Presidentja Osmani në bisedë telefonike me Presidentin e Izraelit Isaac Herzog: Kosova e përkushtuar për ta thelluar bashkëpunimin me Izraelin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë përmbajtësore me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog si pjesë të komunikimit të vazhdueshëm me homologë të shteteve mike. Në këtë bisedë telefonike në mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të dy liderët kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre. Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Presidenti Herzog e falënderoi përzemërsisht Presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës ndaj Izraelit, dhe e ftoi Presidenten Osmani për vizitë zyrtare në Izrael. Ai poashtu shfrytëzoi rastin që t’ia urojë muajin e Ramazanit besimtarëve myslimanë, festën e Pashkëve besimtarëve të krishterë, si dhe festën e “Passover”, besimtarëve hebre. Në fund, Presidentja Osmani ka dërguar urimet më të mira për gjithë popullin e shtetit të Izraelit.
Presidentja: Vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme ku barazia gjinore është një realitet për të gjithë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka vizituar shkollën “Faik Konica, me ç’rast me nxënësit e kësaj shkolle ka diskutuar për gratë, paqen dhe sigurinë. “Në një bashkëbisedim frymëzues me nxënës të shkollës Faik Konica në kryeqytet, diskutuam për aftësinë transformuese të aktivizimit e angazhimi të gruas në çdo sferë të shoqërisë, si dhe rolin thelbësor të të rejave e të rinjve tanë për barazi gjinore”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka biseduar gjithashtu edhe për përpjekjet për fuqizimin e grave dhe vajzave në vendin tonë. “Përpjekjet për fuqizimin e grave dhe vajzave në vendin tonë, si dhe adresimi i sfidave rreth integrimit të grave në procese të paqes dhe sigurisë, udhëhiqen nga veprat e të gjithëve, përfshirë kampionët e vegjël me të cilët bisedova sot. Ata janë katalizator i vërtet i ndryshimit pozitiv në vendin tonë”, ka theksuar Presidentja. Presidentja Osmani tha se vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme ku barazia gjinore është një realitet për të gjithë.
Deklarata e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar

Presidentja Osmani dekretoi 21 prokurorë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot 21 prokurorë me mandat fillestar për tre vite, ndërkohë që të njëjtit do të sistemohen në prokuroritë themelore. Në ceremoninë e betimit, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazinë dhe besimin qytetar. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ftoi prokurorët e rinj që të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pandikuar dhe profesional. Ndërkaq prokurorët e rinj janë betuar se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale.
Fjalimi i Presidentes Osmani në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit 2023

I nderuar z. Hoti faleminderit shumë për ftesën, E nderuar zëvendëskryeministre, Redzepi E nderuar Ministre Hajdari Të nderuar kryetar të Prishtinës dhe të Ulqinit, I nderuar zëvendësministër nga Mali i Zi, Të nderuar ambasadorë, Përfaqësues të bizneseve, Të nderuar të pranishëm, Jam shumë e lumtur që ndodhem sot këtu, në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Kosova 2023, në të cilin do të promovohen ofertat turistike, që paraqesin ndërthurje të turizmit me kulturën, ekonominë dhe traditën, të cilat janë faktorë të rëndësishëm në formësimin e industrisë së turizmit. Turizmi siç e dini të gjithë kontribuon ndjeshëm në rritjen ekonomike të shtetit, duke qenë se ai përfshin lëvizjen e njerëzve nga një vend në tjetrin me qëllim të kalimit të kohës së lirë, biznesit, vizitës së lokaliteteve apo edhe monumenteve të trashëgimisë kulturore. Sot turizmi si industri globale krijon apo gjeneron vende të shumta të punës dhe të ardhura për qytetarët tanë. Ai promovon shkëmbimin kulturor, inkurajon ruajtjen e mjedisit dhe gjithashtu është në funksion të promovimit të paqes e të mirëkuptimit. Kultura është një aspekt thelbësor i turizmit. Njerëzit udhëtojnë për t`u njohur me kultura të reja, për të shijuar edhe ushqime të ndryshme e për të mësuar rreth historisë së vendeve. Turizmi kulturor mund të ndihmojë në ruajtjen dhe promovimin e traditave dhe trashëgimisë sonë. Turistët janë të gatshëm edhe të paguajnë për këto përvoja unike kulturore, sikurse janë siç e kemi parë edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera me vizitat