Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Republikës Italiane, Maurizio Antonini. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani: Masakra e Tregut të Gjelbër në Mitrovicë dëshmi e krimeve mizore nga regjimi gjenocidal serb

13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë. Në këtë ditë përkujtojmë viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal serb, u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç. Në këtë akt makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë: fëmijë, gra, pleq e të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal. Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi.
Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, gjatë të cilit u trajtuan zhvillimet aktuale në vend dhe tema të tjera me interes të përbashkët. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme. Presidentja theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, duke ritheksuar se kjo aleancë mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend. Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë. Tutje, ajo theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta. Gjatë bisedës u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme. Në këtë kontekst, u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik.
Intervista e Presidentes Osmani me Çim Pekën në Syri TV
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe Përfaqësuesen e NATO-s, znj. Blanca Hereza Atienza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe Ud. Shefen e Operacioneve Aktuale në Stafin Ndërkombëtar, Divizioni i Operacioneve në Selinë e NATO-s, znj. Blanca Hereza Atienza. Gjatë takimit, Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Ajo vlerësoi po ashtu mbështetjen e rëndësishme të NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, sidomos në zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit. Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë punën dhe përkushtimin e gjeneral brigade Dr. Sven Lange, i cili po e përmbyll me sukses mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, ajo e falënderoi atë për kontributin e çmuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Presidentja ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlerat euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.
Presidentja Osmani: Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, përulem me respekt para grave të Kosovës, shtyllave të familjes dhe shoqërisë

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, përulem me respekt para grave të Kosovës, shtyllave të familjes dhe shoqërisë. Faleminderit nënave, mësueseve, grave prijetare, të cilat hapën rrugë me guxim, si dhe të gjitha grave që çdo ditë mbajnë në këmbë shoqërinë tonë: në arsim, shëndetësi, drejtësi, biznes, shkencë, kulturë, media, diplomaci e politikë. Mirënjohje edhe për ato që përballen me sfida çdo ditë, si dhe për gratë që nuk janë më mes nesh, por mbeten pjesë e historisë dhe lirisë sonë. Uroj që zëri i grave të vazhdojë të dëgjohet, potenciali i tyre të mbështetet dhe angazhimi i tyre të çmohet! E ardhmja e Kosovës është po aq e ndritshme sa mundësitë që u japim grave! Gëzuar 8 Marsin!
Presidentja Osmani: 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe

7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe. Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë. Nga banka e parë e shkollës deri te universitetet, është i njëjti mision, të rrisim breza që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë. Prandaj, 7 Marsi është një ditë mirënjohjeje dhe respekti për çdo mësues që, përmes dijes dhe përkushtimit edukon brezat dhe forcon themelet e shtetit. Urime 7 Marsi të gjithë mësuesve!
Presidentja Osmani nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. Më pas, Presidentja Osmani është pritur nga Baca Rifat Jashari. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Kompleksin Memorial në Prekaz, çdo hap është histori, çdo gur është sakrificë. Në kuadër të Epopesë së UÇK-së, u përkulëm me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe para familjes që i dha Kosovës gjithçka. Sakrifica e tyre do të mbetet udhërrëfyesi ynë në çdo hap që bëjmë për shtetin dhe të ardhmen tonë. Mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë nga Baca Rifat, simbol i qëndresës dhe i dinjitetit të kësaj familjeje legjendare. Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet. Ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e shqiptarëve.
Deklarata e Presidentes Osmani pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz