presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e rreshtimit të Kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së

I nderuar baca Rifat,
Shumë të nderuar anëtarë të familjes legjendare Jashari,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti,
I nderuar ministër Mehaj,
I nderuar komandant i Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënant Jashari,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike në
vendit tonë,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar veteranë të UÇK-së,
Oficerë, nënoficerë e ushtarë të FSK-së,
Të nderuar pjesëmarrës!

Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25-vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë. Sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të UÇK-së, trimëria, vendosmëria dhe përkushtimi i të cilëve, ëndrrën tonë shekullore për çlirim e për shtet e bënë realitet.
Ata kthyen dinjitetin tonë, ata mbrojtjen pragun e shtëpisë, ata mbrojtën nderin dhe vatrat shekullore, duke ra heroikisht dhe duke u shndërruar në flakadanë të përhershëm të Republikës.

Epopeja e UÇK-së, nuk është vetëm një histori lufte dhe beteje, por një histori e qëndrueshmërisë, e këmbënguljes dhe e shpresës.
Është një histori sakrifice, por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Këta burra e gra iu përgjigjën kushtrimit për liri, ndaj me trimëri e guxim e vetëmohim të palëkundur, luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë, Kosovën, e për ta siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
Ata nuk ishin thjesht ushtarë, ata ishin dhe mbesin heronj!
Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh.
Ata janë mishërim i trimërisë dhe i nderit!
Prandaj në ditët e Epopesë, kujtojmë jo vetëm ata që dhanë jetën për lirinë tonë, por edhe trimërinë dhe guximin e të gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur kombin dhe vendin tonë.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i tillë do të jetë përjetësisht. Kosova është amaneti i tyre, e tashmja dhe e ardhmja e brezave.
Populli i Kosovës u bashkua, luftoi dhe së bashku dolëm fitimtarë!
Sot, ne po jetojmë në një kohë pasigurie globale, por do të marrim forcë nga heronjtë tanë, nga amaneti i tyre, por edhe nga pasardhësit e ushtrisë sonë çlirimtare, vajzat dhe djemtë e ushtrisë sonë të rreshtuar sot në nderim të heronjve, e të cilët kudo po e përfaqësojnë denjësisht Republikën.
Ju jeni garanca jonë, ju jeni krenaria jonë!
Të nderuar të pranishëm,
E dashur familje Jashari,

Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendar, Prekazin historik dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar përpara në rrugëtimin e pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë- ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror të vendit tonë të pavarur.

Unë jam krenare me secilin ushtarë tonin, sepse të gjithë ne bashkërisht të udhëhequr nga kujtimi dhe nderimi për historinë tonë të lavdishme, krahas me aleatët tanë ndërkombëtarë, po ndërtojmë, zhvillojmë e forcojmë kapacitetet tona, për të qenë plotësisht efektiv dhe kontribuues në mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë: paqes, lirisë dhe demokracisë në vend e kudo në botë.

Përkrahë forcave aleate ishim dhe do të jemi në misione humanitare, misione të paqes e stabilitetit, për të ardhmen e afërt të Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s.

Të nderuar pjesëmarrës

Epopeja na kujton se çdo gjë është e mundur nëse besojmë në vetveten tonë dhe kauzën tonë, në fuqinë tonë dhe punojmë të gjithë së bashku, pa ndasi drejt një qëllimi të përbashkët.
Për këtë shkak, ne duhet të vazhdojmë ta nderojmë kujtimin e të gjithë atyre para nesh, t`i frymëzojmë brezat e ardhshëm dhe të ecim hapave të tyre.
Më, 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Shaban Jashari, Ademi, Hamza e secili anëtarë i familjes, gra, burra e fëmijë treguan heroizëm, stoicizëm e përkushtim, ndaj ne u detyrohemi atyre dhe secilit luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mirënjohje të përhershme!
Do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilat ata luftuan dhe ranë.
Do ta nderojmë kujtimin e tyre duke punuar të gjithë së bashku, duke qenë afër njëri-tjetrit e duke luftuar për vlerat që i mbajmë të shtrenjta, siç është liria dhe pavarësia jonë.
Të gjithë heronjve të rënë, faleminderit përjetësisht!
Faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën, të gjithë luftëtarëve tanë!
Kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do të jetë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fort lirinë dhe Republikën tonë!

Zoti e bekoftë familjen Jashari!

Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë!

Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.