...

Presidentja Osmani përkujton 26 vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha

Në Suharekë, më 26 mars 1999, 48 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga regjimi gjenocidal serb. Burra, gra e fëmijë u shënjestruan vetëm sepse ishin shqiptarë.

Në atë natë të tmerrit, u vranë mizorisht edhe 19 fëmijë. Çanta e Altinit, këpucët e Redonit dhe biçikleta e Kushtrimit, janë kujtimet e fundit të fëmijëve të pafajshëm që u shuan dhunshëm.

Nga kjo tragjedi, vetëm tre vetë mbijetuan – Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja.

Për të shpëtuar jetën e tyre, ata u hodhën nga kamioni në lëvizje, i cili po transportonte trupat drejt Prizrenit. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në atë kamion kishte edhe të tjerë që ishin ende gjallë, por të plagosur rëndë.

Të mbijetuarit janë dëshmi e krimit dhe e pritjes për drejtësi, prandaj dhimbja nuk do të shuhet kurrë, e as zëri ynë nuk do të heshtë. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.