...

Presidentja Osmani në 27 vjetorin e rënies së veprimtarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi: Kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore në 27 vjetorin e rënies së veprimtarëve Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.

Presidentja Osmani ka shkruar:

Për ne që u rritëm në Mitrovicë, data e 24 marsit nuk është vetëm një datë përkujtimi. Është edhe kujtesa e forcës së jashtëzakonshme të familjes Hajrizi e familjes Berisha, por edhe e krenarisë që ky qytet i ka dhënë Kosovës burra e gra që nuk u përkulën kurrë.

Sot, në përvjetorin e 24 marsit 1999, kujtojmë me nderim Profesor Latif Berishën si dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën.

Në akademinë përkujtimore dhe në vizitat tek familjet e tyre, sot u përulëm me respekt para sakrificës së tyre, duke ripërtërirë zotimin se kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë.

Zoti e bekoftë familjen Hajrizi, familjen Berisha dhe Republikën e Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.