Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit në vend, procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së. Në takim u diskutua gjithashtu për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim. Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës. Me këtë rast, Presidentja Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.
Presidentja: Vepra përbashkuese dhe fryma e Skënderbeut duhet të mbeten busulla jonë kombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Lezhën e Besëlidhjes, sot nderuam 581 vjetorin e unitetit shqiptar dhe përuruam shtatoren e Gjergj Kastriotit. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Lezhën e Besëlidhjes, sot nderuam 581 vjetorin e unitetit shqiptar dhe përuruam shtatoren e Gjergj Kastriotit – simbolit tonë të qëndresës dhe vizionit. Historia na mëson se bashkimi është forca jonë më e madhe. Prandaj, sot në këtë qytet të besëlidhjes, u bashkuan zërat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, arbëreshët nga Italia e shqiptarë nga treva të tjera shqiptare e nga mërgata, me mesazhin se vepra përbashkuese dhe fryma e Skënderbeut duhet të mbeten busulla jonë kombëtare.
Presidentja Osmani uron muajin e shenjtë të Ramazanit

Muaji i shenjtë i Ramazanit bartë në vete vlera të thella të përkushtimit, durimit dhe mëshirës. Ky është një muaj reflektimi, sakrifice dhe solidariteti, ku përmes agjërimit dhe lutjeve forcohet lidhja me besimin dhe me njëri-tjetrin. Ju uroj një Ramazan të begatë e të mbushur me paqe, harmoni dhe dashuri. Le të shërbejë ky muaj si një moment bashkimi dhe kujdesi për më të afërmit dhe për ata që kanë më shumë nevojë. Agjërim të lehtë dhe të pranuar!
Presidentja Osmani ngushëllon familjen, Grupin “Koha” dhe komunitetin e gazetarëve për ndarjen e parakohshme nga jeta të fotoreporterit Alban Bujari

Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Alban Bujarit, ikonës së fotografisë dhe dëshmitarit të pashoq të historisë sonë më të re. Nëpërmjet objektivit, ai dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke na lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie. Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë. Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, Grupit “Koha”, si dhe komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve! I përhershëm qoftë kujtimi për Alban Bujarin!
Presidentja Osmani kujton përvjetorin e Masakrës së Likoshanit dhe Qirezit

Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, në vatrën e rezistencës, në Drenicë. Aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderojmë me respekt të thellë ata që ranë për liri. Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme. Kujtimi për martirët mbetet i gjallë, ndërsa amaneti i tyre na obligon të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë!
Presidentja Osmani takoi ambasadorin francez Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu ishin të ftuar në darkë zyrtare të shtruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot. Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend. Në këtë takim, ndër të tjera, u diskutua edhe për procesin zgjedhor, certifikimin e rezultateve si dhe konstitiuimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare. Një theks i veçantë iu kushtua avancimit të bashkëpunimit dypalësh mes Kosovës dhe Francës, me fokus në projekte konkrete që mund t`i forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani priti në takim nxënësit e International Maarif Schools of Kosova, fitues në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM 2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim një grup nxënësish të International Maarif Schools of Kosova, të shoqëruar nga zëvendësdrejtoresha Azemine Kukaj, drejtori i shkollës z. Ömer Akpinar dhe zëvendësambasadorja e Turqisë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani përgëzoi nxënësit për suksesin e jashtëzakonshëm në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM 2024, ku ekipi prej 14 nxënësish fitoi gjithsej 19 medalje, përfshirë 3 vende të para në kategorinë prestigjioze “Best of the Best” për shkencë. Kjo arritje dëshmon përkushtimin e tyre dhe të institucionit arsimor International Maarif Schools of Kosova, pjesë e një rrjeti global që operon në mbi 43 vende të botës.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësues të disa organizatave joqeveritare në Kosovë, ku u diskutua rreth përgatitjeve për themelimin e Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale. Themelimi i këtij Komisioni rrjedh nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës, ndërsa procesi i funksionalizimit të tij do të vazhdojë në javët në vijim, në bashkëpunim me organizatat përfaqësuese të viktimave të luftës në Kosovë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e organizatave joqeveritare në proceset që lidhen me drejtësinë tranzicionale dhe falënderoi të pranishmit për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë proces.
Presidentja Osmani, pranon letër urimi nga Presidenti i Republikës së Senegalit, Bassirou Diomaye Diakhar Faye për 17-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës së Senegalit, Bassirou Diomaye Diakhar Faye, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Faye ka përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe popullin mik të Kosovës, duke shprehur dëshirat e tij për shëndet, lumturi dhe prosperitet. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Senegalit ka rikonfirmuar gatishmërinë për të forcuar lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Nausėda ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë, dhe ka shprehur besimin se ka ende potencial të pashfrytëzuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve politike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve. Presidenti lituanez ka theksuar gjithashtu qëndrimin parimor të Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe ka shprehur bindjen se të dyja vendet do të vazhdojnë të jenë të bashkuara në përballjen me sfidat globale. Duke riafirmuar mbështetjen e fuqishme të Lituanisë për rrugëtimin evropian të Kosovës, Presidenti Nausėda ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për të ndihmuar në avancimin e reformave evropiane dhe përkrahjen e aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në fund të mesazhit, Presidenti Nausėda ka shprehur vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy shteteve.