Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi – në fokus forcimi i koordinimit strategjik dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilin e uroi për marrjen e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm. Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore e strategjike, të ndërtuara mbi themele të forta historike, kombëtare dhe shtetërore. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në çdo proces të rëndësishëm diplomatik, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se forcimi i partneritetit vëllazëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në familjen euroatlantike.

Presidentja Osmani: Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri

Më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Serbisë kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror në Kosovë, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, prej të cilëve 20 civilë që u shndërruan në martirë e 4 dëshmorë të UÇK-së që ranë heroikisht në mbrojtje të popullatës civile. Kjo ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën. Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri. Ata u bënë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi ynë drejt çlirimit dhe shtetndërtimit. Kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit është amanet për drejtësi dhe për ta ruajtur lirinë me çdo kusht. Lavdi e përjetshme të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit!

Presidentja Osmani mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Kampin Bondsteel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në Kampin Bondsteel në ceremoninë e ndërrimit të komandës dhe pranim-dorëzimit të detyrës së komandantit të Komandës Rajonale-Lindje të misionit të KFOR. Komandanti i deritashëm, koloneli Jonathan Lloyd, ia dorëzoi detyrën kolonelit Sam Sargeant. Presidentja i uroi kolonelit Sargeant detyrën e re, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe forcimit të paqes e sigurisë në vend. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e jashtëzakonshme të pranisë së trupave ushtarake amerikane në Kosovë, të cilat jo vetëm që garantojnë stabilitet dhe siguri afatgjatë, por edhe dërgojnë një mesazh të qartë përkushtimi ndaj paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin.

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për vizitën e saj të fundit në SHBA dhe takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zhvillimet e fundit në vend, si dhe çështje të ndryshme me interes të përbashkët. Presidentja Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm. Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë. Me këtë rast, Presidentja Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës. Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve. Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.  

Presidentja Osmani priti në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëri, Elisa Spiropali. Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme, Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet. Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale. Sa i përket bashkëpunimit në politikën e jashtme, Presidentja Osmani diskutoi për koordinim të vazhdueshëm diplomatik për njohjet e reja, mbështetjen në organizata ndërkombëtare si NATO, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, si dhe për fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani rikonfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta strategjike dhe për forcimin e rolit të dy vendeve në paqe, siguri dhe stabilitet rajonal e global.  

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Kosta Rikës në Kosovë, Olga M. Sauma Uribe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe. Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe. Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim.

Presidentja Osmani priti komandantin në largim dhe komandantin e ri të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim lamtumirës komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR, kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, si dhe pasuesin e tij, kolonelin Sam Sargeant. Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Lloyd për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke vlerësuar lart kontributin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Në shenjë mirënjohjeje, ajo i ndau atij një mirënjohje për angazhimin e çmuar. Mëtej Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje kolonelit Sargeant, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të popullit të Kosovës, për vazhdimin e pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, e cila është jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Në këtë kontekst, Presidentja theksoi se Kosova do të mbetet gjithmonë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e palëkundur në të gjitha etapat.

Përmbledhje e vizitës së Presidentes Osmani në Washington, D.C

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump. Si shtet bashkëthemelues përkrah SHBA-ve, Republika e Kosovës u lartësua në arenën ndërkombëtare dhe u afirmua si shtet në shërbim të paqes dhe sigurisë globale. 🇺🇸 Përgjatë takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja Osmani pati mundësi të diskutonte me Presidentin e Shteteve të Bashkuara tëAmerikës, Donald J. Trump dhe shumë zyrtarë të kabinetit të tij. 🇺🇸 Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me të cilin diskutuan për hapa konkretë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, avancimin e integrimit të Kosovës në NATO, dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit në mbrojtje e ekonomi. 🇺🇸 Presidentja Osmani, po ashtu, është takuar me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Ajo me ketë rast është takuar gjithashtu me Drejtorin e Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Këshilltarin Special të Presidentit Trump, Charles McLaughlin, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Daniel J. Lawton. Në kuadër të takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja zhvilloi bashkëbisedime me liderë të shumtë botërorë, përfshirë: 🇺🇸 Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump 🇧🇭 Emirin e Bahreinit, L.T. Hamad bin Isa Al Khalifa 🇵🇾 Presidentin e Paraguajit, Santiago Peña 🇦🇿 Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev 🇮🇩 Presidentin e Indonezisë, Prabowo Subianto 🇰🇿 Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev 🇺🇿 Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev 🇷🇴 Presidentin e Rumanisë, Nicușor Dan 🇦🇱 Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama 🇶🇦 Kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani 🇵🇰 Kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif 🇭🇺 Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán 🇦🇲 Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan 🇮🇹 Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani 🇦🇪 Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan 🇯🇴 Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi 🇹🇷 Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan 🇸🇻 Ministren e Punëve të Jashtme të El Salvadorit, Alexandra Hill Tinoco 🇸🇦 Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir 🇺🇸 Ambasadorin e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz 🇺🇸 Të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Steve Witkoff 🇺🇸 Të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Jared Kushner Përfaqësuesin e lartë 🇬🇧 Ish-Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar dhe anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bordit të Paqes, Tony Blair 🌍 Përfaqësuesin e Lartë për Gaza, Nikolay Mladenov 🌍 Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

This site is registered on wpml.org as a development site.