në muze, ndjekjen e festivaleve apo edhe eksplorimin e lokaliteteve historike. Ky Panair, sigurisht se ka mbledhur veprimtari të ndryshme që nga operatorët turistik të hoteleve, restoranteve, bujtinat, prodhuesit e ndryshëm, shoqata të turizmit, institucione publike por edhe komunat. Në fakt, disa nga komunat e Kosovës e kanë pjesë të planeve të zhvillimit të tyre strategjik edhe turizmin. Kjo është tejet përfituese jo vetëm për komunat, por edhe për secilin biznes dhe secilën veprimtari që mund të zhvillohet në vend. Kësisoj, Kosova pra paraqet një nyje lidhëse turistike tejet të rëndësishme ndërmjet vendeve fqinje, siç janë: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët, të cilët do të mund t`i vizitojnë krahas Kosovës dhe shtetet fqinje me lehtësi dhe brenda një kohe të shkurtër. Me shtetet, të cilat i përmenda na lidhë historia e ngjashme e përbashkët, gjuha, traditat kulturore të përafërta, sikurse edhe trashëgimia kulturore. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm turistik me bukuritë e saj natyrore, sikurse janë Brezovica, Prevalla, Gërmia, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Gryka e Rugovës, Shala e Bajgorës, Ujëvara e Mirushës, Badovci, Burimi i Drinit të Bardhë, Batllava, Bifurkacioni i lumit Neredime e shumë e shumë të tjera. Kosova nuk është më pak e bukur sesa vendet e shumta që ne i vizitojmë. Në fakt ka bukuri të jashtëzakonshme, mjafton që ato t’i mbrojmë me çdo kusht, e mbi të gjitha t’i promovojmë si shtet. Pra, oferta turistike e Kosovës është më e gjerë se sa kaq. Secili nga turistët mund ta përjetojë një vizitë fantastike në Shpellën e Gadimes, në Shpellën e Radacit apo në Shpellën e Kusarit. Sot turizmi dhe komunikimi ndërkulturor nuk mund të shihen ndaras. Aktivitetet kulturore, të cilat i organizon Kosova janë vënë pikërisht edhe në funksion të turizmit, duke e ditur faktin se vizitorët e ngjarjeve kulturore nuk ndalen me aq. Shteti ynë dita ditës po konsolidohet në hartën globale me aktivitete kulturore, të cilat i kanë kapërcyer kufijtë tanë. “Sunny Hill Festival”, “Dokufesti”, “Pri Film Festi”, DAM Festival, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Polip”,“Chopin Fest”, “Remusica”, “Anibar”, “Jazzfest”, “Manifesta”, Mural Fest Kosova, sikurse edhe shumë e shumë festivale teatrosh e të filmit nëpër komuna e kanë shndërruar Kosovën në pikë të turizmit kulturor dhe ekonomik. Këto ngjarje kulturore janë shndërruar në aktivitete ekonomike, edhe për shkak të prurjes së turistëve, por edhe punësimit për muaj të tërë të individëve dhe kompanive të ndryshme. Në kuadër të aktiviteteve të shumta, nuk mund të mos përmend në veçanti “Dokufestin” dhe “Sunny Hill Festival”, që janë dy organizime kulturore, që tashmë jo vetëm se kanë krijuar traditë, por e kanë shndërruar Kosovën në adresë të pakapërcyeshme si për filmbërësit po ashtu edhe për adhurues të muzikës nga rajoni e bota. Në kuadër të aktiviteteve që i bën jehonë shtetit tonë ishte edhe “Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade”, e mbajtur në korrik të vjetëm dhe në të cilën morën pjesë 30 shtete përgjatë aktivitete të koncentruara për 100 ditë. Kjo dëshmoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për këtë turizëm kulturor dhe duhet të vazhdojë më ngulm punë të shumta që ta shndërrojmë vendin tonë në një adresë për ngjarje me karakter rajonal e global. Të nderuar pjesëmarrës Kosova potencialin e ka të jashtëzakonshëm edhe në shumë pika të trashëgimisë kulturore, përfshirë këtu Parkun Arkeologjik Ulpiana, muze të ndryshëm gjithandej nëpër komuna, lokalitete arkeologjike, si dhe objekte kulti. Por, ka ende shumë punë për t`u bërë në sferën e turizmit. Në këtë rrafsh, më duhet ta përmend digjitalizimin e destinacioneve turistike, i cili është një ndër synimet kryesore të institucioneve të Kosovës. Ne duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave turistike të Evropës, jo vetëm të Ballkanit, duke e bërë të mundshme që turistë nga vende të ndryshme të globit, nga të gjitha kontinentet ta kenë destinacion edhe vendin tonë. Teksa vazhdojmë ta promovojmë turizmin, le ta bëjmë këtë në mënyrë të qëndrueshme, duke e mbrojtur njëkohësisht edhe ambientin, duke besuar në mundësitë e shtetit tonë, në potencialin, por edhe në ofertat e begatshme, të cilat e bëjnë Kosovën vend atraktiv për vizita turistike. Është obligim i yni i përbashkët ta bëjmë Kosovën destinacion të rëndësishëm turistik jo vetëm për një herë, por të vazhdueshëm!
