Presidentja Osmani: Së bashku për një Kosovë të barabartë për të gjithë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fundvit ka pritur anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe një grup fëmijësh nga të gjitha komunitetet. Presidentja Osmani ka shkruar: Në fundvit, kisha kënaqësinë të mirëpres edhe anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe një grup fëmijësh nga të gjitha komunitetet. Kosova i përket të gjithë qytetarëve të saj, por mbi të gjitha fëmijëve tanë – gjeneratës së ardhshme të udhëheqësve. Së bashku për një Kosovë të barabartë për të gjithë!
Presidentja: Në përfundim të vitit, e rrethuar nga më të vegjlit, udhëheqësit e së nesërmes!

Preaidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përfundim të vitit ka pritur më të vegjlit. “Në përfundim të vitit, e rrethuar nga më të vegjlit, udhëheqësit e së nesërmes! Pasioni dhe vizioni i tyre na frymëzojnë për të vazhduar investimin në të ardhmen e tyre. Ata janë shpresa për një të ardhme edhe më të ndritshme”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. “Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada. Njëkohësisht si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dekreton njëzet e katër prokurorë të rinj

Presidentja Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot njëzet e katër (24) prokurorë, pothuajse gjysma prej tyre gra. Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, prokurorët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale”. Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e integritetit, pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve, si elemente thelbësore për një sistem që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje prokurorëve të rinj që të mos kenë kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
Presidentja Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Katedralen Nëna Terezë dhe më pas vizitoi familjen Filipaj

Mbrëmë në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Presidentja Osmani bashkë me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes. Duke uruar ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin dhe komunitetin katolik, Presidentja Osmani theksoi se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. “Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ia shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa”, ka theksuar Presidentja Osmani në fjalimin e saj. Ndërkaq pas ceremonisë në Katedrale, Presidentja Osmani me Zotërinë e Parë dhe vajzat, ishin mysafir në darkën e Krishtlindjes në familjen Filipaj në Prishtinë. “Mikpritja dhe ngrohtësia e tyre është një dëshmi e kuptimit të vërtetë të kësaj feste. Le të vazhdojmë të tregojmë mirësi ndaj njëri-tjetrit dhe ta ushqejmë frymën e Krishtlindjes gjatë gjithë vitit”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani sonte në festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Mirëmbrëma të gjithëve! I nderuari ipeshkv i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, I nderuar Kryeministër Kurti, Zëvendëskryeministre, ministra, deputetë, kryetarë të partive politike, kryetarë komunash, I nderuar kryemyfti, njerëz të dijeve e të artit, Miq të dashur, Jam shumë e lumtur që sonte, në natën e Krishtlindjes, në këtë festë dashurie, bashkimi e shprese gjendemi këtu së bashku në Katedralen e së shenjtës sonë Nënë Terezës për të festuar. Prandaj, më lejoni që duke kujtuar karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij, të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë, atë të Nënës Terezë. T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të. Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që e simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe bashkimin tonë. Të nderuar të pranishëm, Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë. Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë! Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre. Kështu, botën përreth nesh e bëjmë edhe më të bukur. Le ta kujtojmë thënien: Është më i bekuar ai që jep dhurata sesa ai që i pranon ato. Dhënia, në fund të fundit, e shpërndan gëzimin e Krishtlindjes shumë e gjerë. Krishtlindja na kujton se drita e gjen gjithmonë rrugën karshi errësirës dhe se dashuria ka fuqinë t’i transformojë edhe zemrat më të ngurta. Pra, ndërsa festojmë, le ta përqafojmë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes. Le të qeshim, të festojmë e të krijojmë kujtime që do të zgjasin një jetë të tërë! Le t’i kujtojmë ata që nuk mund të jenë me ne dhe t’i mbajmë afër në zemrat tona! Le t’i kujtojmë po ashtu, siç e thashë, edhe ata që kanë më së shumti nevojë dhe më e rëndësishmja, le ta mbajmë me vete frymën e Krishtlindjes shumë kohë, edhe pasi dekorimet të jenë larguar. Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e këtij çasti të bukur! Qofshin ditët tuaja të mbushura me dashuri, me paqe dhe gëzim të pafund! Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, me shumë gëzim e paqe në familjet e tyre dhe gjithë Republikën e Kosovës! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!
Presidentja Osmani: Festa e Krishtlindjes në mesin e ushtarëve të shumtë në Bondsteel, të cilët edhe këtë festë janë larg familjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e festës së Krishtlindjes ka vizituar ushtarët në kampin Bondsteel. “Festa e Krishtlindjes në mesin e ushtarëve të shumtë në Bondsteel, të cilët edhe këtë festë janë larg familjes, por të bashkuar me qytetarët e Kosovës rreth vlerave të paqes, unitetit e dashurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Urimi i Presidentes Osmani për Krishtlindje

Festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës. Në këtë ditë ne çmojmë posaçërisht lidhjet dhe traditat që na bashkojnë. Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave, duhet të triumfojë shpresa. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje me shumë dashuri, gëzim dhe paqe! Le të na frymëzojë kjo festë për një të ardhme me shpresë të pakufishme! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!
Presidentja Osmani nderohet me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence, për angazhimin e saj të palëkundur në ruajtjen dhe forcimin e shtyllave themelore të shtetësisë së Kosovës. Gjatë ceremonisë solemne të mbajtur në Tiranë, çmimi u pranua në emër të Presidentes Osmani nga këshilltarja e saj, znj. Donika Kadaj. Ky vlerësim prestigjioz u dha në shenjë mirënjohjeje për rolin e rëndësishëm të Presidentes Osmani në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe për përpjekjet e saj të vazhdueshme në fuqizimin e aleancave strategjike me aleatët ndërkombëtarë. Po ashtu, çmimi vlerëson udhëheqjen e saj vizionare në promovimin e drejtësisë për viktimat e dhunës gjatë luftës dhe për ngritjen e imazhit ndërkombëtar të Kosovës. “Kosova është një shtet i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe mbi një histori krenarie, rezistence dhe lufte për liri e drejtësi. Këto sakrifica na kujtojnë përherë përgjegjësinë tonë për të mbrojtur dhe avancuar sovranitetin, shtetësinë dhe integritetin tonë territorial. Presidentja Osmani ka qenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e këtyre vlerave, duke i vendosur ato në qendër të agjendës së saj kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi znj. Kadaj gjatë fjalës së saj në ceremoni. “Përmes angazhimeve të saj institucionale, Presidentja Osmani ka forcuar partneritetet strategjike me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke siguruar që Kosova të njihet si një shtet demokratik dhe i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit global,” shtoi znj. Kadaj. Ky çmim i veçantë thekson rolin qendror të Presidentes Osmani si një mbrojtëse e vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare, duke e afirmuar Kosovën si një partner të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj paqes e stabilitetit global dhe duke fuqizuar aleancat si një ndër shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës.
Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën e përbashkët të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar Kryetarë të Kuvendeve, z. Konjufca dhe znj. Spiropali, Të nderuar Kryeministra Kurti dhe Rama, Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve, Të nderuar qytetarë të Kosovës, Shqipërisë dhe Shqiptarë nga kudo që na ndiqni sot, Zonja dhe zotërinj, të dashura motra e vëllezër, Është nder t’ju drejtohem në këtë sesion të përbashkët të parlamenteve tona – në një takim që pasqyron jo vetëm trashëgiminë tonë të përbashkët, por edhe vendosmërinë tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme të denjë të mbështetur nga vizioni dhe synimet e popullit tonë, i cili ka treguar përherë një forcë të jashtëzakonshme dhe një angazhim të pa kompromis për liri, drejtësi dhe mirëqenie. Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim – një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje edhe më të palodhshme. Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjeshtë një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme. Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve – liderëve, institucioneve dhe gjithsecilit qytetar. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane. Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori, në sakrifica të panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike; është një themel i pathyeshëm, mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur e cila po ndërtohet dita-ditës. Të dy parlamentet tona, si tempuj të demokracisë, kanë një rol vendimtar në forcimin e lidhjeve tona dypalëshe dhe në avancimin e interesave të qytetarëve tanë. Të njëjtën përgjegjësi e bartim secili e secila nga ne. Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve, Derisa na keni mbledhur sot të gjithëve këtu, në një kohë kur Shqipëria po bën hapa vendimtar në rrugën e saj evropiane. Dua të shpreh urimet e mia të përzemërta për liderët e Shqipërisë, Parlamentin e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e saj për sukseset e deritashme në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo arritje është krenari jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo tregon se përmes vendosmërisë, punës e reformave, shtetet tona dhe rajoni ynë mund të sigurojnë vendin e merituar në familjen evropiane. Edhe Kosova, si përherë, mbetet me përkushtim të palëkundur për integrimin në Bashkim Evropian dhe angazhimi ynë në këtë drejtim është i çdoditshëm. Aspirata jonë për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, por pasqyrim i asaj se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë, pra pasqyrim i identitetit tonë dhe i vizionit tonë. Kombi ynë mbrojti portën e fundit të Evropës, qindra vite para sa të themelohej Bashkimi Evropian, prandaj vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja – sot qëndrojnë edhe në vet themelet e kombit tonë. Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten, për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. Bashkimi Evropian do të jetë më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Anëtarësimi i Kosovës në NATO, ndërkaq do t’i japë përfundimisht fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës. Për të arritur këtë të ardhme të përbashkët, është jetike që ne ta forcojmë vazhdimisht koordinimin, komunikimin e bashkërendimin ndërmjet dy shteteve tona. Në veçanti është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme si dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje të pavarësisë së arritur me aq shumë sakrifica të Republikës së Kosovës si dhe sovranitetit të shtetit tonë e po ashtu bashkëpunimi i vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë ata. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i kanë sytë kah na. Atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat në mënyrë flagrante përderisa bota demokratike po i mbyll sytë para këtyre shkeljeve. Ne duhet ta ngrisim zërin më shumë sesa kurrë më parë në mënyrë që të ndërpriten këto shkelje ndaj popullit shqiptar të cilët jetojnë në këto treva. Ndërkaq derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut. Ne nuk duhet as të qëndrojmë të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta. Të nderuar kryetarë të kuvendeve, kryeministra, deputetë Të nderuar qytetarë, Për Kosovën, Shqipëria ka qenë gjithmonë më shumë se një shtet motër. Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur, duke na qëndruar pranë në çdo hap të rrugëtimit tonë – që nga ditët e luftës e të çlirimit dhe në çdo hap të ndërtimit të shtetit tonë të lirë e sovran. Edhe sot, Shqipëria mbetet një shtyllë e fortë e mbështetjes sonë. Për këtë, populli i Kosovës do të jetë gjithnjë mirënjohës. Në këtë takim të përbashkët të dy parlamenteve, shpreh vlerësimin tim të thellë për të gjithë deputetët puna e të cilëve është po ashtu jetike për prosperitetin e shteteve tona. Përkushtimi juaj për demokracinë, përparimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë është një dëshmi e unitetit dhe forcës së popullit tonë. Zëri i deputetëve të Shqipërisë, qoftë në Këshillin