Presidentja Vjosa Osmani kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu

Më 28 mars 1999, në Podujevë, 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, gra dhe fëmijë të pafajshëm, u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Kjo masakër mbetet dëshmi e egërsisë së një regjimi që nuk kurseu as jetët më të pambrojtura. Fëmijët që duhej të rriteshin në paqe, dhe gratë që mbanin familjet, u vranë barbarisht vetëm pse ishin shqiptarë. Dhimbja për ta është e përhershme, ndërsa drejtësia për krime të tilla mbetet një detyrim që nuk shuhet me kohën. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët!
Presidentja Vjosa Osmani: Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë, është poashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë

27 vjet më parë, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë, në mesin e tyre edhe një foshnje 6-muajshe, Dafina Qelaj. Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë. Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është poashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë. Krimet e Serbisë, të cilat u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit tone, duhet të përballen me drejtësinë. Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët!
Presidentja Osmani: Falë punës së kampionëve tanë dhe vizionit të Federatës së Xhudos së Kosovës, vendi ynë është shndërruar në një kryeqendër botërore të xhudos

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë ka vizituar Qendrën Nacionale të Xhudos. Presidentja Osmani ka shkruar: Kisha kënaqësinë që para disa ditësh të vizitoj Qendrën Nacionale të Xhudos! Kryemjeshtër Toni, Majlinda, Distria, Laura dhe i gjithë ekipi i shkëlqyer, çdoherë kur jam pranë jush, ndjej forcën e disiplinës, shpirtin e kampionëve dhe dashurinë e madhe për Kosovën. Mirënjohje të veçantë edhe për ekipet nga Ukraina, Amerika dhe Japonia, që zgjedhin Kosovën si vendin ku stërviten, rriten dhe sfidojnë veten çdo ditë. Sot, falë punës suaj dhe vizionit të Federatës së Xhudos së Kosovës, vendi ynë është shndërruar në një kryeqendër botërore të xhudos, ku talentet nga të gjitha anët e globit vijnë për t’u përgatitur me më të mirët. Faleminderit për pritjen!
Presidentja Osmani: Më 27 mars 1999, në lagjen “Dardania” në Pejë, u shënua një nga ditët më të rënda të historisë sonë nga lufta e fundit

