Ishim sot në nderim të heronjve të Epopesë së Dukagjinit. 24 marsi shënon një prej datave më të lavdishme të historisë sonë, sepse këtu u bë një luftë heroike në mbrojtje të popullit shqiptar nga masakrat dhe nga sulmet më të ashpra të hegjemonisë serbe nën udhëheqjen e regjimit gjenocidal e fashist të Millosheviqit.
Familja Haradinaj dhe i gjithë Gllogjani u ngritën në këmbë për t’i shndërruar këto kulla në fortifikatë të lirisë dhe shumë prej atyre që luftuan ranë dëshmorë, e shumë të tjerë vazhduan që të kontribuojnë për lirinë e Kosovës. Prandaj, është borxh i yni si institucione të Kosovës, por mbi të gjitha si qytetarë të kësaj Republike, të lirë, sovrane e të pavarur që gjithnjë të nderojmë sakrificën e familjes Haradinaj dhe të gjithë atyre që ranë për liri si pjesë e Epopesë së Dukagjinit dhe betejave që u bënë në këtë anë të Kosovës, por t’i nderojmë edhe të gjithë heronjtë që ranë, jo vetëm në këtë datë, por çdoherë për lirinë tonë.
Siç e dini, sot nderojmë edhe përvjetorin e intervenimit të NATO-s, që pak a shumë tregon që bashkëdyzimi i luftës sonë çlirimtare në njërën anë dhe ndihmës së aleatëve tanë, më në fund e solli lirinë për të cilën u sakrifikua për breza dhe në të njëjtën kohë është mesazh që vetëm të bashkuar për Kosovën sovrane, por edhe me ndihmën e aleatëve tanë, Kosova mund të arrijë suksese historike, siç edhe ka arritur nëpërmjet çlirimit, pastaj pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Lavdi heronjve!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!
Ju faleminderit të gjithëve!
