Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin italian në Kosovë, z. Antonello De Riu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, z. Antonello De Riu. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, çështjet e sigurisë, ecurinë e procesit zgjedhor, si dhe konstituimin e institucioneve pas certifikimit përfundimtar të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Në mes tjerash u diskutuan çështje të bashkëpunimit bilateral me fokus te mundësitë konkrete për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Presidentja Osmani priti në takim gjimnastet kampione motrat Lisa dhe Vilëza Zeqiri nga klubi i Gjimnastikës “Elita”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim gjimnastet kampione motrat Lisa dhe Vilëza Zeqiri, anëtare të klubit të Gjimnastikës “Elita” si dhe trajneren e tyre Abeliana Bregun. Vilëza dhe Lisa e njoftuan Presidenten Osmani për angazhimin e tyre në sportin e gjimnastikës, sukseset e vazhdueshme ndër vite në këtë sport dhe planet e tyre për të ardhmen. Po ashtu, edhe trajnerja e tyre Abeliana foli për sfidat që kanë në këtë sport dhe ecurinë e të ardhmes së klubit “Elita”. Presidentja Osmani theksoi se suksesi i Lisës dhe Vilëzës në gjimnastikë, tregon se sportistëve në secilin sport duhet t’u ofrohet mundësia për përkrahje në mënyrë që ata të arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare dhe t’i sjellin rezultate të mira Republikës së Kosovës, pasi ata janë promovimi më i mirë i vendit tonë.
Presidentja Osmani pret në takim ambasadorin suedez- nënshkruhet marrëveshja për mbështetje të presidencës me ekspertizë profesionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjos Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian. Gjithashtu gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani, Ambasadori Westerlund, dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Policy Research Group, Naim Rashiti, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetje e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë. Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e trevjetorit të fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it për të shënuar trevjetorin e fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës. Si e ftuara kryesore, Presidentja Osmani mbajti fjalimin qendror, duke riafirmuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe popullin e saj në përpjekjen për liri dhe sovranitet.
Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe mikut të Kosovës, Frank G. Wisner

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Frank G. Wisner, diplomat i shquar dhe mik i çmuar i Kosovës. Karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Z. Wisner ishte një njeri i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, duke vepruar me mençuri e integritet në momentet vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare. Kontributi i tij në çështjet globale, si dhe angazhimi i tij për Kosovën, do të kujtohen me mirënjohje dhe respekt të përjetshëm. Presidentja Osmani kishte nderin të punojë për së afërmi me Ambasadorin Wisner për vite të tëra dhe për herë të fundit bisedoi në telefon me të para pak muajsh për t’i uruar sukses në betejat shëndetësore me të cilat po përballej. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. I përhershëm qoftë kujtimi për diplomatin dhe mikun e Kosovës, Frank G. Wisner!
Fjalimi i Presidentes Osmani në shënimin e 3-vjetorit të fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës
Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Faik Rexhepit

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Faik Rexhepit, simbolit të pathyeshëm të rezistencës paqësore kundër regjimit serb. Faik Rexhepi mbetet një emër i skalitur në historinë tonë, një burrë që përballë dhunës dhe padrejtësisë zgjodhi të qëndrojë i palëkundur, këmbëkryq në mes të rrugës, si një akt i fuqishëm i mosdorëzimit. Skulptura e tij në sheshin “Zahir Pajaziti” është një dëshmi e përjetshme e guximit të tij dhe e idealit për liri. Kujtimi për të dhe mesazhi nga skulptura do të jetojnë përgjithmonë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Faik Rexhepin!
Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Si Kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajrami ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën. Sot, Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Qerkini, miqve dhe të gjithë atyre që mbështetën betejën e tij për të zhdukurit me dhunë. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Bajram Qerkinin!
Presidentja Osmani: Minatorët e Trepçës janë pishtarë të lirisë, dëshmitarë të guximit dhe krenari kombëtare

Më 20 shkurt 1989, në horizontet e minierës së Trepçës, jehoi zëri i fuqishëm i qëndresës shqiptare. Me shpirtin e pathyeshëm, minatorët nisën një grevë urie që tronditi themelet e padrejtësisë. Tetë ditë në galeritë nëntokësore, ata nuk kërkuan pasuri për vete, por të drejtat kushtetuese të Kosovës. Ata protestuan, duke sfiduar një regjim që donte ta shuante identitetin tonë kombëtar. Greva e tyre nuk ishte vetëm një akt sindikal, por një shpërthim i ndërgjegjes kombëtare. Nderim dhe kujtesë e përhershme për minatorët, të cilët ishin dhe mbeten pishtarët e lirisë, dëshmitarë të guximit dhe krenarisë sonë kombëtare.
Presidentja Osmani priti në takime të ndara të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ambasadorin gjerman dhe atë britanik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave, zhvilloi takime të ndara me përfaqësues të vendeve partnere, duke përfshirë të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Gjatë këtyre takimeve, u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjet e sigurisë, fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me shtetet respektive, ecurinë e procesit zgjedhor si dhe konstituimin e institucioneve pas certifikimit përfundimtar të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.