Presidentja: Pranvera studentore e 81-shit, është nisma e kauzës sonë, paralajmërim i hershëm i lirisë dhe moment kthese në rrjedhën e historisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën tonë Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën tonë. Pranvera studentore është nisma e kauzës sonë, është paralajmërim i hershëm i lirisë dhe moment kthese në rrjedhën e historisë sonë. Demonstratat e nisura më 11 mars 1981 u pasuan edhe nga shumë protesta të tjera, por me synimin e njëjtë. Kosova u bë Republikë, ngase studentët e asaj kohe dëshmuan se janë forcë lëvizëse e proceseve dhe se e drejta për liri dhe shtet është e patjetërsueshme. Sakrifica dhe guximi i tyre 42-vite më parë, e trasuan rrugën për liri dhe për shtet. Në këtë përvjetor kujtojmë studentët e rënë dhe të gjithë të tjerët që u bënë bartës dhe realizues të idealeve kombëtare!
Presidentja Osmani priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon. Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese. Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.
Presidentja: E tashmja dhe e ardhmja jonë do të jenë më premtuese kur zëri, jeta dhe puna e çdo vajze dhe gruaje trajtohet me respektin e merituar

E nderuar znj. Spence, E nderuar Vlora, E nderuar znj. Gojani, Të nderuara bashkëfolëse, E dashur Teuta, Të dashura vajza edhe ju zotërinj që jeni në numër më të paktë sot, Të nderuar të pranishëm, Data e 8 marsit mbetet përherë një datë me vlerë të madhe, sepse është dita kur vajzat dhe gratë janë bosht i çdo diskutimi në çdo cep të vendit. Mirëpo, do të doja vërtetë që përkushtimi dhe angazhimi drejt avancimit të të drejtave të vajzave dhe grave të ishte pikërisht në këto nivele në baza ditore në 365 ditë të vitit, nga ana e të gjithëve pa dallim. Mirëpo, derisa kjo të ndodhë, ne nuk duhet të rreshtim se punuari bashkërisht për të drejtat e vajzave dhe grave dhe për barazi gjinore pa kushte. Përgjatë historisë, rrugëtimi i vajzave dhe grave nuk ka qenë fare i lehtë. Çdo e arritur e jona ndër kapituj të ndryshëm të historisë është shoqëruar me sakrifica të shumta e me sfida të panumërta. Gjersa faktorë të shumtë kanë pasur ndikim në formësimin e këtij rrugëtimi, inovacioni dhe teknologjia kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në lehtësimin e jetës së njerëzve në gjithë botën, duke përfshirë atë edhe të vajzave e grave. Çfarë dukej e pamundur të realizohej ndoshta jo më shumë se 50 vite më parë, tashmë është lehtësisht e arritur përmes teknologjisë së avancuar. Profesione që mendohej se i përkisnin vetëm burrave e djemve, tashmë kanë si modele të suksesit pikërisht gratë dhe vajzat anembanë botës. Kjo është aftësia transformuese e teknologjisë dhe inovacionit. Por, siç është rasti me pothuajse çdo gjë tjetër në jetë, edhe teknologjia e inovacioni karakterizohen me anë domosdoshmërisht jo të lavdishme sa i përket kontributit të tyre drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Prandaj, me të drejtë kjo Ditë Ndërkombëtare e Gruas ka në qendër temën “Inovacioni dhe teknologjia për barazi gjinore” dhe si e tillë bën thirrje për reflektim mbi rolin e rëndësishëm që teknologjia luan drejt fuqizimit të grave dhe vajzave në përgjithësi në çdo sferë të jetës. Por, njëkohësisht, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi efektet negative dhe sfidat e ndryshme me të cilat vajzat dhe gratë ballafaqohen në hapësirën digjitale. Fyerjet seksiste, kërcënimet e dhunshme, ngacmimet në internet, shpifja, linçimi, shpërndarja e fotografive intime e shumë e shumë të tjera janë një realitet i hidhur me të cilin janë ballafaquar 73% të grave e vajzave në mbarë botën. E kjo është e patolerueshme! Ne vërtetë kemi nevojë për hapje të mundësive të reja për vajzat e gratë, por nuk kemi aspak nevojë për rrezik shtesë për dhunë shtesë ndaj tyre, as në shtëpi, as në punë, as në hapësira publike e as në hapësirën digjitale. Në fakt, nuk kemi nevojë për dhunë fare. Ajo duhet të luftohet dhe eliminohet në tërësi, prandaj duhet të ngushtojmë çdo hapësirë që lejon një gjë të tillë. Sot e them edhe një herë, se çdo jetë është e shenjtë. Integriteti dhe mirëqenia e vajzave e grave duhet mbrojtur me çdo kusht. Të drejtat e tyre duhen avancuar në vazhdimësi e aftësitë e tyre duhen zhvilluar gjithnjë e më shumë. Andaj, ju që sot jeni epiqendra e kësaj ngjarjeje, mesazh im është që: Mos të ndaleni kurrë, mos të ndaleni së ëndërruari, por në veçanti, mos të ndaleni së besuari! Do të ketë shumë njerëz përgjatë rrugës suaj që do të tentojnë ta testojnë këtë besim, mos i lejoni të fitojnë. Sepse, këtë nuk do ta bëni vetëm për vetveten tuaj, por edhe për gratë e vajzat që ju rrethojnë, e mbi të gjitha për gratë dhe vajzat që do t’ju pasojnë. Mos ndaloni kurrë së besuari që nesër mund të jeni në krye të kompanisë më të madhe digjitale në nivel botëror; mos ndaloni kurrë së besuari se projekti juaj nesër mund të shndërrohet në projektin më të suksesshëm në Kosovë dhe përtej; mos ndaloni kurrë së besuari se një ditë ju mund t’i jepni drejtim politikave të vendit, por edhe më gjerë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit e jo vetëm. Siç nuk ka limit në aftësinë e njeriut për të ëndërruar, po aq bindshëm ju kërkoj të mos limitoheni kurrë në ambiciet tuaja drejt suksesit. Në ditë të tilla ne shpeshherë flasim për statistika të cilat na ndihmojnë të kemi një fotografi më të qartë të situatës në terren. Por, dua t’u them që çdo statistikë në fushën e të dhënave gjinore nuk përfaqëson vetëm numër, përfaqëson një grua, një storie sfide, një storie suksesi, një kampione të pamposhtur që në lagjen, në fshatin, në qytetin, në shkollën apo në zyrën e vet nuk rreshti kurrë së besuari. Ju jeni të gjitha kampione të çdoditshme për barazi gjinore dhe keni mundësinë që nëpërmjet punës e angazhimit tuaj të ndihmoni që këto statistika, këta numra në nivel botëror të shkojnë në dobi të jetës së përditshme të vajzave dhe grave; në dobi të avancimit të barazisë gjinore e të ngritjes së mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë sonë. Sot jam jashtëzakonisht e lumtur të shoh angazhimin e të gjithëve, të institucioneve, të shkollave, të universiteteve, të organizatave të shoqërisë civile, të mediave e të sektorit privat për të promovuar mundësitë për vajza dhe gra në sektorët e njohur si STEM, respektivisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Kjo është gjëja më e mençur, kjo është qasja e duhur, sepse tashmë është e konfirmuar se deri në vitin 2050, 75% e vendeve të punës në nivel global do të lidhen kryesisht me këto fusha. Prandaj, vetëm duke punuar në këtë drejtim, ne punojmë drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të barabartë e më premtuese për të gjithë. Por, përderisa punojmë për të fuqizuar vajzat dhe gratë, e përderisa investojmë dhe avancojmë në shkathtësitë e njohuritë e tyre, le të punojmë po ashtu pa ndërprerë për garantimin e hapësirave të sigurta digjitale, po aq sa edhe ato fizike, të cilat duhet të jenë më të sigurta për vajzat dhe gratë tona. Sepse, puna kërkon siguri.
Fjalimi i Presidentes Osmani në Seancën Solemne në Kuvendin Komunal të Prishtinës me rastin e Ditës së Gruas

I nderuar kryetar i Komunës, z.Rama, I nderuar kryesues i Kuvendit Komunal, Të nderuar nënkryetarë Donjeta dhe Alban, Të nderuar drejtorë, Shumë të dashur anëtarë të Kuvendit Komunal, Të nderuar qytetarë të Prishtinës, Gra të suksesshme, E dashur Kristale, Kënaqësi që t’ju bashkohem të gjithëve sot këtu në Kryeqytet, dhe ju falënderoj për ftesën për pjesëmarrje në këtë seancë të veçantë kushtuar arritjeve të grave dhe ndërgjegjësimit për sfidat me të cilat përballen ato në shtetin tonë! 8 Marsi shërben për të na kujtuar përpjekjet për barazi, për paqe e për drejtësi, si dhe rithekson rëndësinë ekzistenciale të jetësimit të barazisë gjinore. Gratë, në Kosovë e gjetiu, kanë bërë një rrugë të gjatë në luftën për barazi, por udhëtimi nuk ka përfunduar. Pavarësisht përparimit të bërë përgjatë viteve, gratë janë ende të nënpërfaqësuara në shumë fusha dhe pozita vendimmarrëse. E çka është më e rënda, shumë gra e vajza ende përballen me diskriminim, me ngacmim e me dhunë, si në shtëpi, ashtu edhe në angazhimin e tyre profesional e së fundmi edhe në hapësirën digjitale. Shpeshherë këto raste kanë përfunduar edhe me vrasje, nëpërmjet dukurisë së shëmtuar të femicidit, të cilën do të mund ta luftojmë vetëm në qoftë se të gjithë bashkojmë forcat rreth kësaj emergjence kombëtare. Diskriminimi në shumë raste është prezent edhe për gratë e angazhuara në politikë,e këtë e dini secila prej jush. Këto gra shpeshherë përballen me pabarazi, me dekurajim, mungesë përkrahjeje nga subjektet politike, me shtypje, ngacmim, kërcënim e nganjëherë edhe me dhunë. Pikërisht kjo ka shtyrë shumë gra që tëtërhiqen nga jeta publike e shumë të tjera as që të mendojnë që ta fillojnë këtërrugë. Por ky është pikërisht qëllimi i patriarkalisteve, i mizogjeneve e idiskriminuesve. Që vendimet rreth kësaj shoqërie, vendimet për qytetarët tanë t’ju takojnë vetëm burrave. Që mos të ketë gra në tavolinë. E në veçanti jo në pozita vendimmarrëse. Që mos të ketë gra që shfrytëzojnë zërin e tyre për të mirën e kësaj shoqërie. E këtë dëshirë nuk duhet dhe nuk do t’ua plotësojmë. Sepse përveçseështë thellësisht e padrejtë, pabarazitë e tilla dëmtojnë në palcë shoqërinë tonë e shtetin tonë dhe ua mohojnë një të ardhme të ndritur brezave të rinj, të tashëm e tëardhshëm. Fuqizimi i grave në politikë duhet të fillojë nga ju, nga niveli lokal, pikërisht në komunat, pikërisht në kryeqytetin tonë që në baza ditore trajton brengat e qytetarëve. Sepse këto brenga janë të grave e të burrave bashkarisht, prandaj edhe trajtimi i tyre duhet të bëhet nga gratë e nga burrat bashkarisht. Sot, të punosh për barazi gjinore do të thotë të punosh për drejtësi, do të thotë tëpunosh për më shumë siguri, më shumë gjithpërfshirje e më shumë produktivitet për tërë shoqërinë tonë. Por, mbi të gjitha, të kontribuosh për barazi gjinore do tëthotë të jesh në anën e duhur të historisë. E na keni dëgjuar shpeshherë edhe tëthemi se kjo nuk është vetëm gjëja e duhur për ta bërë, por është edhe gjëja më e mençur për ta bërë, sepse nuk do të kishte gabim më të madh për një shoqëri se sa të linte 50 % të potencialit të vet jashtë. Të nderuar të pranishëm, Ditën e sotme e kemi nisur me shumë takime me gra e vajza të jashtëzakonshme ato të angazhuara në fushën e shkencës, teknologjisë, teknikës, e po e vazhdojmësot këtu në kryeqytet, në adresën e qytetarëve të Prishtinës, në vendin ku secili prej jush e ka mundësinë për të kuptuar drejtpërdrejt nevojat reale të vajzave e grave tona. Në rolin tuaj, ju keni mundësinë që të transformoni jetën e tyre për të mirë. Por, me vajzat e gratë nuk duhet të jemi vetëm sot. Në këtë sallë, besimet ideologjike vërtetë edhe mund të jenë të ndryshme, por besimi në barazi gjinore duhet të na bashkojë të gjithëve. Sepse shoqëria dhe shteti ynë ka nevojë të çdoditshme për angazhimin dhe gjithpërfshirjen e grave në qoftë se dëshirojmë njëPrishtinë të suksesshme e një Kosovë të suksesshme. Ndonëse gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara