Presidentja Osmani pranon urime nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary May Simon, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Në mesazhin e saj, Guvernatorja e Përgjithshme ka theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve, të cilat bazohen në vlerat dhe qëllimet e përbashkëta, përfshirë angazhimin për paqe, stabilitet rajonal dhe demokraci. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për rrugën evropiane dhe transatlantike të Kosovës dhe ka vlerësuar përparimin e bërë në këtë drejtim. Sipas Guvernatores së Përgjithshme, mërgata kosovare në Kanada përfaqëson një komunitet të gjallë dhe të angazhuar që kontribuon ndjeshëm në shoqërinë kanadeze përmes trashëgimisë kulturore, angazhimit akademik dhe pjesëmarrjes në jetën sociale dhe ekonomike. Në përfundim të urimit, Guvernatorja e Përgjithshme ka shprehur dëshirën për të vazhduar forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimit në forume ndërkombëtare, duke uruar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për shëndet, lumturi dhe prosperitet në vitin e ardhshëm.
Princi i Kurorës së Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah uron Presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Princi i Kurorës së Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës “Me këtë rast ju përcjell urimet më të mira për shëndet të plotë e lumturi për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj mik, zhvillim e prosperitet të mëtejshëm”, ka thënë Princi i Kurorës, duke potencuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve.
Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Pavel ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik. Presidenti Pavel ka shprehur besimin e tij se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses, duke u bazuar në miqësinë dhe përkushtimin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe stabilitetin rajonal.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në urimin e tij, Presidenti Begaj ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti të pavarur, sovran dhe demokratik. Presidenti Begaj ka vlerësuar faktin që Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon, duke theksuar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Ai ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve “si dy shtete të një kombi me një të ardhme të përbashkët euroatlantike”. Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën në të gjitha sfidat e saj, përfshirë përpjekjet për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e saj, Presidentja Keller-Sutter ka shprehur kënaqësinë dhe urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e ngushta dhe të larmishme në mes dy vendeve. Sipas Presidentes zvicerane, këto marrëdhënie do të thellohen edhe më tej në vitet në vazhdim, duke u udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri.
Presidenti i Maldiveve, Dr. Mohamed Muizzu, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Maldiveve, Dr. Mohamed Muizzu, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Muizzu ka shprehur urimet e tij më të përzemërta për Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës, duke përcjellë përshëndetjet dhe dëshirat e sinqerta të popullit të Maldiveve në këtë ditë të veçantë për vendin tonë. Ai ka uruar Presidenten Osmani për shëndet dhe lumturi, ndërsa ka shprehur dëshirën e tij për progresin dhe mirëqenien e mëtejshme të qytetarëve të Kosovës.
Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Luise Mushikiwabo, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, znj. Luise Mushikiwabo, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e saj, Sekretarja e Përgjithshme ka vlerësuar kontributin e Kosovës në komunitetin frankofon që nga anëtarësimi i saj në OIF në vitin 2014, duke theksuar se ky anëtarësim pasuron diversitetin kulturor dhe gjuhësor të organizatës. Ajo ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet OIF dhe institucioneve të Kosovës, pas Samitit të 19-të të Frankofonisë në Villers-Cotterêts. Sekretarja e Përgjithshme ka nënvizuar se vendimet e marra gjatë këtij samiti, me fokus te rinia, kreativiteti, inovacioni dhe ndërmarrësia, ofrojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e mirëqenies së popullatës frankofone. Në këtë frymë, znj. Mushikiwabo ka ritheksuar mbështetjen e OIF për përpjekjet e Kosovës në promovimin e gjuhës frënge, duke inkurajuar më tej kontributin specifik të vendit në kuadër të bashkëpunimit frankofon.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Milanović ka shprehur urimet e përzemërta për Presidenten Osmani dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke dëshiruar progres dhe mirëqenie për vendin tonë. Ai ka vënë në pah marrëdhëniet tradicionale miqësore dhe të ngushta mes dy shteteve dhe ka theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, për të mirën e dy popujve. Presidenti kroat ka nënvizuar gjithashtu rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Kroacisë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore. Ai ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kroacisë për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet rajonale të bashkëpunimit, duke përfshirë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Presidenti i Panamasë, Jose Raúl Mulino Quintero, uron Presidenten Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Jose Raúl Mulino Quintero, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Mulino i ka përcjellë Presidentes Osmani urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, duke shprehur vullnetin e qeverisë së Panamasë për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Presidenti i Panamasë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke shprehur dëshirën që ato të vazhdojnë të avancojnë në vitet e ardhshme.
Sulltani i Bruneit, Hassanal Bolkiah, uron Presidenten Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Sulltani i Bruneit, Hassanal Bolkiah, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Sulltani Bolkiah ka theksuar marrëdhëniet e mira në mes Bruneit Darussalam dhe Republikës së Kosovës, duke vënë në dukje se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta dhe kanë bashkëpunim të frytshëm gjatë viteve. Sulltani Bolkiah ka shprehur dëshirën për ta forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.