Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Presidenti Nausėda ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë, të cilat bazohen në respektin e ndërsjellë, dhe ka shprehur besimin se ka ende potencial të pashfrytëzuar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve politike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
Presidenti lituanez ka theksuar gjithashtu qëndrimin parimor të Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe ka shprehur bindjen se të dyja vendet do të vazhdojnë të jenë të bashkuara në përballjen me sfidat globale.
Duke riafirmuar mbështetjen e fuqishme të Lituanisë për rrugëtimin evropian të Kosovës, Presidenti Nausėda ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për të ndihmuar në avancimin e reformave evropiane dhe përkrahjen e aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në fund të mesazhit, Presidenti Nausėda ka shprehur vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy shteteve.
![]() |
![]() |