Presidentja Osmani priti në takim kosovaren e vetme në ligën elitare të basketbollit NBA

Presidentja e Republikës Vjosa Osmani ka pritur në takim basketbollisten kosovare, Edona Thaqi, e cila po zhvillon karrierë të suksesshme në ligën elitare të basketbollit NBA, në ShBA. Presidentja Osmani e ka përgëzuar basketbollisten Thaqi për arritjet e saj në basketboll dhe ka theksuar se afirmimi i saj është edhe afirmim i Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku vajzat kosovare po dëshmojnë paraqitje kulminante në shumë diciplina sportive. Znj.Thaqi ka bërë të ditur se gjatë verës do ta mbajë një kamp trajnimi me vajzat e reja basketbolliste me trajnerë të huaj.
Fjalimi i Presidentes Osmani në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas

E nderuar Ambasadore Soderberg, E nderuar Zeinah Salahi, udhëheqëse e USAID-it, E nderuara znj. Stocker, udhëheqëse e Swiss Development Corporation, E nderuar zëvendëskryeministre, Të nderuara deputete, Të nderuar kryetarë komunash, Shumë të dashura vajza e gra dhe të gjithë ju të pranishëm sot, Ju faleminderit për ftesën, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit në këto 10 vitet e fundit, sepse gjithnjë është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jemi pjesë e Javës së Gruas, dhe natyrisht këtu është momenti që t’i falënderojmë ato që e filluan këtë ngjarje, Grupin e Grave Deputete, të cilat të inspiruara nga ikona e lirisë dhe pavarësisë sonë, zonja Madeleine Albright, ecën përpara drejt fuqizimit të grave dhe vajzave dhe përgjatë këtij rrugëtimi vazhdimisht kishim mbështetjen e NDI, kështu që faleminderit edhe një herë! Instituti Demokratik Kombëtar të cilin të gjithë e njohim si NDI sot shënon një kapitull të rëndësishëm në historinë e veprimit dhe punës në Republikën e Kosovës. Ky është një vit jubilar për një prej ngjarjeve më të rëndësishme vjetore në vendin tonë. U bënë 10 vite me Javën e Gruas; ngjarje kjo e cila ka vlera të çmuara për kontributin e pashembullt në avancimin e pozitës së gruas dhe promovimin e barazisë gjinore në jetën publike në vend. Për punën e palodhshme, për ambicien dhe përkushtimin e pashoq, Ambasadores Soderberg, stafit të NDI, Grupit të Grave Deputete por të gjithë atyre të tjerëve që kontribuuan ndër vite, u jemi vërtet shumë mirënjohës. Të nderuar të pranishëm, Diversiteti, barazia dhe gjithëpërfshirja qëndrojnë në themelet e një demokracie që frymon me shpirtin e barazisë. Duke u nisur nga këto premisa dhe duke punuar për t’i jetësuar ato ne i rrisim gjasat për t’u afruar gjithnjë e më afër ndërtimit të një demokracie të qëndrueshme. Por në qendër të çdo veprimi është aktivizmi qytetar – janë vet qytetarët. Pra, demokracia është një rezultat i angazhimit të gjithmbarshëm shoqëror. Nëse tentojmë ta zbërthejmë në copëza, demokracia është një tërësi e veprave individuale të cilat kontribuojnë në ndërtimin e së mirës kolektive dhe e cila me mbështetjen e duhur institucionale arrin të përkthehet në promovim të vazhdueshëm të vlerave demokratike, e që përfundimisht rezulton pastaj me fuqizimin e demokracisë së gjithmbarshme. Gratë dhe burrat e Kosovës, vajzat dhe djemtë tanë, qytetarët tanë, duke ndjekur idealet e tyre i kanë dhënë kah historisë së vendit tonë dhe kanë krijuar bazamentin që ka mundësuar ndryshimet. Ata i kanë dhënë krah demokracisë. Prandaj, çdo përpjekje për avancim të demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm kur të fuqizohet zëri i qytetarëve – i të gjithëve, pa dallim. I grave dhe burrave, pa dallim. Më pastaj institucionet e kanë për detyrë të ofrojnë mbështetjen, resurset, por edhe orientimin strategjik, të cilat krijojnë infrastrukturën e nevojshme siç është institucionalizimi pra i veprave individuale. Dhe ky vullnet, ky përkushtim, ekziston sot më shumë se kurrë. Nëse duam demokraci të fortë, atëherë kemi nevojë për qytetarë të fuqizuar. Kur qytetarëve u krijohen mundësitë për pjesëmarrje e angazhim, niveli i përgjegjshmërisë së institucioneve fillon e rritet gjithnjë me shumë, shtohet transparenca dhe rritet llogaridhënia. Angazhimi i gjithsecilit prej jush në këtë sallë sjell avantazh shtesë në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të mëtejmë të demokracisë. Sepse, realisht, demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar. Ajo kërkon të mirëmbahet, të kultivohet e të fuqizohet vazhdimisht. Një demokraci e mirëfilltë është një demokraci