Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, Zotëria i Parë u prit në Smithsonian National Museum of American History në Washington D.C.

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C., u prit për vizitë në Smithsonian National Museum of American History nga drejtoresha e muzeut, Anthea M. Hartig. Vizita, e cila u zhvillua në përvjetorin e 27-të të ndërhyrjes së NATO-s, u fokusua në rolin vendimtar të aleancës në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe në rëndësinë e kujtesës historike në ruajtjen e paqes dhe lirisë. Gjatë vizitës, ai pa nga afër ekspozita që pasqyrojnë momente kyçe të historisë amerikane, përfshirë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të lirisë në mbarë botën, përfshirë në Kosovë. Zotëria i Parë Sadriu, me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, qëndroi në vizitë zyrtare dyditore në Washington D.C., ku mbajti fjalim në sesionin kryesor në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të samitit global “Fostering the Future Together”, si dhe takoi miq të shumtë të Kosovës, përfshirë anëtarë të kabinetit të Presidentit Trump, Zonja dhe Zotërinj të Parë nga shtete anekënd botës dhe me kompani të mëdha teknologjike amerikane.
Presidentja Osmani: Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri

Sot, me nderim dhe përulje, kujtojmë 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri. Më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale në këtë zonë, duke u përballur me guxim me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, të cilat kishin rrethuar fshatin dhe në mënyrë të veçantë familjen Haradinaj, e cila u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri. Në atë ditë të lavdishme, ranë për liri dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare. Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri. Ajo mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!
Presidentja: Mirënjohje e përhershme për gra e burra të NATO-s, të cilët qëndruan në anën e drejtë të historisë

Në përvjetorin e fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kujtojmë një nga momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne. Më 24 mars 1999, përballë një tragjedie njerëzore nga veprimi gjenocidal i Serbisë, aleanca ushtarake më e fuqishme e botës demokratike ndërmori veprime vendimtare për të ndalur mizorinë e regjimit kriminal. Ky ishte një akt që i dha fund një epoke të errët dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe paqes. “NATO air, just do it” mbetet simbol i thirrjes për veprim në mbrojtje të vlerave universale, një thirrje që u dëgjua dhe u përkthye në vendim dhe përgjegjësi historike. Mirënjohje e përhershme për gra e burra të NATO-s, të cilët qëndruan në anën e drejtë të historisë. Kjo ditë na rikujton se liria dhe paqja kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm dhe se, në momentet vendimtare, veprimi është ai që e përcakton historinë.
Presidentja Vjosa Osmani: Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por na ndihmoi ta shkruajmë atë

Sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por na ndihmoi ta shkruajmë atë. Në kohën vendimtare për fatin e Kosovës, si Sekretare e Shtetit në administratën e Presidentit Bill Clinton, ajo ishte ndër zërat kyç për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, një vendim që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës. Vizita e saj në Kosovë në vitin 1999 dhe rikthimi në Prishtinë dy dekada më vonë, kur e cilësoi ndërhyrjen si të drejtë, dëshmojnë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës së drejtë të popullit tonë. Busti i saj në zemër të kryeqytetit tonë qëndron si një kujtesë e përhershme për rolin historik që pati në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Ndërkaq, miqësia me Shtetet e Bashkuara mbetet një testament në nderim të trashëgimisë së saj. Mirënjohje e përjetshme për Sekretaren Madeleine Albright!
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Presidentja Osmani vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në proceset kyçe të shtetndërtimit, zhvillimit demokratik dhe avancimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Rudolph për kontributin e tij personal në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë gjatë mandatit të tij, duke rikonfirmuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës aleancën strategjike me Gjermaninë.
Urimi i Presidentes Osmani për Fitër Bajram: Festa e Bajramit shënon një moment të veçantë, kur njerëzit afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe shprehin bujarinë e tyre

Me fat Bajrami, qytetarë të dashur! Uroj që kjo festë të na afrojë e të na bashkojë, të rrisë solidaritetin, harmoninë dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit. Uroj po ashtu që Zoti t’jua ketë pranuar lutjet dhe agjërimin gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Festa e Bajramit shënon një moment të veçantë, kur njerëzit afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe shprehin bujarinë e tyre. Në këtë ditë, hapen dyert dhe zemrat, duke mbjellë mirësi, sepse ajo nuk humbet kurrë, për sa kohë që ne zgjedhim ta mbajmë gjallë solidaritetin dhe shpresën. Prandaj, le të reflektojmë mbi vlerat që na bashkojnë si shoqëri: solidaritetin, mirëkuptimin dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Le të qëndrojmë pranë atyre që kanë më shumë nevojë, duke u bërë burim shprese dhe mbështetjeje. Gëzuar dhe me fat Fitër Bajrami!
Presidentja Osmani shtroi mbrëmë iftar për Kryetarin e Bashkësisë Islame, myftiun Naim Tërnava dhe delegacionin e tij

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të muajit të Ramazanit, shtroi mbrëmë iftar për Kryetarin e Bashkësisë Islame, myftiun Naim Tërnava dhe delegacionin e tij. Presidentja Osmani theksoi se zemërgjerësia që manifestohet këtë muaj është një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, të përulësisë dhe të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Më tej, Presidentja shprehu falënderimin e saj të thellë për kontributin e vazhdueshëm të BIK-it, në kultivimin e vlerave të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve tanë.
Presidentja Vjosa Osmani ngushëllon familjet e tre bashkatdhetarëve që humbën jetën në vendin e punës në Austri

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë. Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë. Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Orav për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë shërbimit në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit. Sipas Presidentes Osmani, BE-ja, mbetet partner kyç për Kosovën dhe se integrimi evropian është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës. Gjatë takimit u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në avancimin e reformave demokratike, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, ftohet nga Zonja e Parë e SHBA-ve, znj. Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë për Samitin FFT

Me ftesën e Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump, në kuadër të nismës së saj Fostering the Future Together (FFT), Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Koalicionit Botëror të FFT i cili do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit, më 24 dhe 25 mars. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë koalicion krijon mundësi të jashtëzakonshme që nxënësit dhe fëmijët tanë të përfitojnë nga projektet, programet dhe inovacionet e kompanive më të njohura amerikane të teknologjisë, përfshirë platforma të avancuara digjitale, inteligjencë artificiale dhe mjete të reja edukative që mbështesin zhvillimin, kreativitetin dhe sigurinë online të tyre, gjithnjë duke vendosur në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve dhe fëmijëve. Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për t’u siguruar fëmijëve mbrojtje në epokën e mundësive më të avancuara të botës digjitale.