DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Hungarisë, Dr. Tamás Sulyok, ka dërguar një mesazh urimi për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur urimet më të përzemërta për të dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Sulyok ka theksuar mbështetjen e Hungarisë për zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar reformat e rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale që po ndërmerr Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Jemi të bindur se reformat e nevojshme për arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim do të përmbyllen me sukses sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar ai, duke shprehur angazhimin e Hungarisë për ta mbështetur këtë proces.

Gjithashtu, Presidenti Sulyok ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Ai ka theksuar se shkëmbimet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë ndihmuar në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.