Presidentja: Shteti ynë i suksesshëm e i përjetshëm për shkak se themelet që Jasharajt i vunë janë të forta e të pathyeshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti si dhe me ministra të Qeverisë së Kosovës, kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e Epopesë së UÇK-së. Presidentja Osmani ka thënë se sikurse çdo qytetar i Republikës së Kosovës, sikurse çdo shqiptarë pavarësisht se ku jeton jemi këtu në Prekazin historik për të nderuar sakrificën, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari, të udhëhequr nga kryekomandanti legjendar, Adem Jashari. “Sakrifica dhe trimëria e të cilëve edhe i vendosi themelet e forta të shtetit tonë. Shteti jonë sot është në rrugë të drejtë pikërisht për shkak se inspirimin e gjejmë tek Jasharajt. E shteti ynë do të jete i suksesshëm dhe do të jetë i përjetshëm pikërisht për shkak se themelet që ata i vunë janë të forta dhe të pathyeshme”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani më tej ka thënë se në të tri këto ditë të Epopesë së UÇK-së, por edhe çdo ditë të vitit është edhe një mundësi që të gjithë qytetarët e Kosovës të tregojnë përkujtimin e tyre edhe për të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. “Sot po ashtu dhe në fakt në të tri këto ditë të Epopesë së UÇK-së, por edhe çdo ditë të vitit është edhe një mundësi që të gjithë qytetarët e Kosovës të tregojnë përkujtimin e tyre edhe për të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5 vjeçar, 6 vjeçar. Natyrisht përkujtimi për ta, për sakrificën e tyre do të jetë i përjetshëm për gjithë Kosovën, e cila sot është e lirë falë kësaj sakrifice”, ka theksuar Presidentja. Më pas Presidentja Osmani, kryetari i Kuvendit Konjufca dhe kryeministri Kurti vizituan edhe familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari. Me këtë rast, Presidentja Osmani ia dorëzoi Rifat Jasharit Medaljen “Urdhri i Lirisë”, me të cilën e kishte dekoruar më parë.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, gjegjësisht, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, ambasadorin Francës, Olivier Guérot, Zëvendës Shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder, si dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë. Tutje, Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.
Presidentja Osmani ka uruar kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar kryeministren e Republikës së Estonisë, Kaja Kallas për fitoren në zgjedhjet parlamentare. “Përgëzime kryeministre Kaja Kallas për fitoren e djeshme! Vendosmëria e juaj e palëkundur për paqe të qëndrueshme në Evropë dhe mbështetja e paepur për Ukrainën janë një shembull i shkëlqyer lidershipi. Ju keni treguar se angazhimi për liri, dinjitet dhe për një Evropë më të fortë duhet të jetë i pakompromis”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së

I nderuar baca Rifat, Shumë të nderuar anëtarë të familjes legjendare Jashari, I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, I nderuar ministër Mehaj, I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënant Jashari, Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike në vendit tonë, Të nderuara familje të dëshmorëve, Të nderuar veteranë të UÇK-së, Oficerë, nënoficerë e ushtarë të FSK-së, Të nderuar pjesëmarrës! Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25-vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë. Sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të UÇK-së, trimëria, vendosmëria dhe përkushtimi i të cilëve, ëndrrën tonë shekullore për çlirim e për shtet e bënë realitet. Ata kthyen dinjitetin tonë, ata mbrojtjen pragun e shtëpisë, ata mbrojtën nderin dhe vatrat shekullore, duke ra heroikisht dhe duke u shndërruar në flakadanë të përhershëm të Republikës. Epopeja e UÇK-së, nuk është vetëm një histori lufte dhe beteje, por një histori e qëndrueshmërisë, e këmbënguljes dhe e shpresës. Është një histori sakrifice, por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Këta burra e gra iu përgjigjën kushtrimit për liri, ndaj me trimëri e guxim e vetëmohim të palëkundur, luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë, Kosovën, e për ta siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Ata nuk ishin thjesht ushtarë, ata ishin dhe mbesin heronj! Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë dhe i nderit! Prandaj në ditët e Epopesë, kujtojmë jo vetëm ata që dhanë jetën për lirinë tonë, por edhe trimërinë dhe guximin e të gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur kombin dhe vendin tonë. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i tillë do të jetë përjetësisht. Kosova është amaneti i tyre, e tashmja dhe e ardhmja e brezave. Populli i Kosovës u bashkua, luftoi dhe së bashku dolëm fitimtarë! Sot, ne po jetojmë në një kohë pasigurie globale, por do të marrim forcë nga heronjtë tanë, nga amaneti i tyre, por edhe nga pasardhësit e ushtrisë sonë çlirimtare, vajzat dhe djemtë e ushtrisë sonë të rreshtuar sot në nderim të heronjve, e të cilët kudo po e përfaqësojnë denjësisht Republikën. Ju jeni garanca jonë, ju jeni krenaria jonë! Të nderuar të pranishëm, E dashur familje Jashari, Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendar, Prekazin historik dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar përpara në rrugëtimin e pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë- ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror të vendit tonë të pavarur. Unë jam krenare me secilin ushtarë tonin, sepse të gjithë ne bashkërisht të udhëhequr nga kujtimi dhe nderimi për historinë tonë të lavdishme, krahas me aleatët tanë ndërkombëtarë, po ndërtojmë, zhvillojmë e forcojmë kapacitetet tona, për të qenë plotësisht efektiv dhe kontribuues në mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë: paqes, lirisë dhe demokracisë në vend e kudo në botë. Përkrahë forcave aleate ishim dhe do të jemi në misione humanitare, misione të paqes e stabilitetit, për të ardhmen e afërt të Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s. Të nderuar pjesëmarrës Epopeja na kujton se çdo gjë është e mundur nëse besojmë në vetveten tonë dhe kauzën tonë, në fuqinë tonë dhe punojmë të gjithë së bashku, pa ndasi drejt një qëllimi të përbashkët. Për këtë shkak, ne duhet të vazhdojmë ta nderojmë kujtimin e të gjithë atyre para nesh, t`i frymëzojmë brezat e ardhshëm dhe të ecim hapave të tyre. Më, 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Shaban Jashari, Ademi, Hamza e secili anëtarë i familjes, gra, burra e fëmijë treguan heroizëm, stoicizëm e përkushtim, ndaj ne u detyrohemi atyre dhe secilit luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mirënjohje të përhershme! Do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilat ata luftuan dhe ranë. Do ta nderojmë kujtimin e tyre duke punuar të gjithë së bashku, duke qenë afër njëri-tjetrit e duke luftuar për vlerat që i mbajmë të shtrenjta, siç është liria dhe pavarësia jonë. Të gjithë heronjve të rënë, faleminderit përjetësisht! Faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën, të gjithë luftëtarëve tanë! Kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do të jetë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fort lirinë dhe Republikën tonë! Zoti e bekoftë familjen Jashari! Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë! Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës! Ju faleminderit!
Presidentja: Sot e përgjithmonë, nderojmë trimërinë, vendosmërinë dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në ceremoninë e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, e cila u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, Prishtinë.
Presidentja Osmani priti në takim delegacionin e lartë të zyrtarëve dhe bizneseve amerikane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë Jonas Westerlund me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin u diskutua për zhvillimet në procesin e dialogut dhe situatën aktuale në vend.
Presidentja Osmani uron Ditën e Pavarësisë së Bosnje dhe Hercegovinës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës priti në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.