djem të UÇK-së, ngritën një ideal e mbollën guxim e frymëzim për breza të tërë. Aty ku dukej e pamundura, ata sollën fitoren. Kosharja ishte një akt i pastër besimi se për liri, populli i Kosovës është i gatshëm të paguaj çdo çmim. Lavdi përjetë dëshmorëve të lirisë!
Presidentja Osmani priti në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, të udhëhequr nga deputeti Alex Sobel dhe anëtarja e “City Leaders”, Cllr Helen Hayden. Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus në sektorët që kanë interes të ndërsjellë dhe për mundësitë konkrete të avancimit të projekteve të përbashkëta. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për hapat që po ndërmerren pas iniciativës së Presidentes për një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë, e cila është mirëpritur nga Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar. Presidentja Osmani, me këtë rast, nënvizoi se përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i mëtejshëm i lidhjeve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe sektorë të tjerë strategjikë, për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjithanshëm të dy shteteve.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, z. Matti Nissinen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Z. Matti Nissinen. Gjatë takimit, u diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me fokus të veçantë në fushat e sigurisë, arsimit dhe zhvillimit ekonomik. Presidentja Osmani e vlerësoi Finlandën si një partner të rëndësishëm të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja riafirmoi përkushtimin e Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin me Finlandën dhe për ta mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për vizitën e Presidentes Osmani në Finlandë, e cila do të realizohet nga fundi i këtij muaji. Kjo vizitë pritet të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe të thellojë bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani dekretoi 20 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga gjyqtarët e dekretuar, 12 janë gra dhe 8 burra. Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri. Presidentja Osmani theksoi se ndërtimi i një shteti të suksesshëm dhe demokratik është i mundur vetëm përmes një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe funksional. Ajo vuri në dukje se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë shtyllat kryesore për garantimin e barazisë para ligjit dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e Asamblesë Kombëtare të Francës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës. Presidentja Osmani u shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike. Ajo theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Francën dhe rolin e saj kyç në konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi. Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani potencoi mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces. Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj.
Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Romëve priti në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, priti sot në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, të kryesuar nga z. Albert Kinolli. Presidentja Osmani uroi kryetarin Kinolli dhe të gjithë qytetarët e komunitetit rom në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të reflektuar mbi sfidat dhe arritjet, si dhe për ta riafirmuar përkushtimin institucional ndaj të drejtave dhe barazisë së komunitetit rom. Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart kontributin përfaqësuesve të komunitetit rom dhe komunitetit rom në përgjithësi në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke e cilësuar zërin e tyre si thelbësor në proceset demokratike të vendit. Duke nënvizuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për fuqizimin e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, Presidentja Osmani vlerësoi punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe mekanizmave të tjerë që synojnë fuqizimin e pjesëmarrjes dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë për komunitetin rom. Presidentja Osmani potencoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore në fuqizimin e të rinjve rom, veçanërisht vajzave dhe grave, përmes programeve që rrisin qasjen dhe përfshirjen në sistemin arsimor. Ajo shtoi se përkushtimi për barazi nuk duhet përqendrohet vetëm në arsim, por edhe në krijimin e mundësive të barabarta për punësim dhe përfshirje aktive në jetën publike e institucionale të vendit.