Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Hungarisë, Dr. Tamás Sulyok, ka dërguar një mesazh urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur urimet më të përzemërta për të dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Sulyok ka theksuar mbështetjen e Hungarisë për zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar reformat e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që po ndërmerr Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Jemi të bindur se reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim do të përmbyllen me sukses sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ai, duke shprehur angazhimin e Hungarisë për ta mbështetur këtë proces. Gjithashtu, Presidenti Sulyok ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ai ka theksuar se shkëmbimet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë ndihmuar në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.  

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Në mesazhin e tij, Presidenti Milatović, ka ritheksuar angazhimin e përbashkët të Kosovës dhe Malit të Zi për forcimin e stabilitetit rajonal përmes dialogut politik dhe respektit të ndërsjellë. Presidenti Milatović ka vënë në dukje gjithashtu potencialin për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe turizmit. Duke rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor si një rrugë pa alternativë, Presidenti i Malit të Zi ka shprehur bindjen e tij se, përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe në përputhje me Agjendën e Reformave, do të arrihet progres i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një urim nga Presidenti i Republikës së Finlandës, Alexander Stubb, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti finlandez ka përcjellë urimet më të sinqerta për Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke dëshiruar prosperitet dhe mirëqenie. Gjithashtu, Presidenti i Finlandës ka shprehur pritshmëritë e tij për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në mes dy shteteve dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet aktuale të politikës së jashtme.

Presidenti i Estonisë, Alar Karis, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis. Në mesazhin e tij, Presidenti Karis ka potencuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë sot midis dy shteteve dhe ka shprehur dëshirën për ta forcuar më tej miqësinë në vitet e ardhshme, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe qeverisjes elektronike. Ai ka ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke konfirmuar gatishmërinë për të ndarë përvojën e Estonisë në procesin e integrimit në BE dhe reformat përkatëse.   Duke iu referuar takimit të fundit me Presidenten Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Presidenti Karis ka shprehur shpresën se diskutimi ka dhënë një shtysë të re për bashkëpunimin e ardhshëm dhe se iniciativat e diskutuara do të hapin rrugën për një bashkëpunim domethënës në fusha kyçe me interes të përbashkët.

Presidentja Vjosa Osmani ndan Dekorata Presidenciale me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, president Begaj, Zonja e parë Armanda Begaj, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të Qeverisë dhe të Kuvendit, Të nderuar ambasadorë, I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralejtant Bashkim Jashari, Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, Familje të heronjve e të heroinave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Të nderuara personalitete vendore dhe të huaja që keni kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Të nderuar të pranishëm, Shkëlqesi ambasadorë, Në 17-vjetorin e pavarësisë sonë po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn, në dekorimin e atyre që bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve, që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara. Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn ne nuk përkujtojmë vetëm një datë, por në fakt po nderojmë një epokë të lavdishme të popullit tonë. 17 vjet liri, 17 vjet shtet, por betejë shumë më e gjatë se kaq për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme. Në këtë ceremoni të veçantë kujtojmë dhe nderojmë ata që dhanë gjithçka për lirinë e këtij vendi. E tillë është familja Jashari, e cila është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë, i sakrificës dhe i heroizmit të pashoq. Në historinë e njerëzimit, rrallëherë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për idealin e shenjtë të lirisë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i dinjitetit kombëtar dhe motiv për mijëra ushtarë të UÇK-së. Nga plumbi i parë e deri tek qëndresa heroike e marsit ‘98, Jasharët nuk u thyen asnjëherë. Nuk u zmbrapsën asnjëherë. Ata në fakt, përqafuan pavdekësinë. 55 anëtarë të familjes Jashari dhe katër të afërm dhe fqinjë, në total 59, ranë në altarin e lirisë në mars të ‘98-s. Me të drejtë, komandanti Adem Jashari e Hamza, e shumë të tjerë, u nderuan me Urdhrin Hero i Kosovës. Kisha nderin që para dy vitesh t’ia dorëzoj urdhrin familjes Jashari për Komandantin legjendar. E sot titullin hero do t’ia ndajmë Shaban Jasharit, atij që inspiroi familjen dhe djemtë e tij, kryefamiljarit të Familjes Jashari e do të thosha kryefamiljarit të gjithë familjes së madhe të quajtur Kosovë. Por deri më sot, përveç Bacë Shabanit, Ademit e Hamzës, deri më sot Familja Jashari, si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk ishte dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Prandaj, kam nderin e jashtëzakonshëm që në emër të popullit të Kosovës sot do ta bëjmë dekorimin e Familjes Jashari në tërësi si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të secilit anëtar të kësaj familjeje që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Ky është një moment i rëndësishëm për të riafirmuar se shteti i Kosovës nuk e harron kurrë sakrificën sublime të historisë sonë, por e nderon atë në mënyrën më të merituar dhe në mënyrë të plotë. Me të njëjtin frymëzim e bazuar në vendime paraprake, të cilat sot do të zbatohen, sot do të dorëzojmë urdhrin Hero i Kosovës dhe Heroinë e Kosovës, respektivisht për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë, të cilët ranë ashtu siç jetuan, pra bashkë, bashkë e me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt. Ata nuk e ndanë asnjëherë jetën nga lufta. E ata këtë titull, pra titullin Hero i Kosovës, e vulosën me jetën dhe gjakun e tyre, duke dëshmuar se lufta për liri nuk ishte një sakrificë individuale, por një përkushtim i përbashkët edhe i burrave, edhe i grave që besuan se Kosova meritonte të ishte e lirë. E me këtë akt po bëjmë jo vetëm një vlerësim institucional, por edhe një konfirmim moral e historik se edhe kontributi i grave në luftën tonë çlirimtare nuk duhet të lejojmë të mbetet nën hije. Lufta nuk ishte vetëm e burrave, ajo ishte një betejë e përbashkët, ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë e shumë gra të tjera, të cilat sot do ta marrin titullin Heroinë e Kosovës, ashtu siç e meritojnë, sakrifikuan po aq sa edhe burrat, ndaj sot më në fund po marrin edhe vendin që atyre u takon në histori duke u ndarë urdhrin më të lartë, Urdhrin Heroinë e Kosovës. Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm betejë e burrave, por një përpjekje e përbashkët e gjithë popullit të Kosovës tregojnë se emrat e tyre do të mbesin përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare. Liria e Kosovës është edhe vepër e tyre, e forcës, e sakrificës dhe guximit që ato treguan në momentet më të errëta të historisë sonë. Ata që ranë në fushën e nderit, heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vunë mbi gjithçka idealin e lirisë, sakrifikuan jetën, në mënyrë që mos të lejojnë që historia të përsëritet me padrejtësi. Ata do të mbesin heronjtë tanë të përjetshëm, kujtimi i cilëve do të jetojë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare përgjithmonë. Prandaj, sot bazuar edhe në propozimet që kanë ardhur nga shoqatat e dala nga lufta, nga deputetë, nga familjarë e nga personalitete të tjera publike, do të ndahen një numër dekoratash për heronjtë që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre, në mënyrë që sot ne të gëzojmë lirinë. Të nderuar të pranishëm, Historia jonë njeh edhe heronj të gjallë, kontribuues për lirinë dhe pavarësinë tonë, që vijnë nga Republika e Shqipërisë dhe nga anë të ndryshme të globit. Sot kur kujtojmë sakrificën dhe përpjekjet e paepura për lirinë e Kosovës, është e rëndësishme të rikujtojmë rrënjët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lindura nga vendosmëria e burrave dhe grave që nuk u përkulën para padrejtësisë. Në vitin 1991, dy grupe themeluese të luftëtarëve të UÇK-së e nisën rrugëtimin e tyre drejt

