Presidentja Osmani përgëzon deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare: Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Presidentja Osmani ka shkruar: Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi. 🇽🇰
Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë e bipartizan në udhëheqjen e Presidentes Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self. “Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse. Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”. Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar. Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj. Kjo mbështetje e qartë nga një prej figurave kyçe të politikës së jashtme në Kongresin amerikan përbën një konfirmim të fuqishëm të besimit në lidershipin e Presidentes Osmani dhe në drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani i ndan Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” Dr. Patrick “Paddy” Dewan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë dje Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” Dr. Patrick “Paddy” Dewan, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ofrimin e ndihmës profesionale mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të rralla tek fëmijët në Kosovë. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se përgjatë viteve, Dr. Dewan ka punuar krah për krah me mjekët tanë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike. Presidentja vlerësoi përkushtimin e dr. Dewan edhe për angazhimin e tij për të sjellë pajisjet e nevojshme për ndërhyrjet kirurgjike me mbështetjen e çmuar të komunitetit shqiptar në Australi. Medalja Presidenciale “Shën Tereza” iu nda Dr. Dewan në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe përkushtimin shumëvjeçar për trajnimin të kuadrit mjekësorë nga Kosova dhe në shërbim të fëmijëve të Kosovës.
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve. Në takim u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Osmani priti përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, shpreh mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, nga të cilët është njoftuar për organizimin e marshit qytetarë të 17 shkurtit në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, vlerat e luftës çlirimtare, si dhe për përgjegjësinë për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj. Presidentja Osmani theksoi se e mbështet çdo iniciativë qytetare që kërkon drejtësi, duke nënvizuar se Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit dhe rezultat i një sakrifice shekullore. Ajo rikujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër për liri, ndërsa gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit minon besimin në drejtësi dhe dëmton paqen afatgjatë, duke riafirmuar se e vërteta historike për luftën çlirimtare nuk mund të tjetërsohet dhe as të rishkruhet. Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Presidenten e Republikës për pritjen dhe mbështetjen, duke ftuar qytetarët që më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, të bashkohen në Prishtinë për marshin me moton “Drejtësi, jo politikë.”
Presidentja Osmani: Kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në përputhje me kushtetutën e Kosovës, ka caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju priftë e mbara!
Presidentja Osmani uron znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe nënkryetarët e Kuvendit: Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe nënkryetarët e Kuvendit. Urimi i plotë i Presidentes Osmani: Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë. Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës. Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike. Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë! Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!
Presidentja: Patëm nderin të mirëpresim delegacionin e lartë të dërguar nga Presidenti i Emirateve – me një mision të qartë: mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas takimit të shkëlqyeshëm me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, javën e kaluar në Abu Dhabi, sot patëm nderin të mirëpresim në Kosovë delegacionin e lartë të dërguar personalisht prej tij – me një mision të qartë: mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë. Delegacioni i dërguar nga Presidenti i Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan është udhëheq nga Dr. Ahmed Mubarak Al Mazrouei Kryetar, Zyra e Presidentit për Çështje Strategjike, pjesë e të cilit ishin edhe: Dr. Maha Tayseer Barakat – Ndihmës Ministre për Çështjet Mjekësore dhe Shkencat e Jetës, Ministria e Punëve të Jashtme, Dr. Noura Khamis Al Ghaithi – Nënsekretare e Departamentit të Shëndetësisë Abu Dhabi, Mohamed Haji Al Khoori – Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit Khalifa bin Zayed Al Nahyan, Mohammed Ateeq Al Marar – Zëvendësdrejtor i Divizionit të Projekteve Teknike të Inxhinierisë C, Khamis Rashid Alshemeili – Ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Mohamed Rashid Alsuwaidi – Drejtor Ekzekutiv për Çështjet e Protokollit dhe Yousof Naser Abdulla Albuainain Almazroeui – i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Podgoricë. Presidentja Osmani ka shkruar: Pas takimit të shkëlqyeshëm me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, javën e kaluar në Abu Dhabi, sot patëm nderin të mirëpresim në Kosovë delegacionin e lartë të dërguar personalisht prej tij – me një mision të qartë: mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e shëndetësisë, si dhe thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe përmes projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Së bashku me delegacionin e Emirateve dhe Ministrin Vitia u mirëpritëm nga stafi e menaxhmenti i QKUK, prindër e fëmijë në spitalin e fëmijëve Sheikha Fatima, të ndërtuar nga Emiratet, si dhe vizituam lokacionin ku do të ndërtohet spitali i ri i gjinekologjisë në Prishtinë, i cili bazuar në dakordimin tonë paraprak do të bëhet me mbështetje të Emirateve. Mëpastaj vizituam Mitrovicën ku u pritëm nga Kryetari Faton Peci dhe diskutuam edhe idenë e një projekti të ri transformues në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë. Mirënjohje e thellë për Lartësinë e tij, Presidentin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe për Lartësinë e saj, Sheikha Fatima Bint Mubarak, për mbështetjen, besimin dhe miqësinë e sinqertë ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit më 11 shkurt në orën 12:00

Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00.
Deklaratë e Presidentes Osmani

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme. Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.