...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në rreshtimin e kuadrateve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë

Shumë i dashur baca Rifat,

Shumë e dashur familje Jashari,

E nderuar kryetare e Kuvendit, znj. Haxhiu,

I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar,

Të nderuar ish-presidentë,

Të nderuar oficerë, nënoficerë e ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Familjarë të heronjve, dëshmorëve e martirëve të lirisë,

Veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Kryetarë të komunave,

Të nderuar diplomatë e ushtarakë të vendeve mike,

I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Komandant Jashari,

Të nderuar të pranishëm,

Shumë të dashur fëmijë nga shkolla të ndryshme anekënd Kosovës,

Në këtë tokë të shenjtëruar nga sakrifica, nën flamurin që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve dhe në kazermën që mban emrin e pavdekshëm të Komandantit Legjendar Adem Jashari, jemi mbledhur sot për një akt nderimi që e tejkalon kohën.

Në këtë manifestim madhështor për Epopenë e UÇK-së dhe Ditën e Kazermës “Adem Jashari”, ne rikujtojmë çmimin e lirisë dhe betimin, që u bë që ne sot të jetojmë të lirë dhe me dinjitet.

Në këtë tokë, që dikur u dridh nga krismat e armëve të lirisë, sot qëndron krenare Kazerma “Adem Jashari”, një emër që nuk është thjesht emërtim institucioni, por është mbi të gjitha një amanet. Është përkujtim i përjetshëm i një figure që është bërë simbol i përjetësisë kombëtare, Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe i gjithë familjes Jashari.

Ata nuk zgjodhën rrugën e lehtë, por zgjodhën sakrificën, përballjen dhe mbi të gjitha përjetësinë.

Në Prekaz, Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe familja e tij e shndërruan shtëpinë në kështjellë rezistence e gjakun e tyre në vulë të lirisë dhe të pavarësisë sonë. Familja Jashari është altar i lirisë kombëtare dhe krenari e çdo shqiptari.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zëri i një populli të shtypur. Ishte organizimi i guximit dhe shpresa që u ngrit kundër padrejtësisë. Ishte ndërgjegjja kombëtare që nuk pranoi të heshtë.

Epopeja e Marsit ‘98 është dëshmi se liria fitohet me sakrificë, me unitet, me besim në të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore.

Sot, krenaria jonë nuk qëndron vetëm në të kaluarën, ajo marshon para nesh me uniformë moderne, me profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Republikës sonë.

Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e denjë e UÇK-së. Ajo bart në zemër idealin e lirisë dhe në duar mban përgjegjësinë e sigurisë së vendit. E trajnuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, e pajisur me kapacitete moderne dhe me trupa të përgatitura profesionalisht, FSK-ja sot është e gatshme për çdo sfidë.

FSK-ja jo vetëm që është e aftë ta mbrojë atdheun në çdo kohë, por është gjithashtu e përgatitur të kontribuojë edhe në misione ndërkombëtare të paqes e sigurisë globale.

Sot, kur përkujtojmë Epopenë e UÇK-së, ne po forcojmë vizionin për të ardhmen. Një të ardhme ku Kosova është e sigurt, sovraniteti mbrohet në çdo pëllëmbë, është e integruar në strukturat euroatlantike, me një ushtri profesionale dhe me institucione të forta.

Kazerma “Adem Jashari” është simbol i vazhdimësisë historike, nga pushka e lirisë tek uniforma e shtetit, nga rezistenca te mbrojtja institucionale dhe nga sakrifica te përgjegjësia shtetërore.

Le të betohemi sot, para kujtimit të Komandantit Legjendar dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, para kujtimit të gjithë familjes Jashari, se do ta ruajmë këtë shtet me të njëjtin përkushtim me të cilin ata e fituan duke dhënë jetën. Do ta forcojmë ushtrinë tonë, do ta thellojmë miqësinë me aleatët tanë. Do ta mbrojmë lirinë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, sepse liria jonë ka histori dhe ka amanet. Kjo është Kosova jonë e dashur, të cilën duhet vazhdimisht ta duam, vazhdimisht ta ruajmë dhe ta fuqizojmë çdo ditë!

Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari!

I përjetshëm qoftë kujtimi për heronjtë e UÇK-së dhe martirët e lirisë!

Rroftë Republika e Kosovës!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.