që kontribuon në mënyrë aktive për përmirësimin dhe avancimin e pozitës së gruas në një shoqëri. Një demokraci e shëndosh është një demokraci që frymon mbi parimin e jetësimit të barazisë gjinore. Edhe pse Republika jonë është vetëm 15 vjeçare, qytetarët tanë e kanë dëshmuar ndër vite se e kuptojnë rëndësinë esenciale të përfshirjes së gruas në jetën institucionale e publike. Në 15 vite rrugëtim, Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re; me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore; me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuara dhe kanë zë më të fuqishëm se kurrë më parë; por mbi të gjitha, Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend. Realiteti është se angazhimi, fatkeqësisht, nuk është i njëtrajtshëm. Institucionet të caktuara punojnë me intensitet më të lartë e disa e kanë marrë dukshëm më shtruar këtë çështje. Por, çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më qartë se kur gratë udhëheqin; kur grave u dëgjohet zëri; kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje; rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm. Por, sukseset në kryeqendër nuk duhet të vënë nën hije nevojën për angazhim të shtuar për shtrirje të barazisë e gjithpërfshirjes në çdo cep të Kosovës. Ne duhet të mobilizohemi që mos të lejojmë të ngërthehemi nga kurthi i vetëkënaqësisë. Sidomos jo, kur në vendin tonë ende vriten gratë. Sepse, ka ende shumë punë për të bërë përtej përfaqësimit të grave në vendimmarrje në nivel qendror, duke filluar nga fuqizimi i tyre në nivel lokal, e duke vazhduar tek eliminimi i çdo padrejtësie e pabarazie që ato ballafaqohen qoftë në shtëpi, në punë, në rrugë apo edhe në hapësirën digjitale. Në këto 10 vite të Javës së Gruas, NDI ka arritur të prekë jetët e shumë grave e vajzave të cilat nuk kanë pasur mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve, grupeve punuese, e lërë më të jenë pjesë e vendimmarrjes. Shumë nga ato janë sot në mesin tonë. Ato po e udhëheqin ndryshimin, ato janë vet ndryshimi. Edhe unë kam filluar nga radha e fundit atje ku jeni sot ulur, pastaj në vitin e dytë jam ulur pak më afër, në vitin e tretë më afër dhe sot flas si Presidente e Republikës. Pas disa vitesh, ju që jeni ulur atje në fund do të jeni këtu, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Javës së Gruas në vend timin. Mirëpo, nuk mund të mos përmend edhe punën e shkëlqyer edhe të shumë partnerëve të tjerë vendor e ndërkombëtar,
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit, përfshirë dialogun me Serbinë, bashkëpunimin ndërshtetëror dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Presidentja Osmani përkujton 24 vjetorin e masakrës në tregun e Mitrovicës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24 vjetorin e masakrës në tregun e Mitrovicës, ku pësuan me jetë gjashtë persona, në mesin e të cilëve fëmijë e gra, teksa u plagosën 128 banorë shqiptarë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: 24-vjet më parë, ushtria dhe policia e regjimit gjenocidal të Serbisë, sulmoi me granata tregun e Mitrovicës, ku pësuan me jetë gjashtë persona, në mesin e të cilëve fëmijë e gra, teksa u plagosën 128 banorë shqiptarë. Sot është ditë pikëllimi e reflektimi, ndaj kujtojmë me respekt jetët e humbura, por edhe qëndrueshmërinë e të mbijetuarve të kësaj barbarie. Mbetet përkushtim i yni që të vërtetën për krimet sikurse ky ta themi gjithmonë dhe kudo, por edhe të angazhohemi maksimalisht që drejtësia të vihet në vend.
Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin proaktiv të Greqisë në rajonin tonë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit grek për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, Presidentja Osmani, duke u thirrur në vlerat e përbashkëta euroatlantike, ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon. Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Dendias për mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në votimin e fundi të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe për avokimin e vazhdueshëm për t’i dhënë fund këtij procesi. Në takim është diskutuar edhe për raportet Kosovë-Greqi, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dyanëshe, duke përmendur nevojën e rritjes së shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimit në sfera të ndryshme të interesit të përbashkët. Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë.