DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues nga institucione dhe organizata që merren me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës për të diskutuar themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësues nga institucione dhe disa organizata të angazhuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në takim u diskutua për përgatitjet e Zyrës së Presidentes lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale, që buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës.

Të pranishmit përsëritën kërkesën për miratimin e Projektligjit për Persona të Zhdukur, në mënyrë që nevojat e familjarëve të të zhdukurve të adresohen. Njëherit, konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Presidentes për themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit Presidencial.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e të pranishmëve në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, dhe riafirmoi përkrahjen e saj në këtë proces të rëndësishëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.