Guvernatorja e Përgjithshme e Commonwealth-it të Australisë, Sam Mostyn AC, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Commonwealth-it të Australisë, Sam Mostyn AC. Në urimin e saj, Guvernatorja Mostyn i përcolli Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës urimet e përzemërta në emër të Qeverisë dhe popullit australian, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit në mes dy vendeve. “Më lejoni të shpreh besimin tim se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe në vitin e ardhshëm”, thuhet në urimin e Guvernatores Mostyn.

Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, uron Presidenten Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Bangladeshit, Mohammed Shahabuddin, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Shahabuddin ka vënë në dukje zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe midis Bangladeshit dhe Kosovës gjatë viteve të fundit, duke theksuar rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Presidenti Shahabuddin ka shprehur bindjen e tij se marrëdhëniet midis dy shteteve do të vazhdojnë të forcohen dhe të zhvillohen në vitet në vijim, duke kontribuar në përfitimin e ndërsjellë të qytetarëve.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së El Salvadorit, Nayib Bukele, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.   Në mesazhin e tij, Presidenti Bukele ka shprehur urimet më të sinqerta për Presidenten Osmani dhe për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë ditë si një simbol të forcës dhe përkushtimit të popullit të Kosovës ndaj historisë dhe identitetit të tyre.   Duke përgëzuar përparimin që ka arritur Kosova, Presidenti Bukele ka ripotencuar vullnetin e El Salvadorit për t`i forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.   Në fund të mesazhit, Presidenti Bukele ka përcjellë urimet më të mira për mirëqenie, prosperitet dhe sukses për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo festë duhet të jetë një burim gëzimi dhe një angazhim ndaj idealeve që kanë formësuar shtetin e Kosovës.

Presidentja sllovene Nataša Pirc Musar uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.   Në mesazhin e saj, Presidentja Pirc Musar ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.   Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, uron Presidenten Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Van der Bellen ka theksuar lidhjet e forta që bashkojnë Austrinë dhe Kosovën, duke vënë në dukje se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta evropiane dhe qëndrime të ngjashme mbi shumë çështje. Presidenti austriak ka rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën dhe ka siguruar se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej në rrugën evropiane të Kosovës.  

This site is registered on wpml.org as a development site.