Më 27 mars 1999, në lagjen “Dardania” në Pejë, u shënua një nga ditët më të rënda të historisë sonë nga lufta e fundit. 40 burra, gra dhe fëmijë u ekzekutuan barbarisht nga forcat serbe, derisa ishin në shtëpitë dhe lagjen e tyre. Një krim që nuk synonte vetëm jetët e tyre, por vetë njerëzoren. Sot, i kujtojmë me dhimbje dhe respekt. Por kujtesa nuk është vetëm dhimbje. Është edhe përkushtim për drejtësi dhe përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme ku krime të tilla nuk përsëriten më. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri në lagjen “Dardania”!
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe zhvillimet aktuale. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si historikisht ashtu edhe gjatë mandatit të saj, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe diplomacisë. Presidentja vlerësoi rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në përkrahjen e Kosovës në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Të dy palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit. Në fund të takimit, u përmend edhe ndeshja e ardhshme kualifikuese për FIFA World Cup 2026 qualifiers ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, me ç’rast u shpreh dëshira që kjo përballje të karakterizohet nga fryma sportive dhe respekti i ndërsjellë.
Presidentja Osmani: 27 vjet më parë, Nëna Ferdonije përjetoi dhimbjen që nuk shuhet kurrë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 27 vjet më parë, Nëna Ferdonije përjetoi dhimbjen që nuk shuhet kurrë. Presidentja Osmani ka shkruar: 27 vjet më parë, Nëna Ferdonije përjetoi dhimbjen që nuk shuhet kurrë. Katër djemtë dhe bashkëshorti i saj, u rrëmbyen dhunshëm nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, një copë e së vërtetës është zbuluar. Por për dy djemtë e tjerë dhe bashkëshortin, pritja vazhdon. Një pritje që nuk është vetëm e saj, por e gjithë shoqërisë sonë. Një plagë që ende nuk është mbyllur. Historia e saj është histori e dhimbjes, por edhe e forcës së jashtëzakonshme. Është dëshmi se dashuria e një nëne nuk dorëzohet kurrë, se kujtesa nuk zbehet dhe se kërkimi për drejtësi nuk ndalet. Përkulemi me respekt para qëndresës së saj dhe ritheksojmë zotimin tonë për ta vënë drejtësinë në vend.
Nëntë anëtarë të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhanë betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sot e kanë dhënë betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja Osmani u uroi suksese anëtarëve të rinj, duke vlerësuar faktin se sistemi jonë zgjedhor gjithmonë i ka kontribuar demokracisë në vend. Në anën tjetër, anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u betuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndershme, besnike, të paanashme, profesionale dhe të ndërgjegjshme.
Presidentja: Në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, ku qindra burra e djem, fëmijë e gra u shuan mizorisht dhe ku mungesa e të zhdukurve ende rëndon mbi tokë si një heshtje e papërfunduar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë sot në tubimet përkujtimore, në 27 vjetorin e masakrave në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot nuk ishte thjesht një përkujtim. Ishte një rikthim në kujtesën që nuk shuhet dhe në dhimbjen që nuk pranon të bëhet e shkuar. Pas shumë vitesh pritjeje dhe dhimbjeje, ne Krushë te Vogël ia dhamë lamtumirën e fundit Ajvaz Shehut, deri tash i zhdukur me dhunë. Ai ishte vetëm 15 vjeçar kur u vra, ndërkaq për 27 vite, nëna e tij, shpresonte se do ta gjente djalin e saj. Në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël, ku qindra burra e djem, fëmijë e gra u shuan mizorisht dhe ku mungesa e të zhdukurve ende rëndon mbi tokë si një heshtje e papërfunduar, çdo hap dukej sikur prekte historinë e gjallë. Një realitet ku edhe përpjekja e Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e krimit me zjarr nuk arriti ta shuajë të vërtetën, por e bëri atë edhe më të fortë, edhe më të pashlyeshme. E megjithatë, në këtë hapësirë ku dhimbja ka zënë vend si një ligj i pashkruar, jeta nuk është tërhequr. Në sytë e fëmijëve të rritur pa prindër, në heshtjen që nuk është dorëzim, por kujtesë, në luftën e pareshtur për drejtësi, shfaqet një qëndresë që i ngjan vetë historisë së Kosovës. Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël nuk janë vetëm kujtesë e krimit, por kufij moralë të një historie që kërkon drejtësi dhe nuk pranon të mbyllet në heshtje. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!
Fjalimi i Zotërisë së Parë në takimin e nivelit të lartë të koalicionit global “Fostering the Future Together” në Shtëpinë e Bardhë
Kosova në Shtëpinë e Bardhë: Zotëria i Parë Prindon Sadriu përfaqësoi vendin në Samitin inaugurues të organizuar nga Zonja e Parë Melania Trump

Zotëria i Parë Prindon Sadriu mori pjesë në Samitin inaugurues të Koalicionit botëror “Fostering the Future Together”, me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump. Ngjarja kryesore u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, ku Kosova, e përfaqësuar nga Zotëria i Parë, z. Sadriu, ishte ndër 8 vendet e vetme të përzgjedhura për të mbajtur fjalimin kryesor të rastit, nga 45 vende pjesëmarrëse. Në fjalimin e tij, ndër të tjera, z. Sadriu falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen vendimtare ndaj Kosovës, si dhe theksoi përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve përmes edukimit, inovacionit dhe teknologjisë, duke vendosur gjithmonë mbrojtjen e tyre në qendër të zhvillimit digjital. Në dhjetor 2025, me iniciativë të Presidentes Vjosa Osmani, Presidentja dhe Zotëria i Parë, njoftuan zyrtarisht vendimin e Kosovës për t’u bashkuar me koalicionin global “Fostering the Future Together”. Samiti dyditor filloi me takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku Zotëri Sadriu u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Zv. Sekretarin e Shtetit, Christopher Landau, dhe zhvilloi biseda me përfaqësues të kompanive kryesore të teknologjisë si OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications. Diskutimet u fokusuan mbi mënyrat se si Kosova mund të përfitojë nga këto platforma dhe shërbime për të mbështetur edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit tregon jo vetëm vlerësimin ndërkombëtar për vendin tonë, por edhe përkushtimin e Kosovës, si dhe të Presidentes Vjosa Osmani, për të siguruar mundësi reale digjitale dhe edukative për brezin e ri. Ky është një moment historik, që konfirmon Kosovën si një partner aktiv dhe i besueshëm në nismat globale për të ardhmen e fëmijëve.