Presidentja Osmani takoi Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio: Kosova mbetet e përkushtuar të ndërtojë partneritete të forta e të qëndrueshme me vende në mbarë botën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, është takuar me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio.   Presidentja Osmani ka shkruar:     Në Emiratet e Bashkuara Arabe, në takim me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio, diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, në përfitim të qytetarëve tanë dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta. Kosova mbetet e përkushtuar të ndërtojë partneritete të forta e të qëndrueshme me vende në mbarë botën.

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës pranon letër nga Zonja e Parë e Republikës së Francës, znj. Brigitte Macron

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, ka pranuar me kënaqësi një letër-përgjigje të dërguar nga Zonja e Parë e Republikës së Francës, znj. Brigitte Macron. Në letrën e saj, Zonja e Parë e Francës, znj. Brigitte Macron, ka shprehur vlerësimin dhe mbështetjen e saj për raportet tona ndër-shtetërore. “E prekur nga vemendja dhe kujdesi juaj, dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht. Ju shpreh mirënjohjen time për shprehjet tuaja të vlerësimit dhe të mbeshtetjes dhe ju siguroj për perkushtimin tonë të thellë ndaj forcimit të lidhjeve që bashkojnë Francën me Kosovën”, thuhet në letrën e saj. “Presidenti i Republikës së Francës i bashkohet urimeve të mia për t’ju dëshiruar një vit të mbarë 2026, për ju, familjen tuaj dhe të afërmit tuaj”, përfundon mesazhi i Zonjës së Parë franceze drejtuar homologut të saj nga Republika e Kosovës.  

Me ftesë të Presidentit të Emirateve, Presidentja Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion. Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike. Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike. Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Presidentja Osmani në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë: Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme

Në përvjetorin e Masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtojmë me dhimbje dhe respekt të thellë një nga plagët më të rënda të pasluftës. Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 564 familje me gjithsej 11 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre. Ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti. Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme.

Presidentja: Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën, bashkërreshtimi me aleancën euroatlantike nuk ka qenë kurrë as dilemë, as kalkulim, e as oportunizëm. Postimi i plotë i Presidentes: Për Kosovën, bashkërreshtimi me aleancën euroatlantike nuk ka qenë kurrë as dilemë, as kalkulim, e as oportunizëm. Ka qenë bindje, ka qenë parim, ka qenë vetëidentifikim. Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë. Gjithmonë!

Presidentja: Kosova, sot është e lirë, ndërsa guximi i Elfetës dhe Mentorit na frymëzojnë përjetësisht!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar familjen Humolli në Lupç të Poshtëm dhe ka vendosur kurorë lulesh në përvjetorin e vrasjes së Elfete Humollit. Presidentja Osmani ka shkruar: Në moshën vetëm 16 vjeçare, Elfete Humolli u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit kriminal serb, duke na treguar se guximi dhe dashuria për atdheun nuk kanë çmim. Në përvjetorin e vrasjes së saj, vizituam familjen Humolli në Lupç të Poshtëm, vendosëm kurorë lulesh dhe nderuam kujtimin e vëllait, Mentorit, i cili ra dëshmor në Koshare në mars 1999. Motra dhe vëllai u bashkuan në të njëjtën kauzë të shenjtë për lirinë e vendit. Kosova, sot është e lirë, ndërsa guximi i Elfetës dhe Mentorit na frymëzojnë përjetësisht!

Presidentja Osmani: Sot në Prishtinë, në Orllan, e në sheshin e Podujevës, u përkulëm para themeleve të lirisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se me 31 janar 1997, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ranë heroikisht për atdhe dhe frymëzuan mijëra djem e vajza që t’i bashkohen rradhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë jetën në shërbim të lirisë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot në Prishtinë, në Orllan, e në sheshin e Podujevës, u përkulëm para themeleve të lirisë sonë. Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ranë heroikisht për atdhe dhe frymëzuan mijëra djem e vajza që t’i bashkohen rradhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë jetën në shërbim të lirisë. Lavdi e përjetshme heronjve të UÇK-së, që e kthyen sakrificën në fitore, gjakun në themel shteti dhe rënien në triumfin e lirisë së Kosovës!

This site is registered on wpml.org as a development site.