nga pabarazitë e çdoditshme, ne kemi të arritura të jashtëzakonshme për të cilat duhet të krenohemi. Kosova po shënon rritje të numrit të grave në fushat e Shkencave, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Mekanikës, në pozita udhëheqëse. Në art, kulturë, sport, e biznes, përfaqësueset e të cilave i kemi edhe sot në mesin tonë mobilizimi për aktivizim tëtyre në tregun e punës e në jetën publike po merr hov gjithnjë e më shumë. Por,pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të vetmjaftohemi, përkundrazi, ne duhet të shohim se si sfidat e së sotmes t’i shndërrojmë në mundësi të së ardhmes. Të nderuar anëtarë të Kuvendit Jam e vetëdijshme se kryeqyteti është adresa e parë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, e di sigurt se vetëm bashkërisht mund të bëjmë ndryshime në favor të përmirësimit të qëndrueshëm të pozitës së grave, përfshirjes dhe të drejtave të tyre. Mjetet e opsionet për ta bërë këtë janë të shumta, ato fillojnë nga nismat simbolike e deri tek intervenimet sistematike. Por, një gjë është e sigurt, çdo aktivitet e nismëluan rol e peshë të veçantë, sidomos në edukimin e brezave të rinj. Prandaj ju ftoj që ta mbështesim nismën që të kemi sa më shumë emërtime të rrugëve të reja me emra grashë, sikurse edhe të inkurajojmë regjistrimin e pronave në emër të grave. Ne duhet ta dëshmojmë çdo ditë se mund të bëjmë diçka më shumë për përmirësimin e pozitës së grave në të gjitha fushat. Në këtë foltore, pas disa dekadave do të jenë liderë e asambleistë të tjerë. Le të sigurohemi që kur tëkujtojnë punën tonë të na kujtojnë si udhëheqës që e kemi bërë punën më së miri, e në mënyrë gjithëpërfshirëse. Aktualisht 75 % e rrugëve janë të emëruara me emra burrash, ndërsa vetëm 9.8 % me emra grash. Kjo statistikë nuk na bën nder as si shoqëri e as si shtet. Sepse, historinë tonë e kanë shkruar gratë dhe burrat së basku, andaj si e tillë duhet edhe të tregohet qoftë nëpërmjet librave, dokumentarëve, filmave, apo edhe emërtimit
Presidentja të gjitha grave dhe vajzave: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë ose politikë, gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit. Ato munden, sepse kanë potencial. Le të zotohemi të gjithë që ta bëjmë secili pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, që potenciali i çdo gruaje të vie në shprehje maksimalisht. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë ku gratë janë të barabarta e të lira për t’i përmbushur synimet e tyre. Të gjitha grave dhe vajzave të Republikës, sot e çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari.
Grupi Punues për Barazi Gjinore i themeluar në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka mbajtur takimin e radhës

Në fokus të këtij takimi ishte përditësimi rreth aktiviteteve dhe nismave të Zyrës së Presidentes dhe anëtarëve të grupit punues të ndërlidhura me agjendën e barazisë gjinore nga takimi i fundit i grupit. Konkretisht u diskutua mbi Platformën për Parandalimin e Dhunës me Bazë Gjinore të përpiluar nga Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në fund të vitit të kaluar, si dhe nismat legjislative në të cilat kontributi i këtij grupi u cilësua si thelbësor. Tutje, në takimin e grupit u prezantua edhe plani dinamik i punës mbi nismën për përafrimin e ligjeve relevante me Ligjin për Barazi Gjinore. Anëtarët e Grupit për Barazi Gjinore disuktuan edhe dokumentet të cilat do të përpilohen dhe do të shërbejnë si bazë për punën e ardhshme avokuese të grupit, krahas identifikimit të proceseve ligjore ku grupi ka shprehur gatishmëri të plotë për angazhim drejt dhënies së rekomandimeve, të cilat do të kontribuonin në finalizimin e suksesshëm të këtyre procesve. Grupi për Barazi Gjinore funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe garanton koordinim ndërinstitucional dhe përfaqësim gjithëpërfshirës me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi të rëndësishëm për avancimin e barazisë gjinore në institucione, sektorë ekonomik dhe procese të rëndësishme publike e politike.
Presidentja Osmani uron 7 Marsin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mësueseve dhe mësuesve ua ka uruar 7 Marsin. Presidentja Osmani ka thënë se mësueset e mësuesit tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes. Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani: 136- vjet më parë, në Korçë nisi punën mësonjëtorja e parë shqipe, e cila trasoi rrugën e arsimit shqip gjithandej, duke luajtur rol qenësor në formimin e vetëdijes kombëtare që prej Rilindjes Kombëtare. Mësuese e mësues tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes. Ata nuk janë vetëm persona që japin dituri, por edhe mentorë, udhëzues dhe burim frymëzimi. Në këtë ditë, të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë. Arsimi cilësor është bazamenti i një shteti dhe shoqërie të suksesshme! Mësuese e mësues të dashur, urime 7 Marsi!
Fjalimi i Presidentes Osmani në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e Epopesë së UÇK-së

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër i Republikës, z. Kurti, Shumë i dashur baca Rifat, Të nderuar përfaqësues të familjes Jashari që na keni nderuar me prezencën tuaj në këtë Seancë, Të nderuar deputetë, përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, Të nderuar komandantë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Të nderuara familje të dëshmorëve! Të nderuar veteranë, Të nderuar pjesëmarrës, Çdo fillimmars vështrimi ynë qytetar dhe institucional kthehet kah ngjarjet historike, të cilat kanë shënjuar një kthesë vendimtare për kombin tonë dhe janë ngulitur fort në kujtesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këto ngjarje janë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë sonë historike, mbi të cilën ne e shtresojmë secilën përpjekje tonën për ta konsoliduar shtetin tonë, për të cilin breza të tërë sakrifikuan edhe më të shtrenjtën e tyre: jetën. Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti ynë i ri, Republika e Kosovës. Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit të vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët përgjatë tri ditëve të betejës në Prekaz në një përballje heroike me forca të regjimit gjenocidal të Serbisë fituan përjetësinë. Kjo Epope e UÇK-së është epope e dinjitetit, e krenarisë dhe e lirisë sonë. Në këtë beteje të lavdishme, u përjetësua vendosmëria e familjes Jashari dhe e gjithë luftëtarëve të UÇK-së, për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të kësaj toke sikurse edhe për ta përligjur sakrificën ndaj atdheut si sakrificën më sublime të njeriut. Në këto ditë të lavdisë, në njërën anë ishte Baca Shaban, Hamza, Komandanti Legjendar Adem Jashari, familjarët dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së që personifikonin të drejtën dhe lirinë, teksa nga ana tjetër ishin forcat gjenocidale serbe, të cilët u bindën se liria është më e çmueshme se çfarëdo fuqie e tyre ushtarake. Fakti se makineria vrasëse serbe nuk i kurseu as fëmijët, pleqtë e gratë, se nuk kurseu askë e asgjë, ia dëshmon historisë të drejtën e popullit tonë për t’u mbrojtur dhe për ta arritur lirinë. Në këtë ditë kujtojmë edhe të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Kujtimi për ta dhe sakrificën e tyre do të jetë i përjetshëm për të gjithë Kosovën, e cila sot është e lirë pikërisht falë kësaj sakrifice. Në ditë si këto duhet të kujdesemi gjithherë që fëmijëve tanë, e brezave që do i lëmë pas t’ju flasim për fëmijët e Jasharajve dhe për të gjithë fëmijët që ranë në altarin e lirisë, si dhe për shembullin e trimërisë e guximit që e dha e gjithë familja Jashari e udhëhequr nga Komandanti Legjendar. Prandaj, sot, një çerekshekulli më pas, ne e kujtojmë me përulje sakrificën kësaj familjeje, të burrave e grave, fëmijëve e pleqve, dhe të gjithë dëshmorëve, të cilët ranë theror në atë betejë dhe beteja të tjera, për t’u shndërruar shpejt në simbol të rezistencës sonë për liri. Po kështu, u jemi mirënjohës përjetësisht gjithë burrave e grave të UÇK-së, të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë; përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë. Të dashur qytetarë të Republikës! Të nderuar deputetë! E nderuar familje Jashari! Sikurse dëshmohet në histori, një çerekshekull nuk është shumë i gjatë në jetën e popujve e të shteteve. Mirëpo, ai mund të tingëllojë i gjatë nga pikëvështrimi kohor. Prandaj, është shumë e rëndësishme për ta mbajtur të gjallë kujtesën për rrugën tonë. Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj. Prandaj, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së, të cilën ata e bënë për vendin. Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familjeje të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe sakrificën e një populli të tërë, si pjesë të historisë sonë të dhimbshme, ngase duke i kujtuar ata, ne e shtresojmë rrëfimin tonë për vetveten e për rrugën të cilën e kemi kaluar deri në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Ne e fituam lirinë, sepse e njohëm peshën e saj për shekuj, duke u përballur shpesh me mungesën e saj për shkak të mësymjeve të ndryshme ndaj nesh. Por, ne e fituam atë edhe sepse në rrethana të vështira historike ne qëndruam, e përballuam dhimbjen, e luftuam të bindur në fitoren përfundimtare. Lirinë, sikur dihet, e fitojnë ata popuj e ato vende që besojnë vërtet në të dhe që janë të gatshëm t’i bëjnë ballë secilës sakrificë për ta arritur këtë. Ne, që e kemi provuar shtypjen, e dimë më se miri këtë. Këtë më së miri e kishte kuptuar edhe prijësi i luftës sonë për çlirim, komandant Adem Jashari, i cili bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, përgatitjet për përballjen përfundimtare me Serbinë i kishte nisur qysh më 1991 në Shqipëri. Ai e dinte se mbi supe po merrte rreziqe të mëdha, se gatishmëria e tij për sakrificë sublime mund të bëhej edhe sakrificë e familjes, se mund t’i kërkohej që fatit të vendit t’ia falte fatin e vet. Por, ai ishte i vendosur. Rrethimin nuk mund ta duronte, duhej çarë atë, ngase ndjenja e lirisë nuk mund të mbahej më e rrethuar. Ai u sfidua me rrethimin e familjes edhe më 30 dhjetor 1991, e më 22 janar 1998, para se të binte në betejën vendimtare të marsit 1998, së bashku me shumicën e anëtarëve të familjes së tij. Të dashur qytetarë! Beteja
Presidentja: Shteti ynë i suksesshëm e i përjetshëm për shkak se themelet që Jasharajt i vunë janë të forta e të pathyeshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti si dhe me ministra të Qeverisë së Kosovës, kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e Epopesë së UÇK-së. Presidentja Osmani ka thënë se sikurse çdo qytetar i Republikës së Kosovës, sikurse çdo shqiptarë pavarësisht se ku jeton jemi këtu në Prekazin historik për të nderuar sakrificën, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari, të udhëhequr nga kryekomandanti legjendar, Adem Jashari. “Sakrifica dhe trimëria e të cilëve edhe i vendosi themelet e forta të shtetit tonë. Shteti jonë sot është në rrugë të drejtë pikërisht për shkak se inspirimin e gjejmë tek Jasharajt. E shteti ynë do të jete i suksesshëm dhe do të jetë i përjetshëm pikërisht për shkak se themelet që ata i vunë janë të forta dhe të pathyeshme”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani më tej ka thënë se në të tri këto ditë të Epopesë së UÇK-së, por edhe çdo ditë të vitit është edhe një mundësi që të gjithë qytetarët e Kosovës të tregojnë përkujtimin e tyre edhe për të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. “Sot po ashtu dhe në fakt në të tri këto ditë të Epopesë së UÇK-së, por edhe çdo ditë të vitit është edhe një mundësi që të gjithë qytetarët e Kosovës të tregojnë përkujtimin e tyre edhe për të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5 vjeçar, 6 vjeçar. Natyrisht përkujtimi për ta, për sakrificën e tyre do të jetë i përjetshëm për gjithë Kosovën, e cila sot është e lirë falë kësaj sakrifice”, ka theksuar Presidentja. Më pas Presidentja Osmani, kryetari i Kuvendit Konjufca dhe kryeministri Kurti vizituan edhe familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari. Me këtë rast, Presidentja Osmani ia dorëzoi Rifat Jasharit Medaljen “Urdhri i Lirisë”, me të cilën e kishte dekoruar më parë.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, gjegjësisht, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, ambasadorin Francës, Olivier Guérot, Zëvendës Shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara, Alyson Grunder, si dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë. Tutje, Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.